Negociatorët amerikanë dhe iranianë janë pranë një marrëveshjeje kornizë që mund t’I japë fund luftës mes SHBA dhe Iranit, thane dy zyrtarë amerikanë.
Siç raporton Axios, SHBA-të dhe Irani, me ndihmën e ndërmjetësve nga Pakistani, Egjipti dhe Turqia, po përpiqen të kapërcejnë mosmarrëveshjet e mbetura dhe të arrijnë një marrëveshje përpara se të skadojë armëpushimi më 21 prill.
Një delegacion pakistanez i udhëhequr nga Shefi i Ushtrisë, Gjenerali Asim Munir, mbërriti në Teheran të mërkurën për bisedime me zyrtarët iranianë.
Zyrtarët amerikanë dhe burimet e njohura me ndërmjetësimin kanë paralajmëruar se arritja e një marrëveshjeje nuk është e garantuar, duke pasur parasysh dallimet e konsiderueshme midis dy palëve.
Një zyrtar amerikan tha se ekipi negociator i Presidentit të SHBA-së Donald Trump, Zëvendëspresidenti Vance, i dërguari i Shtëpisë së Bardhë Steve Witkoff dhe këshilltari i lartë Jared Kushner, vazhduan të zhvillonin telefonata dhe të shkëmbenin projekt-propozime me iranianët dhe ndërmjetësit të martën.
“Ai ishte në telefon dhe po konsultohej me të gjitha vendet në të njëjtën kohë dhe ato po i afrohen një marrëveshjeje”, tha zyrtari amerikan.
Një zyrtar i dytë amerikan konfirmoi se ishte bërë përparim nga bisedimet e së martës. “Ne duam të bëjmë një marrëveshje. Dhe disa pjesë të qeverisë së tyre duan të bëjnë një marrëveshje. Tani pjesa e vështirë është të bindësh të gjithë qeverinë atje për të bërë një marrëveshje”, tha një zyrtar i tretë amerikan.
Nëse arrihet një marrëveshje kornizë, armëpushimi do të duhet të zgjatet për të negociuar detajet e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, tha një zyrtar amerikan dhe një burim i njohur me ndërmjetësimin, i cituar nga Axios.
“Detajet janë të ndërlikuara, nuk mund ta bësh këtë për dy ditë”, tha zyrtari amerikan, sipas të cilit “SHBA-të nuk kanë rënë dakord zyrtarisht për të zgjatur armëpushimin. Negociatat midis SHBA-së dhe Iranit po vazhdojnë me qëllim arritjen e një marrëveshjeje”.
Zyrtarët amerikanë thonë se bllokada detare e Trumpit, e cila ka ndërprerë eksportet e naftës së Iranit, dhe kriza ekonomike në përkeqësim e vendit po rrisin presionin mbi Teheranin për të arritur një marrëveshje. “Irani nuk ka para. Ata janë të falimentuar. Ne e dimë këtë. Dhe ata e dinë që ne e dimë”, tha një zyrtar amerikan.
Sipas zyrtarëve amerikanë, presioni ndaj Iranit është rritur për shkak të bllokadës detare të vendosur nga administrata Trump, e cila ka kufizuar eksportet e naftës dhe ka përkeqësuar krizën ekonomike. Irani eksporton rreth 1.5 milionë fuçi naftë në ditë, me të ardhura të vlerësuara rreth 140 milionë dollarë.
Ekspertë të cituar nga Axios vlerësojnë se një bllokadë e plotë mund t’i ndalojë këto të ardhura menjëherë. Ishulli Kharg, që përpunon rreth 90% të naftës iraniane, konsiderohet pikë kyçe dhe do të ndikohej drejtpërdrejt nga një bllokadë e tillë.
Zyrtarët amerikanë paralajmërojnë se nëse Irani nuk arrin të eksportojë naftë dhe mbush kapacitetet e magazinimit, mund të detyrohet të ndalojë prodhimin, duke shkaktuar dëme afatgjata ekonomike.
Para konfliktit, ekonomia iraniane ishte tashmë nën presion nga sanksionet amerikane, të cilat kishin rritur papunësinë, mungesat e karburantit dhe inflacionin e ushqimeve. Lufta e ka thelluar më tej krizën.
Sulmet ajrore të SHBA-së dhe Izraelit kanë ndalur aktivitetin në dy uzinat më të mëdha të çelikut dhe kanë paralizuar industrinë petrokimike të Iranit. Gjithashtu, Banka Sepah, institucion financiar shtetëror që financon ushtrinë dhe Gardën Revolucionare, është objekt i sulmeve të vazhdueshme kibernetike.
Ndërkohë, ndërprerja e internetit në Iran, që ka hyrë në ditën e 47-të, po i kushton ekonomisë rreth 50 milionë dollarë në ditë.
