E diel, 26 Prill, 2026

Banka e Shqipërisë ul normën bazë të interesit në 2.5%, Sejko: Inflacioni mbetet nën objektiv

Share

Këshilli Mbikqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi uljen e normës bazë të interesit nga 2.75 % në 2.5%, si dhe uljen përkatëse të normës së kredisë dhe depozitës njëditore. Vendimi i Këshillit Mbikqyrës u bë publik në një konferencë për mediat nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

Ai tha se Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi që të reduktojë normën bazë të interesit, nga niveli 2.75% në nivelin 2.50%; të reduktojë normën e interesit të kredisë njëditore, nga niveli 3.75% në nivelin 3.50%, të reduktojë normën e interesit të depozitës njëditore, nga niveli 1.75% në nivelin 1.50%.

Këshilli Mbikëqyrës gjykon se kjo vendimmarrje krijon kushte monetare më të përshtatshme për kthimin e qëndrueshëm dhe në kohë të inflacionit, në objektiv.

Në vijim Sejko theksoi se kjo rikonfirmon angazhimin tonë për kthimin e inflacionit në objektiv në një kohë sa më të shkurtër, si dhe krijon kushte më akomoduese monetare për rritjen e kreditimit dhe stabilitetin e kursit të këmbimit.

“Kjo lëvizje është në linjë me komunikimet tona të mëparshme për të ndjekur një politikë monetare fleksibël, të bazuar në të dhënat e reja, si dhe është konsistente me kahun lehtësues të politikës monetare të ndjekur nga Banka Qendrore Evropiane”, theksoi Guvernatori.

Sipas tij, ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet në mënyrë të qëndrueshme, me një zgjerim prej 3.4% në tremujorin e parë, rritje të konsumit dhe investimeve, si dhe përmirësim të tregut të punës.

Inflacioni ka mbetur në nivele të ulëta mesatarisht 2.3% në muajt prill-maj ndikuar nga çmime të qëndrueshme të mallrave dhe presione të dobëta të importit.

Guvernatori theksoi se rreziqet nga mjedisi i jashtëm, përfshirë tensionet gjeopolitike dhe dobësimin e ekonomisë globale, kërkojnë një politikë monetare fleksibël dhe të kujdesshme.

“Sipas të dhënave të Instat-it, vëllimi i aktivitetit ekonomik u rrit me 3.4% në tremujorin e parë të vitit. Kjo rritje ishte me bazë të gjerë dhe u mbështet nga zgjerimi i konsumit, investimeve dhe kërkesës së huaj. Ky profil kërkese nxiti rritjen e aktivitetit ekonomik në sektorët e ndërtimit dhe të shërbimeve, ndërkohë që sektorët e industrisë dhe të bujqësisë vijuan të shfaqin tendenca tkurrëse.

Rritja ekonomike u shoqërua me përmirësim të mëtejshëm të tregut të punës dhe të të ardhurave të familjeve. Punësimi në sektorin jobujqësor vijoi të rritet, norma e papunësisë zbriti në 8.7%, ndërsa rritja e pagave u përshpejtua në 9.6% gjatë tremujorit të parë të vitit.

Ecuria e tregut të punës sugjeron se rritja ekonomike po shoqërohet me rritje të të ardhurave të familjeve shqiptare, por ajo vijon të mbetet një faktor rreziku për rritjen e kostove të prodhimit dhe të inflacionit në të ardhmen”, tha Sejko.

Banka e Shqipërisë parashikon që inflacioni të rikthehet në objektivin 3% në fillim të vitit 2026, i nxitur nga rritja e brendshme dhe stabiliteti financiar.

Sejko theksoi se ulja e normës së interesit është në përputhje me strategjinë e Bankës për të ruajtur stabilitetin e çmimeve dhe për të stimuluar më tej kreditimin, pa kompromentuar stabilitetin financiar.

Te tjera

Lajme te tjera