E diel, 20 Prill, 2025

Ballkani i Hapur, një pirg fekalesh ku mbajnë leksione misionarët e Serbisë dhe Rusisë

Share

Nisma e Ballkanit të Hapur e mbajtur në Maqedoni ishte fund i një show room, ku spikaste sharmi fshataresk dhe butaforik i ca kryeministrave autokratë që dominojnë rajonin. Ky aktivitet  vanitoz dhe i shpëlarë, jo vetëm që nuk solli asgjë të re në këtë lëvizje boshe dhe pa fit back për asnjë nga shtetet pjesëmarrëse, por u shndërrua në një kumtesë butaforike liderësh me përmbajtje propagandistike për interesat e Serbisë dhe Rusisë.

Samiti i Ohrit u mbajt në një atmosferë të nderë pas deklaratës së Lavrov mbi pronësinë e Ballkanit të Hapur nga pala ruse. Aq të lartë e kishte intensitetin e goditjes kjo iniciativë nga deklarata ruse, sa i gjithë samiti u përqendrua në fjalimet boshe të Edi Ramës dhe falënderimet e Vuçic, por në asnjë mënyrë nuk u përmend i ndjeri Ballkan i Hapur rus i pushkatuar nga Lavrov një ditë më parë. Të gjithë kalonin tangent pa dhënë një përgjigje shteruese mbi deklaratat e Lavrov, megjithëse patën plot tre ditë kohë të ishin të përgatitur për ta sqaruar,  nëse ishte Rusia kumbari i Ballkanit të Hapur, apo nuk ishte. Kryeministri shqiptar në kuadër të broçkullave të thëna në delir, u mjaftua me zë të mekur të akuzonte Lavrovin si “peshkaqen”, pa u zgjatur më shumë në sqarime që të nxisnin reagimin e “peshkaqenit Lavrov” për të nxjerrë ndonjë sekret tjetër të Edi Ramës në raport me lidhjet e tij me Rusinë.  Megjithëse propaganda agresive e Edi Ramës nëpërmjet ministrit të tij të propagandës “gebelsian”, Fuga u mundua ta paraqiste sukses të jashtëzakonshëm samitin e Ohrit, duke orientuar në mënyrë  ekzemplare të gjithë spektrin mediatik sipas orientimit qeveritar, duke e konsideruar pjesëmarrjen e Malit të Zi dhe Bosnjës si pjesë e Ballkanit të Hapur, ndërkohë që të dy kryeministrat e këtyre shteteve nuk pranuan të jenë pjesë e kësaj sofre me komandë serbe dhe ruse. Megjithëse  propaganda “gëbelsiane ala fugiane” u mundua të paraqiste si një miratim amerikan deklaratën e Escobar, e vërteta qëndron diametralisht në krah tjetër. SHBA e bëri të qartë se nuk ka Ballkan të Hapur pa Kosovën dhe pjesëmarrjen e 6 shteteve, por i preu rrugën çdo bashkëpunimi politik duke kërkuar që shinat e kësaj marrëveshje të shtrihen në rafsh ekonomik.

“Nisma ‘Ballkani i Hapur’ është vetëm një nga iniciativat për bashkëpunim rajonal. Ne i përkrahim të gjitha iniciativat ekonomike që e afrojnë rajonin, promovojnë paqe dhe stabilitet mes shteteve të Ballkanit Perëndimor. Besojmë se nëse ka ndonjë sukses duhet të jetë e hapur për të gjithë, secila iniciativë për integrim ekonomik duhet t’i përfshinë gjitha gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor në nivel të njëjtë”, u shpreh Escobar, duke ju qartësuar bejlerëve të Ballkanit se  për SHBA kjo iniciativë është nul pa Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinën.

Protagonizmi i Edi Ramës për të qenë bashkëproducent i Ballkanit të Hapur me serbin Vuçiç, duke anashkaluar Kosovën, për më shumë, duke e përbuzur si arkaike dhe me qëndrime aspak koherente ishte ushqimi më helmatisës i kësaj megaafere antishqiptare. Të marrësh role paternaliste duke përbuzur gjysmën e kombit tënd nuk ka gjë më të shëmtuar dhe disgustoze. Batutat demode të Edi Ramës në këtë samit me nuse dhe burrë, duke u ngrehur si gjeli në majë të fekales që quhet Ballkan i Hapur, për të sharë BE, Bullgarinë dhë përbuzur Kosovën tregojnë qartë dizekuilibrin e këtij personazhi.

“Duke qenë burri dhe burrë më gjithë këto probleme dhe me gjithë këto histori, “ke qënë atje, ke vrarë këtë, atje ke therur këtë, këtu ke hedhur në erë këtë”, është problem i madh, por ne e kemi shumë të qartë rrugën tonë, ne do ta ndërtojmë Evropën këtu”, deklaroi Edi Rama në fjalën e tij, duke sfiduar Kosovën dhe duke përmendur gjenocidin serb mbi popullsinë shqiptare.

Vdekjet e mijëra kosovarëve, shpërnguljet masive të tyre nga shtëpitë, pronat dhe jeta e tyre nga pala serbe nuk janë një histori që anashkalohen as me samitet e Edi Ramës dhe as me një fjalë goje. Për Edi Ramën janë një fjalë goje vrasjet masive të fëmijëve, grave dhe burrave nga ana e serbëve në Kosovë, por për mbarë kombin është pika më e errët e kontaktit me këtë entitet barbar që përfaqësohet nga Vuçic në samitet me shqiptarët.

Nëse europianët e kanë bërë të qartë se pa njohur Kosovën nuk ka Serbi në BE, nuk mund të dalë një farë burri si Edi Rama dhe të hapë një portë tjetër për Serbinë që të konkurrojë vendimet e BE. Shqipëria duhet të jetë e vendosur të jetë në krahë të Kosovës përballë Serbisë dhe jo të krijojë xhepa që çojnë ujë në “mullinjtë”   serbë dhe rusë.

Kryeministri shqiptar përcolli një mesazh të qartë antishqiptar dhe antievropian në qebaptoren e Ohrit. Ai nuk tha asgjë më shumë dhe më pak nga ajo ç’ka deklaroi Lavrov në deklaratën e tij në mediat serbe, ku tha qartë se Brukseli nuk do Ballkanin e Hapur por Ballkanin e Mbyllur. Përrallat me nuse, dasma dhe burra, si dhe gjuha e urrejtjes ndaj BE nga ana e Edi Ramës ishin zbërthimi programatik që kryeministri shqiptar i bëri sentencës të kryediplomatit rus.

Nëse Edi Rama do të vazhdojë të luajë me ndjenjat e një kombi të tërë shqiptar me bashkëpunimet pa kushte me përfaqësuesit e një kombi shfarosës, kjo do jetë një nga tradhëtitë më të jashtëzakonshme që një udhëheqës mund ti bëjë kombit të tij nën gjurmët e Esat Pashë Toptanit. Për kaq sa ka bërë Edi Ramës i duhen mbyllur dyert e Kosovës në jetë të jetëve, pasi ka luajtur me armikun më të madh të shqiptarëve në kurriz të tyre.   

Te tjera

Lajme te tjera