Ka përfunduar me shtatë ndeshjet e mbrëmjes, së kësaj të mërkure, xhiro e dytë e fazës së parë të UEFA Champions League, me disa prej pretendentëve për trofeun e madh që kanë zhgënjyer jo pak në transfertat e tyre, duke pësuar humbjet e para të sezonit.
Kështu, Bajerni i Mynihut ka dalë “kokëulur” nga transferta e “Villa Park”, me skuadrën e Aston Vilën, që përsëriti suksesin e finales së madhe evropiane të viti 1982, duke mundur sërish me rezultatin minimal, 1-0, “gjigantët” e futbollit gjerman, këtë herë me golin e talentit kolumbian, Xhon Duran, me 20-vjeçarin, që dërgoi topin në rrjetë në minutën e 79.
Humbje të madhe pësuan edhe “Galaktikët” e Realit të Madridir, me djemtë e Karlo Ançelotit, që zhgënjyen totalisht në transfertën e Lilës, me francezët që iu falën penalltisë së shënuar nga Xhonatan Devid në fundin e pjesës së parë, për të siguruar fitoren “magjike”.
Të turpëruar totalisht mund të quhen Atletiko e Madridit, me “bardhekuqtë” e Diego Simeones, që pësuan katër gola në “Estadio da Luz”, kundër “Shqiponjave” të Benfikës, ku për portugezët shënuan Akturkoglu, Di Maria, Bah e Kokcu, në minutat 13, 52, 75 e 84.
Spektakël dhuroi edhe Juventusi, me “Zonjën e Vjetër”, që triumfoi në transfertën gjermave të Lajpcigut, edhe pse qendroi për rreth 40 minuta me 10 lojtarë në fushë, pas daljes me kartonin e kuq të Di Gregorio.
Në fitoren spektakolare, 3-2, të bardhezinjve shkëlqyen “yjet” ballkanas, me sllovenin Benxhamin Sesko, i cili shënoi një dopietë për skuadrën e tij në minutat 30 e 65, ndërsa “bomberi” serb, Dushan Vlahoviç barazoi dy herë shifrat në minutat 50 e 68, për t’i lënë vendin “qershisë mbi tortë”, golit të Françisko Konseisaos, gol që i dhuroi fitoren e radhës djemve të Tiago Motës.
Ndërkaq, në sfidat e tjera, Liverpuli fitoi 2-0 në “Anfield Road” ndaj Bolonjës, me gola të Mek Allister e Mohamed Salah, Klub Bryzh triumfoi transfertën austrike të Shtrum Grac falë rrjetës së Tzolis, ndërsa Dinamo e Zagrebit e Monaco u ndanë në barazimin 2-2, pas golave të Suçiç e Baturina për kroatët dhe Salisu e Zakaria për francezët.