Ish-kreu i Partisë Demorkatike, Lulzim Basha, ka zhvilluar një takim të dielë me strukturat e PD Shkodër. Ai u prit nga kreu i PD-së në Shkodër, Xhevdet Amuli dhe ish-kandidati për bashkinë e këtij qyteti në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit, Xhemal Bushati. Gjatë fjalës së tij, Basha tha se ai e dha dorëheqjen duke mbajtur përgjegjësinë e tij, ndërsa shtroi pyetjen se kur do veprojë në të njëjtën mënyrë si ai edhe ish-kryeministri Sali Berisha. Ai theksoi se Berisha për interesat familjare ka nxitur dhunën dhe përçarjen në parti, ndaj e konsideroi të arsyeshme vendosjen e dyerve të blinduara në selinë blu para protestës së 8 janarit.
“Kur erdhën me mjete të dhunshme, kishim 2 rrugë: ose largim, ose marrje e çdo mase që të mos cenohej asnjë demokrat. Kur do e marri përgjegjësinë e tij Sali Berisha për të çliruar nga ngërçi PD-në dhe që të eci përpara? Ai flet për bashkimin dhe i fryn përçarjes. Ai nxiti sulmin fizik ndaj PD. Ato (dyert e blinduara) ishin masa mbrojtëse ndaj konfliktit dhe dhunës së nxitur nga gjuha e një njeriu për interesat të familjes”, deklaroi ai.
Basha: PD nuk ecën dot përpara me “non gratat”
Më tej, Lulzim Basha shënjestroi drejtpërdrejt Berishën, duke u shprehur se PD nuk ecën dot përpara me të, pasi është shpallur “non grata” nga SHBA. Ai përsëriti se PS nëpërmjet propagandës së saj mund të ketë fituar zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit. “PD nuk bën dot para me ‘non-gratat’ dhe propagandën, pa e parë të vërtetën në sy. Më 6 mars propaganda dhe regjimi mund të kenë sjellë blerjen e votave për shkak të varfërisë”, u shpreh ai. Ndërkohë Lulzim Basha e quajti vendimin e 25 marsit të Gjykatës se Tiranës që njohu Komisionin e Rithemelimit, si ilegjitim, duke shtuar se drejtësia do e nxjerrë zbuluar paligjshmërinë e këtij vendimi. Ai pranoi se ka kryer gabime në drejtimin e PD, por mohoi të ketë faje. “Vendimi i gjykatës për statutin e Berishës është ilegjitim, tregon korrupsionin në drejtësi. PD është në një krizë për shkak të propagandës që po bëhet. E ardhmja ime është e ardhmja e përditshme e çdo shqiptari, të qëndrojmë fort për vlerat e parimet. Kam bërë shumë gabime, por jo faj. Shqiptarët jetojnë në skllavëri moderne dhe mposhtja e sistemit është qëllimi kryesor”, tha ai.
Basha: Grupi deputetëve të PD të vendosë pa trysninë e Berishës
Lulzim Basha nuk mori pjesë në mbledhjen e grupit parlamentar të PD që u zhvillua disa ditësh pas dorëheqjes së tij, ku i pranishëm ishte edhe Sali Berisha. I pyetur nëse do të marrë pjesë në mbledhjet e ardhshme, Basha deklaroi se deputetët e PD duhet të çlirohen nga ai që e sheh partinë si pronë private duke nënkuptuar Berishën. “Unë besoj se grupi parlamentar i PD duhet të ketë lirinë të vendosë i lirë pa trysni nga Berisha që e shikon PD si pronë private”, nënvizoi Basha. /Rigels Seliman/