A do ta zyrtarizojë Nikolla djegien e mandatit në seancën e 24 qershorit, apo do të nisë manovrat e interpretimit kushtetues?!
Sali Berisha duket se ja arriti të gëzojë postin e kryetarit të PD. Pas një beteje të gjatë gjyqësore, vula ju dha atij dhe ka plasur festë e madhe mes demokratëve. Mirëpo si me vulë, si pa vulë, hallet e Berishës nuk kanë mbaruar.
Nëse Apeli do ja linte vulën Bashës, Berisha nuk do e njihte vendimin dhe do vijonte e njëjta situatë. Mirëpo në gjithë këtë entuziazëm, ka kaluar në heshtje një element tjetër, i cili është ndoshta më i rëndësishëm se vula e PD: Mandati i deputetit.
Me mbylljen e seancës së sotme parlamentare, mund të themi se ligjërisht Sali Berisha ka humbur mandatin e deputetit. Për të qenë më të qartë. Kushtetuta në nenin 71 pika 2 shprehet: “Mandati i deputetit mbaron ose është i pavlefshëm, sipas rastit: a) kur ai nuk bën betimin; b) kur heq dorë nga mandati; c) kur vërtetohet një nga kushtet e pazgjedhshmërisë ose papajtueshmërisë të parashikuara në nenet 69, 70 paragrafët 2 dhe 3; ç) kur mbaron mandati i Kuvendit; d) kur mungon pa arsye mbi 6 muaj rresht në Kuvend; dh) kur dënohet me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi”.
Hera e fundit që Berisha ka qenë në Kuvend është 20 dhjetori 2023, ditë kur u mbyll sesioni parlamentar për shkak të festave të fundvitit. Më pas ai u izolua në banesë dhe gjykata nuk e ka lejuar të dalë. Më 20 qershor bëhen 6 muaj që ai nuk shkon në Kuvend dhe praktikisht në këtë datë e humbet mandatin.
Kushdo mund të thotë se ka edhe 8 ditë afat. Mirëpo Kuvendi sot u mblodh në seancë plenare dhe deri në datën 24 nuk ka më seanca. Për shkak të nisjes së Kampionatit Europian gjithë deputetët kanë shkuar në Gjermani të ndjekin Kombëtaren dhe javën që vjen do të jetë pushim. Pra, deri më 24 qershor Berisha nuk shkon dot në seancë, që do të thotë se praktikisht nuk ka se si të votojë për të mbajtur mandatin. Ai nuk është as pjesë e komisioneve parlamentare.
Por zyrtarizimi i një gjëje të tillë është në dorë të Ramës dhe Nikollës. A do ta zyrtarizojnë ata djegien e mandatit në seancën e 24 qershorit? Apo do të nisin manovrat e interpretimit kushtetues për të mbajtur Berishën në sallën e Parlamentit. Mbetet të shihet, por sinjalet janë se PS është bërë pjesë e pazareve të Berishës.
Ajo që ngre më shumë dyshime është se “non grata” ka bërë një kërkesë për interpelancë me Ramën dhe kjo kërkesë shihet si lëvizje për të shkuar në seancë dhe të shpëtuar mandatit. Sot u refuzua, por mund të kemi zhvillime në ditët në vijim. Ramës i duhet Berisha. Për sa kohë në krye të PD është një “non grata”, PS do vijojë të fitojë. Po ashtu të dy kanë gatuar gjithë pisllëqet dhe vijojnë t’i gatuajnë.