E mërkurë, 22 Janar, 2025

Autoriteti i Dosjeve nxjerr Metën spiun të ish-Sigurimit, thirrje Kuvendit të nis verifikimet, e-maili u shkoi edhe ambasadave, dosja e ish-presidentit shkon në mbi 140 faqe

Share

Autoriteti i Dosjeve konfirmoi se politikani i nivelit të lartë që rezulton si pjesë e dosjeve të Sigurimit të Shtetit në kohën e komunizmit është Ilir Meta. Gazeta “SOT”, ka siguruar edhe dokumentin, ku Autoriteti njofton kryeparlamentaren Lindita Nikolla për Metën. Në dokument, Autoriteti zbulon sesi u zbulua rasti i Metës falë një denoncimi që ka shkuar në institucion. Në shkresë thuhet se Meta rezulton në dokumentet e krijuara nga strukturat e Sigurimit të Shtetit. Institucioni deklaron se ka verifikuar informacionin që ka dalë i vërtetë dhe thekson se në rast se “Nëse institucioni do të ishte në kushtet e riverifikimit të pastërtisë së figurës së shtetasit Ilir Metaj, gjë që nuk na e lejon neni 29, pika 4 e ligjit aktual, atëherë rezultatet e kërkimit do të ndryshonin.

AIDSSH thirrje Kuvendit të nisë verifikimet

Më tej në dokument, Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit thekson se emri ka dalë në një nga dosjet e Sigurimit të Shtetit. Sipas autoritetit, zyrtari i lartë është ish-presidenti Meta, sot kryetar i Partisë së Lirisë. Në këto kushte, Autoriteti i Dosjeve, kërkon ndryshimin e ligjit dhe verifikimin e politikanëve që dolën të pastër në Komisionet e ngritura në vitet ’90. Bëhet fjalë për komisionin Mezini dhe Bezhani pas 1997-ës, ku Meta ka dalë i pastër dhe është pajisur me certifikatë pastërtie. Autoriteti thekson se politikanë të lartë nuk ndëshkohen dhe ndihmohen nga klauzola se nëse e kanë kaluar filtrin e këtyre Komisioneve atëherë nuk verifikohen. Autoriteti kërkon verifikimin edhe njëherë të politikanëve. Nga ana tjetër, mësohet se dosja që ka shkuar në Kuvend,m i është dërguar nga Autoriteti edhe ambasadave të huaja të atashuara në vendin tonë. Ndërkaq, mësohet se denoncimi për Metën ka ardhur përmes një emaili. Emaili ka shkuar në adresën e Autoritetit për Informimin mbi Dosjet e Sigurimit ditën kur Meta dorëzoi simbolikisht detyrën në pallatin e Brigadave dhe në zyrën e presidentit hyri Bajram Begaj. Emaili, i cili është me IP nga Uashingtoni, i është drejtuar Autoritetit të Dosjeve, ambasadës së SHBA në Tiranë, ambasadës së BE, dhe ambasadave gjermane italiane dhe britanike.

Dosja e ish-presidentit shkon në mbi 140 faqe

Ndërkohë, gazeta ka mësuar se dokumenti i publikuar nga Autoriteti i Dosjeve është 66 faqe i gjithi dhe aty janë kryesisht vendime të marra në maj 2022. Mes këtyre vendimeve është edhe një shkresë e Autoritetit të Dosjeve, drejtuar një shtetasi me inicialet I.M, i cili në 19 shtator 2019 kishte bërë një kërkesë drejtuar këtij autoriteti në lidhje me dokumentet që gjendeshin në emër të tij në dosjet e Sigurimit të Shtetit. Sipas vendimit të Autoritetit, që mban firmën e Gentiana Sulës, Simon Mirakajt dhe Altin Hoxhës, administrata e këtij institucioni duhet të informojë shtetasin I.M, sipas kërkesës së bërë nga ana e tij, që në emrin e tij ndodhen 140 faqe dokumente dhe një dosje e hapur në emër të tij me numrin 1365. Po ashtu, pika nr.2 e vendimit cakton se shtetasit në fjalë i duhet dorëzuar kjo dosje në formatin e printuar si edhe në një CD.about:blank

Reagon Partia e Lirisë

Pas publikimit të këtij vendimi u përfol se shtetasi I.M ishte Ilir Meta. Por, kjo u mohua kategorikisht nga Sekretarja e Partisë së Lirisë për Marrëdhëniet me Publikun, e cila tha se vetë Ilir Meta nuk ka bërë një kërkesë ndaj Autoritetit të Dosjeve për të zbuluar nëse kishte dosje në emër të tij. Po ashtu, Caka theksoi se nuk ka ndonjë komunikim mes Autoritetit të Dosjeve dhe Ilir Metës që të rrjedhë nga vendimi i datës 17 maj të Autoritetit të Dosjeve, përmes të cilit Meta të merrte në dorë një kopje fizike dhe në CD të dosjeve në fjalë. Madje Caka kërkoi nga Autoriteti i Dosjeve që të zbulojnë se kush është shtetasi I.M që përmendet në vendimin në fjalë.

Autoriteti i përgjigjet Partisë së Metës

Ndërkohë Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit ka dalë me një njoftim zyrtar pas deklaratës së bërë më herët nga Partia e Lirisë, ku kërkohej që të sqarohej nga ky institucion se kush është personi I.M., që përflitet se bëhet fjalë për Ilir Metën, gjë e cila mohohet. Në një reagim zyrtar, Autoriteti i Dosjeve deklaron se me të gjithë të interesuarit të ndjekin rrugën ligjore për informim, duke mohuar që të nxjerrin informacione të tjera. “Institucioni fton të gjithë të interesuarit të ndjekin rrugën ligjore për informim, bazuar në ligjin nr. 119/2014, “Për të drejtën e informimit” dhe ligjin nr. 45/2015, i ndryshuar. Të drejtën e informimit për dosje të ish-Sigurimit të Shtetit mund ta ushtrojë çdo palë e prekur apo e përmendur. Autoriteti verifikon me përgjegjësi profesionale çdo pretendim mbi materiale të referuara apo kërkuara. Aktualisht, institucioni po trajton për përgjigje kërkesat për informim mbi njoftimin e datës 26 korrik”, shkruhet ndër të tjera.

Te tjera

Lajme te tjera