Nga Rigels Seliman
Prej 22 ditësh, qytetarë nga e gjithë Shqipëria protestojnë kundër klasës politike që ka dominuar vendin për dekada. Pakënaqësia e tyre nuk drejtohet vetëm ndaj një emri apo një partie, por ndaj një sistemi që shumë e konsiderojnë të konsumuar dhe të shkëputur nga hallet e njerëzve. Në sheshe janë dëgjuar njëkohësisht thirrjet “Rama në burg” dhe “Berisha në burg”, të cilat tashmë janë kthyer në refren të protestuesve dhe simbol i kërkesës për përgjegjësi politike.
Disa orë përpara protestës së 20 qershorit, kryeministri Edi Rama duke folur në mbledhjen e grupit të PS, përdori si argument “algoritmin”, duke sugjeruar se rrjetet sociale krijojnë një perceptim më të madh për ngjarje të caktuara sesa pesha e tyre reale. Ironia është se kjo deklaratë u bë përpara asaj që do të rezultonte një nga protestat më të mëdha të dekadës së fundit.
Të shtunën e 20 qershorit, sheshi para Kryeministrisë nuk ishte një produkt i algoritmit. Ai ishte një det qytetarësh të ardhur nga të gjitha trevat e Shqipërisë dhe nga diaspora. Nuk ishin klikimet që mbushën bulevardin, por njerëz realë që udhëtuan me orë të tëra për të qenë të pranishëm. Nuk ishin rrjetet sociale që ngritën pankartat dhe brohoritën parullat, por qytetarë që kërkonin të dëgjoheshin.
Algoritmet mund të shpërndajnë video, të shumëfishojnë shikime dhe të rrisin jehonën e një ngjarjeje në internet. Por ato nuk organizojnë autobusë, nuk mbushin sheshe dhe nuk krijojnë vetvetiu pakënaqësi qytetare. Kur një protestë arrin përmasa të tilla, shpjegimi nuk mund të kërkohet te teknologjia, por te realiteti që e ka prodhuar atë.
Pikërisht për këtë arsye, referenca ndaj algoritmit tingëllon sot edhe më ironike. Sepse pas protestës së 20 qershorit, u bë e qartë se jehona nuk vinte vetëm nga ekranet e telefonave, por nga zëri i mijëra qytetarëve në terren. Për 22 ditë me radhë ata kanë protestuar kundër kastës politike, ndërsa këtë të shtunë treguan se pakënaqësia e tyre nuk është as virtuale dhe as e fabrikuar.
Ndoshta algoritmi mund ta përhapë mesazhin, por mesazhin nuk e krijon ai. Mesazhin e krijojnë qytetarët. Dhe kur një shesh mbushet si det nga njerëz të ardhur nga e gjithë Shqipëria dhe diaspora, atëherë problemi nuk është algoritmi. Problemi është se politika po përballet me një realitet që nuk mund ta injorojë më. Perdeja ra.
