Në mbledhjen e Komitetit të Përbashkët Ekzekutiv për kuadrin e bashkëpunimit mes Qeverisë së Shqipërisë dhe Kombeve të Bashkuara u vlerësua përmbushja e objektivave të kornizës 2022–2026 dhe rezultatet e arritura deri më tani.
Zëvendëskryeministrja dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku, theksoi se ndërsa 2026 shënon vitin përmbyllës të programit aktual, tashmë ka nisur puna për përgatitjen e kornizës së re 2027–2031.
“Ky bashkëpunim do të përqendrohet në forcimin e kapitalit njerëzor, nxitjen e rritjes së qëndrueshme dhe konsolidimin e institucioneve demokratike”, deklaroi Balluku.
Sipas Ballukut, qeveria e Shqipërisë dhe partnerët e OKB-së riafirmuan angazhimin për të vijuar punën e përbashkët drejt një Shqipërie më moderne, më të fortë dhe më afër Bashkimit Europian, duke u mbështetur në përvojat dhe mësimet e nxjerra nga korniza aktuale.
Balluku nënvizoi se rezultatet e deritanishme tregojnë një avancim të dukshëm në kapacitetet institucionale, implementimin e politikave sociale dhe ekonomike, si dhe mbështetjen e projekteve të qëndrueshme që fuqizojnë komunitetet lokale dhe rrisin mirëqenien e qytetarëve.
