-Zonja Dhima, jemi në kulmin e sezonit turistik dhe ju jeni deputete e PS në qark, ku ky sektor është mjaft i përhapur. Si paraqitet situata, pasi shohim në media që turizmi është në krizë dhe turistët kanë braktisur Fierin dhe gjithë rajonin e jugut?
Qarku i Fierit ka një vijë bregdetare e cila në gjithë gjatësinë e saj përshkon dy prej gjashtë bashkive të tij, atë të Fierit dhe të Divjakës, ku ofrohet mundësia e plazheve familjare kryesisht ditore, e plazheve të virgjëra, me hapësira pafund, me ujëra të ngrohta, me një rërë fantastike e kurative si dhe me hijet e pishave. Për të gjitha këto cilësi dhe mundësive që të ofrojnë këto plazhe gjatë këtij sezoni ato janë frekuentuar jo vetëm nga ana e pushuesve të Qarkut Fier. Në opinionin Tim nuk është aspak e vërtetë që plazhet në Qarkun e Fierit dhe në gjithë rajonin e jugut janë braktisur. Faktet dhe statistikat e deklaruara nga institucionet përgjegjëse për numrin e vizitorëve si dhe turistëve të cilët kanë ardhur në Shqipëri nga vende të ndryshme si : Gjermania, Italia, Belgjika, Amerika, Kanadaja, Franca, Polonia, Kroacia, Maqedonia, Kosova etj …tregon se numri i tyre është më i lartë se vitin e kaluar. Kanë qenë mediat dhe vizitorë nga vende të ndryshme ata që vijojnë të vizitojnë dhe promovojnë rivierën e bukur shqiptare, perlat e natyrës shqiptare,florën dhe faunën. Janë pikërisht ata turistë dhe vizitorë të cilët shprehen se, do të rikthehen përsëri këtu, pasi ata vlerësojnë natyrën, pastërtinë, sigurinë në plazhe, hotelet si dhe çmimet e arsyeshme. Po kështu ata shprehen se janë të shumta vendet dhe të shumta arsyet të cilat renditen si domosdoshmëri për të vizituar jo vetëm plazhet tona po edhe për të njohur historinë dhe kulturën e popullit shqiptarë.
Çfarë ka bërë Partia Socialiste për t’i ardhur në ndihmë turizmit fierak?
Partia Socialiste është në mandatin e saj të tretë dhe për ti ardhur në ndihmë turizmit dhe jo vetëm, me politikat, programet dhe strategjitë e miratuara ka punuar fortë në të gjithë territorin e vendit për përmirësimin e infrastrukturës rrugore, shëndetësore, furnizimit me ujë , kanalizimeve të ujërave të zeza, pastrimit të territorit të cilën e ka patur prioritet , dezinfektimit të ambienteve në plazhe si dhe përmirësimit të situatës së furnizimit me energji elektrike. Edhe në Qarkun e Fierit falë mbështetjes financiare të qeverisë, vëmendjes dhe kujdesit të shtuar të kryeministrit Rama si dhe angazhimit të institucioneve të vetëqeverisjes vendore janë bërë përmirësime të dukshme në zhvillimin e turizmit bregdetarë, historik dhe atij kulturorë. Jemi të gjithë koshient se kemi akoma punë për të bërë në drejtim të mbështetjes dhe promovimit të turizmit në Shqipëri, po nuk duhet të harrojmë se kemi patur dhe probleme për të cilat ka qenë vullneti i kësaj maxhorance dhe i kryeministrit Rama që së bashku kemi arritur të kalojmë dhe përballojmë me sukses dy ngjarje shumë të rënda atë të tërmetit dhe pandemisë dhe njëkohësisht po punojmë fort për të zbutur sadopak problemet e krijuara në ekonomi nga agresioni Rus në Ukrainë.
-Qarku i Fierit është edhe një ndër zonat ku është përqendruar thuajse shumica e sektorit të bujqësisë dhe blegtorisë në vend. Si ka qenë ky vit dhe sa qëndrojnë akuzat e opozitës se qeveria ka braktisur fermerët, duke mos i mbështetur? Këtu e kam fjalën për subvencionin e naftës dhe aksesorëve të tjerë jetik që nevojiten për këtë sektor?
