E diel, 15 Nëntor, 2026

Asambleja e PS/ Rama mbyll dyert për lëvizjet politike: Mbron Ballukun, “fal” Veliajn, godet Spiropalin, sulmon protestuesit dhe vë në “gjumë” socialistët

Share

Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste, e mbledhur këtë të shtunë në Gjirin e Lalzit, nisi me dyer të mbyllura, vijoi me ndryshime në drejtimin politik të Tiranës dhe përfundoi me një fjalim të gjatë të kryeministrit Edi Rama, ku nuk munguan sulmet ndaj protestuesve, pretendimet për ndërhyrje të huaja dhe përpjekjet për të mbrojtur bilancin e qeverisjes.

Që në hapje, Rama kërkoi fikjen e kamerave, duke sqaruar se fillimisht kishte disa fjalë vetëm për socialistët. Dhe pikërisht larg syrit të publikut u diskutuan disa prej çështjeve më të rëndësishme të partisë.

Në drejtimin politik të qarkut të Tiranës u vendosën Ervin Demo dhe Albana Koçiu, duke zëvendësuar Ogerta Manastirliun. Ndërkohë, sipas burimeve nga mbledhja, Rama kërkoi që përjashtimi i Elisa Spiropalit të kalonte për votim formal. Në diskutimet e brendshme u përmend edhe Erion Veliaj, për të cilin kryeministri mësohet të ketë deklaruar se nuk mund të ndiqej e njëjta rrugë, pasi “i ka duart e lidhura”.

Pas sistemimit të punëve të brendshme, kamerat u ndezën sërish dhe Rama iu rikthye publikut me një fjalim afro njëorësh. Një pjesë e konsiderueshme e tij iu kushtua arritjeve të qeverisë dhe integrimit evropian, ndërsa atmosfera në sallë dukej larg entuziazmit që zakonisht shoqëron aktivitetet e socialistëve. Fytyra serioze, vështrime të ulura dhe një publik i heshtur krijonin kontrast me retorikën e kryeministrit për sukseset e qeverisjes.

Por një nga pamjet më domethënëse të Asamblesë ishte ajo e Belinda Ballukut. Ish-zëvendëskryeministrja, nën hetim nga SPAK për çështje që lidhen me tenderët publikë, ishte ulur në rreshtin e parë, mes Taulant Ballës dhe Ulsi Manjës. Një vend i privilegjuar politikisht, që tregonte se problemet me drejtësinë nuk përkthehen domosdoshmërisht në distancim brenda familjes socialiste.

Vetë Rama mohoi se kishte dalë në mbrojtje të Ballukut, duke sfiduar kritikët të gjenin një deklaratë të tij në favor të saj. Megjithatë, ky qëndrim bie ndesh me një fakt politik që nuk mund të anashkalohet, më 12 mars 2026, mazhoranca socialiste rrëzoi me votë kërkesën e SPAK për autorizimin e arrestimit të saj. Me 82 vota, Kuvendi nuk i hapi rrugë masës së kërkuar nga Prokuroria e Posaçme.

Në përpjekje për të krijuar një kontrast dhe për të relativizuar mbështetjen politike ndaj figurave të PS-së që kanë probleme me SPAK, Rama bëri një krahasim mes Erion Veliajt dhe Belinda Ballukut. Kryeministri pretendoi se kishte dalë në mbrojtje të Veliajt përballë drejtësisë, por jo të Ballukut. Megjithëse këtë tëfundit e mban akoma në rreshtin e parë të partisë, ndërsa kryebashkiakun e degdis sa në burgun e Durrësit, tek ai i Fierit.

Një pjesë tjetër e fjalimit iu kushtua protestave kundër qeverisë. Rama foli për gurë të shkulur nga bulevardi, molotovë, “sorra dhe korba”, madje edhe për “duar të huaja”, pa paraqitur në fjalimin e cituar prova konkrete për këtë të fundit. Kërkesat për dorëheqjen e tij i cilësoi iluzione, ndërsa akuzat për dhunë policore i përmblodhi me shprehjen “legjendë urbane”.

Megjithatë, kryeministri pranoi se mes protestuesve kishte mijëra qytetarë me shqetësime reale dhe pritshmëri të larta. Për këtë arsye, u kërkoi socialistëve të zbresin në çdo lagje e fshat për të folur me njerëzit dhe për të dëgjuar pakënaqësitë e tyre. Pas gjithë atyre viteve në pushtet, duket se Rama po rizbulon rëndësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët.

Në fund, Asambleja prodhoi ndryshime emrash, mesazhe për disiplinë partiake dhe një tjetër fjalim ku Rama mbrojti qeverisjen e tij përballë kritikave. Por pyetjet mbi përgjegjësinë politike, raportin me drejtësinë dhe pakënaqësinë qytetare mbetën pa përgjigje bindëse.

Kamerat u fikën për vendimet e brendshme dhe u ndezën për fjalimin e kryeministrit. Ndërsa socialistët dëgjuan edhe një herë historinë e sukseseve të qeverisë, problemet që e shoqërojnë atë mbetën po aty, në rreshtin e parë të Asamblesë.

Te tjera

Lajme te tjera