“Më 16 dhjetor 1974 u arrestua Beqir Balluku-16 dhejtor 2025 SPAK kërkon arrestimin e Belinda Ballukut”
Nga Rigels Seliman
Në historinë shqiptare, mbiemrat shpesh bartin jo vetëm trashëgimi, por edhe hijen e ngjarjeve tragjike të së shkuarës. Për Belinda Ballukun, mbesën e ish-ministrit të Mbrojtjes Popullore, Beqir Balluku, duket se kjo hije rikthehet me forcë simbolike.
Më 16 dhjetor 1974, Beqir Balluku arrestua. U dënua me vdekje për “tradhëti ndaj atdheut, agjitacion e propagandë, përvetësim të pasurisë socialiste në përpjesëtime të mëdha dhe shpërdorim të pozitës zyrtare”, pasi u shpall armik i atdheut nga regjimi që vetë kishte shërbyer për vite me radhë. Ishte një rrëzim brutal dhe shembullor, që vulosi tragjikisht fatin e tij dhe la një plagë të thellë në historinë e familjes.
Pesëdhjetë e një vite më vonë, më 16 dhjetor 2025, e njëjta datë rikthehet si simbol goditjeje për zv/kryeministren Belinda Balluku.
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka paraqitur kërkesë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për arrestimin/ heqjen e lirisë së deputetit/ministrit/zëvendëskryeministrit: Belinda Balluku. Kjo shtetase është marrë në cilësinë e të pandehurit në kuadër të procedimit penal nr.136 të vitit 2025, pasi akuzohet për kryerjen e veprës penale: “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim.
Edhe pse në një realitet tjetër politik dhe institucional, ngjarja shihet si një formë e “ekzekutimit politik”, duke ringjallur paralelizma të pashmangshme me të shkuarën.
Nga gjyshi te mbesa, historia duket sikur përsërit të njëjtin motiv: ngritje në pushtet dhe rrëzim dramatik. Jo si barazim epokash, por si dëshmi se në Shqipëri, politika shpesh trashëgon fatet po aq sa trashëgon emrat.