Bujqësia ka bënë dhe mbetet një nga prioritetet e qeverisë shqiptare dhe kryeministrit Rama dhe fermerët asnjëherë nuk janë braktisur dhe nuk do braktisen nga ana jonë. Shifrat dhe faktet kanë treguar se bujqësia është një nga sektorët kryesorë i cili jep një kontribut të ndjeshëm në Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe njëkohësisht në punësimin e një pjese të konsiderueshme të forcës së përgjithshme të punës dhe këtë e vërtetuam më shumë në kohën e pandemisë. Nëse do i referohemi të dhënave zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Qarku Fier përbën rreth 21.46% të sipërfaqes totale për vitin 2021 të mbjellë në shkallë vendi.
- 7,503.3 ha sipërfaqe e kultivuar me perimeve në vitin 2021 ose 22.39 % e totalit në shkallë vendi, me rritje prej +22.8% nga viti 2013 (6,111 ha në vitin 2013).
- 541,792 ton perime prodhuar në vitin 2021, ose 40.49% e totalit në shkallë vendi, me rritje +96.9% nga viti 2013 (275,127.96 ton në vitin 2013).
- 5,723 ton luleshtrydhe të prodhuara në vitin 2021.
- 60 pika grumbullimi në qarkun Fier, prej të cilave 19 në Bashkinë Lushnje, 16 në Bashkinë Divjakë, 15 në Bashkinë Roskovec dhe 10 në Bashkinë Fier për grumbullim, përpunim, import – eksport fruta perime (sipas të dhënave administrative nga AREB-et).
- 26.89% e numrit aktual të fermerëve aktiv të pajisur me NIPT nga Tatimet janë në qarkun Fier (22,322 fermerë me NIPT dt:12.7.2022).
Financimet tek fermerët në vitet 2013-2021:
- 1 mld lekë pagesa direkte për 16,932 fermerë në qarkun Fier.
- 62 investime me vlerë 900 mln lekë, ose 7.4 mln euro nga Skema Kombëtare (Buxhet Shteti) në qarkun Fier. 26 prej të cilave për grumbullim, linja përpunimi, ambiente frigoriferike, 20 Serra, 4 Makineri dhe pajisje, 1 Pulari, 11 Stalla.
- 104 investime nga IPARD II me vlerë investimi rreth 5.48 mld lekë (44 mln euro) dhe vlerë granti 3.14 mld lekë (rreth 25.3 mln euro), nga të cilat 80 investime ‘’Masa 1”, 21 investime “Masa 3”, 3 investime “Masa 7”.
- 5,188 përfitues të Qarkut Fier nga Skema e Naftës në vitin 2021 (rreth 1,272 mijë litra naftë).
- 7568 aplikime nafte të miratuara për vitin 2022, me 2,033,980 litra naftë.
- 1720 aplikime në Skemat Kombëtare të vitit 2022, nga të cilat 407 përfitues deri tani me një vlerë: 77, 280, 900 lekë.
- Nga 407 përfitues të vitit 2022- 131 kanë përfituar mbështetje për fara fidane dhe inpute të tjera (19 522 900 lekë), 1 ka përfituar mbështetje për bimë mjekësore dhe aromatike (426 000 lekë), 1 ka përfituar mbështetje për fermën organike (200 000 lekë), 197 kanë përfituar mbështetje për tufën bazë të matrikulluar (47 542 000 lekë) dhe 77 kanë përfituar mbështetje për mbarështim Bletarie (9 590 000 lekë).
- Në periudhën 2013-2021 është përmirësuar infrastruktura e ujitjes, kullimit dhe mbrojtjes nga përmbytja, duke financuar rreth 7,198.4 mln lekë në 81 investime, nga të cilat është shtuar sipërfaqja e ujitshme me infrastrukturë të rehabilituar dhe përmirësuar me rreth 59,000 ha, rehabilituar/ndërtuar rreth 23 km argjinatura mbrojtëse në lumenj.
- 5,558.7 mln lekë investime për Ujitje në 42 projekte.
- 640.9 mln lekë investime në 5 Diga (digat, Thanë, Divjakë, Kurjan-Strum dhe Zharrëz).
- 226.2 min lekë investime në hidrovore 7 projekte (hidrovori Divjakë dhe Karavasta, vazhdim) .
- 523.8 mln lekë për Mbrojtje nga përmbytja në 15 projekte.
- 248.8 mln lekë për blerje të 12 eskavatorëve.
- Gjatë 2021, ndërhyrje për rehabilitimin e infrastrukturës së ujitjes në Çorrush të Mallakastrës, në Degën e Martinës në Fier dhe në Bitaj të Lushnjes.
- Mbrojtje nga përmbytja nga lumi Seman në Zhelizhan dhe Toshkës, në Lushnje dhe mbrojtje nga lumi Vjosa në Kut të Mallakastrës.
