Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ngriti akuza për trafik të dyshuar armësh dhe përfshirjen e bizneseve private në operacione ndërkombëtare, gjatë një interviste në emisionin “Minuta e Parë” në News24.
Ahmetaj i bëri thirrje SPAK-ut të hetojë pretendimet që lidhen me prodhimin dhe tregtimin e armëve. Ai kërkoi të verifikohet se në cilat fabrika zhvillohet aktiviteti, çfarë lloj armatimi tregtohet dhe nëse në këto operacione përfshihen armë me origjinë nga vende ndaj të cilave janë vendosur embargo ndërkombëtare.
Ish-zëvendëskryeministri ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi licencat dhe dokumentacionin shtetëror që shoqëron dërgesat. Ai kërkoi të sqarohet nëse armatimi pajiset me dokumentacion dhe vulat zyrtare të Republikës së Shqipërisë dhe nëse aktivitetet zhvillohen në dijeni të strukturave të NATO-s.
Duke iu referuar përgjimeve të bëra publike, Ahmetaj pretendoi se në to diskutohet për transportimin e armëve nga vende që ndodhen nën embargo të Bashkimit Evropian apo organizatave të tjera ndërkombëtare.
Sipas pretendimit të tij, armatimi sillet dhe paketohet në territorin shqiptar, për t’u paraqitur më pas si produkt me origjinë shqiptare dhe për të shmangur kontrollet ndërkombëtare.
Ahmetaj e cilësoi këtë si një skemë që, sipas tij, synon përfitime prej qindra milionë eurosh ose dollarësh. Ai iu referua në këtë kontekst edhe biznesmenit Roni Yeffet dhe përgjimeve të publikuara.