- Rehabilitimi i plotë i hidrovorit të Divjakës dhe faza e parë e hidrovorit të Karavastas.
Janë parashikuar për vitin 2022 rreth 228 mln lekë:
- Përfundimi i rehabiltimit të hidrovorit të Karavastas me vlerë 198 milion lekë,
- Mbrojtje nga lumi Vjosa ne Kafaraj, të Fierit (faza e pare), me vlerë 30 milion lekë (vazhdon në 2023).
–Le të dalim pak nga situata social-ekonomike dhe le të përqendrohemi tek fusha politike. Sot Shqipëria ka një president të ri dhe ai është Bajram Begaj. Pse PS zgjodhi pikërisht Begajn, në një kohë që Shqipëria dhe madje Partia Socialiste ka në radhët e saj mjaft figura të spikatura, njëra prej të cilave mund të ishte propozuar për President të Republikës së Shqipërisë?
Partia Socialiste e Shqipërisë përmes komisionit të posaçëm të zgjedhur e mandatuar për të komunikuar me palët e tjera në Parlament apo për të hapur një kanal komunikimi me përfaqësuesit e shoqërisë civile në Kuvend, ka zhvilluar një proces të hapur dhe transparent mes vetes dhe grupeve të interesit për zgjedhjen e presidentit të ri të Republikës së Shqipërisë. Kandidaturat e propozuara ishin ndarë në 3 grupe, ku grupi i parë përfshinte kandidaturat e të vetëpropozuarve në grup, grupi i dytë përfshinte kandidaturat që nuk ishin anëtarë të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, por që kanë një kontribut domethënës në jetën politike të Partisë Socialiste dhe grupi i tretë ishin 26 kandidatura, gra dhe burra të nderuar me profile të ndryshme publike apo akademike, si dhe profile që vinin nga drejtime të tjera politike. Kandidaturat u diskutuan në mbledhjen e kryesisë së Partisë Socialiste ku u përjashtuan blloku i dy grupeve të para të kandidaturave të cilat përfshinin gra dhe burra shumë të nderuar të cilët i përkisnin familjes sonë politike dhe që kanë patur e kanë një aktivitet politik të gjatë në Partinë Socialiste. Vendimmarrja e dakordësuar nga strukturat drejtuese ishte që kandidati i ri për president të ishte përtej vetes, duke përzgjedhur një kryetar shteti pa karrierë politike në Partinë Socialiste i cili të rrezatonte qytetari, normalitet dhe mirësi për të cilën kanë nevojë qytetarët shqiptarë. Kandidatura e zotit Barjam Begaj ishte kandidatura e cila u përzgjodh, u mbështet dhe u votua për të qenë presidenti i ri i Republikë së Shqipërisë i cili beson te puna, beson te merita, beson te integriteti, beson te respekti për njerëzit dhe te dashuria për vendin.
-A mendoni se Begaj do ta kryej më mirë detyrën e Kreut të Shtetit se Ilir Meta, me të cilin ju si mazhorancë socialiste keni pasur përplasje të forta vitet e fundit?
Personalisht si ish-ushtarake e kam mbështetur dhe votuar zotin Begaj në detyrën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Duke u nisur nga kontributi dhe karriera e zotit Begaj si dhe vlerësimi maksimal që unë kam për profesionalizmin, përgjegjshmërinë, seriozitetin, integritet e lartë dhe përkushtimin e treguar në detyrën e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura jam e bindur dhe besimplotë se këto cilësi janë një garanci shumë e madhe për ta kryer me nder dhe përgjegjshmëri të lartë detyrën e Presidentit të Republikës. Jam e sigurtë se zoti Begaj në respekt të qytetarëve shqiptarë dhe në respekt të institucioneve shqiptare do jetë garant i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
-Ish-Presidenti Ilir Meta, është atashuar tashmë në politikë dhe ka marrë drejtimin e ish-LSI që tashmë quhet Partia e Lirisë. Si ju duket ky vendim i Metës dhe ju si PS u kapët në befasi?
Është e drejtë e gjithkujt të krijojë parti politike, ti bashkohet një partie politike si dhe të ndryshojë emrin e një partie politike, edhe pse zoti Meta me qëndrimet dhe veprimet e Tij nuk është larguar asnjëherë nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Partia Socialiste e Shqipërisë as është kapur dhe as kapet në befasi, me krijimin e partive të ndryshme politike qoftë edhe Partisë së Lirisë, pasi ajo është një parti që është krijuar prej 30 vitesh, ka historikun e saj, ka eksperiencat e saj në qeverisje , ka vlerësimet e saj nga institucione të ndryshme, ka kontributet e saj në ndërtimin e institucioneve dhe shtetit ligjorë, ka elektoratin e saj i cili e ka besuar dhe votuar për një mandat të tretë qeverisës si dhe është e vetmja forcë politike moderne në Shqipëri që është pjesë e të majtës Europiane. Gjithashtu Partia Socialiste gjatë rrugëtimit të saj në gjithë këto vite ndryshe nga partitë e tjera politike ka ditur ta ruaj me fanatizëm karakterin demokratik si dhe natyrën e saj reformiste.
-Ilir Meta është vënë në qendër të një skandali. Sipas Autoritetit të Dosjeve dyshohet se ai ka qenë Spiun i ish-Sigurimit të Shtetit. Vetë Meta është përpjekur ta injorojë ekzistencën e këtij lajmi, ndërkohë që akuzon se është sajes e gatuar nga Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama, i cili gjithashtu reagoi për këtë çështje dhe ftoi ish-presidentin të bëjë transparencë. Keni një koment?
Është Autoriteti i Informimit mbi Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, institucioni përgjegjës i cili duhet të zbardhë ekzistencën ose jo të këtij lajmi, ndërsa Kuvendi i Shqipërisë ka për detyrë dhe detyrim të votojë ndryshimet e kërkuara nga vetë autoriteti. Me miratimin e ndryshimeve patjetër që do të hapet rruga për një hetim të plotë jo vetëm të bashkëpunëtorit me inicialet I. M por edhe të bashkëpunëtorëve të tjerë të cilët deri tani kanë penetruar dhe kanë fshehur identitetin e tyre.
-Nga ana tjetër edhe ish-kryeministri Sali Berisha i ka shpallur “Luftë” Partisë Socialiste. Ai kam marrë drejtimin e PD dhe ka premtuar bashkimin e forcave me Ilir Metën, me qëllim rrëzimin e qeverisë përmes protestave dhe revoltave. Si ju duken këto deklarata?
Ish-kryeministri Sali Berisha nuk është larguar asnjëherë nga Ish-presidenti Meta pasi ata kanë bashkëpunuar me njëri-tjetrin, pasi kanë të njëjtin hall dhe të njëjtin siklet, zbatimin e reformës në drejtësi e cila po ecën në rrugën e duhur dhe që do çoj para drejtësisë çdokënd që ka abuzuar me ligjin dhe me pushtetin. Protesta është shprehje e thelbit të demokracisë dhe çdo person gëzon të drejtën për të organizuar tubime, protesta dhe demonstrata, si dhe ka të drejtën për të marrë pjesë në to. Mazhoranca qeverisëse do të vijojë të qeverisi e vetme pasi ka marrë besimin dhe mbështetjen e shumicës së qytetarëve shqiptarë, të cilët na kanë votuar e besuar dhe sigurisht që opozita ta harrojë marrjen e pushtetit me dhunë. Dihet nga të gjithë se pushteti merret me votën e lirë të qytetarëve dhe opozita të pres verdiktin e SOVRANIT në zgjedhjet e radhës në vitin 2025. Partia Socialiste e Shqipërisë dhe mazhoranca qeverisëse është duke punuar fortë në të gjithë sektorët e ekonomisë duke përmbushur kështu programin e saj qeverisës si dhe ka filluar me organizimin e punës në territore për fitoren e radhës në zgjedhjet e pushtetit vendorë në vitin 2023.
-Pak javë më parë, mori fund odiseja e integrimit evropian, pasi Brukseli më në fund i hapi negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Europian. A është gati Shqipëria për t’iu çelur negociatat, pasi opozita pretendon se Tirana zyrtare nuk ka plotësuar asnjë kusht?
Pritjes dhe përpjekjes shumëvjeçare që Shqipëria të nisi rrugëtimin e saj drejt familjes sonë të madhe, tashmë i ka ardhur fundi pasi traseja për në Bashkimin Europian është shtruar dhe së bashku me grupet e punës do punojmë fortë për Shqipërinë që duam. Shqipëria ja ka dalë edhe këtë herë ashtu si me pandeminë dhe me tërmetin ku askush nuk e besonte se do ja dilnim. Me mbështetjen e miqve e partnerëve tanë si dhe duke u lidhur ngushtë me shqiptarët në këtë përpjekje do punojmë fortë që ta ngjisim Shqipërinë në majën që ajo dëshiron dhe meriton.
Intervistoi: Rigels Seliman