E shtunë, 18 Prill, 2026

Alfred Cako zbulon pazaret e fshehta, dosja e “21 Janarit” mbahet e hapur nga shërbimet e huaja për të mbajtur nën kontroll Ramën dhe Berishën, ja kush mund t’i ketë urdhëruar në të vërtetë vrasjet dhe pse deputeti i PS në “grupin e zjarrit” nuk preket nga drejtësia

Share

Konspiracionisti dhe teoricieni i njohur, Alfred Cako ka hedhur dritë mbi atë që ai e quan “pazaret e fshehta të politikës shqiptare”. Sipas tij, dosja e “21 Janarit” mbetet e hapur jo vetëm për arsye juridike, por edhe si mjet presioni nga struktura ndërkombëtare që synojnë të mbajnë nën kontroll kryeministrin Edi Rama dhe ish-kryeministrin Sali Berisha. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, z. Cako ngre pikëpyetje të mëdha mbi zinxhirin e vërtetë të komandës në ato minuta tragjike dhe sugjeron se urdhërat mund të kenë ardhur jashtë strukturave zyrtare të shtetit. Ai shkon më tej duke pretenduar se një deputet i PS, i cili sipas tij ka qenë në “grupin e zjarrit”, mbetet i paprekur nga drejtësia për arsye që publiku nuk i di. Në analizën e tij, Prokuroria e Posaçme (SPAK) përdoret si instrument ekuilibrimi mes palëve politike, ndërsa hetimet selektive shërbejnë për të formësuar pazaret e reja të pushtetit. Madje për teoricienin Cako, kjo dosje nuk është thjesht çështje e së shkuarës, por levë presioni për të ardhmen. Ndërkohë ai kërkon rihapje të plotë të fakteve dhe pyet: kush kishte interes nga gjaku i asaj dite (21 janar 2011)?

-Z. Cako, tani që ish-kryeministri Sali Berisha është paraqitur në SPAK për “21 Janarin”, a mendoni se ai rrezikon realisht përballje penale – apo po përpiqet ta shesë thirrjen si sulm politik për të shmangur përgjegjësinë?

Ka 3 pole politike sot në Shqipëri: Rama, Berisha, SPAK. Mbi këta qëndrojnë 2 arbitrat, Deep State dhe Trump që punojnë të pavarur për kontrollin e tre poleve të brendshme. Në kohë të qetë, kush ju kërcënon brenda vendit pozicionin Ramës dhe Berishës, e shkatërron SPAK-u. Rama dhe Berisha po përpiqen të ndajnë mënyrën e qeverisjes për 14 vjetët e ardhshëm. Rama do dy mandatet e presidentit me 7 vjet secili, Berisha kërkon kontrollin e ekzekutivit 12 vjet ose 3 mandate, të paktën 8 vjet. Kur them Berisha nënkuptoj familjen Berisha, jo personin Berisha, i cili fizikisht mund të dalë nga loja. Në këtë pazar, Rama e Berisha mund të kenë orekse maksimale dhe këtu hyn në lojë SPAK për të ekuilibruar Berishën dhe e kërcënon me 21 janarin duke mbajtur anën e Ramës në negociatat pozitë- opozitë për Kushtetutën, Presidentin nga populli, reformën territoriale dhe atë zgjedhore.

– A duhet Sali Berisha të japë më në fund llogari për zinxhirin komandues të Gardës më 21 Janar 2011 dhe a është ky momenti kur drejtësia duhet të tregojë nëse është apo jo e kapur politikisht?

Mendoj se ky proces kundër Sali Berishës është një flluskë sapuni ashtu siç ju pata parashikuar edhe për “aferën” e Klubit Partizani (KP), apo jo? Ashtu si tek KP që duhej hetuar i pari E.Rama, edhe këtu sigurisht që duhej paditur i pari po E.Rama i cili organizoi konfliktin e dhunshëm dhe profetizoi një natë para protestës se do të kishte kufoma. Ka një person tek grupi i zjarrit brenda rrethimit nga erdhën të shtënat e grupit të zjarrit. Ky person sot është deputet dhe ish kryetar bashkie i PS!!! Ky duhet thirrur e hetuar dhe jo Berisha, i cili s’ka kompetenca komanduese mbi Gardën.

-Përse Berisha nuk e pranon kurrë mundësinë e përgjegjësisë së tij në atë ditë tragjike, kur 4 qytetarë u vranë nga armët e shtetit? A është kjo frikë nga drejtësia apo strategji politike?

Përgjegjësinë për përdorimin e armëve e ka Garda dhe jo Kryeministri. Duhet hetuar nga dhe kush qëlloi mbi protestuesit në momentin që protesta po shuhej! Kush ka komanduar vrasjet? Atij që i interesonin ato për pushtet! A mund të jetë ky Berisha që e kishte pushtetin? Jo! Kaq e thjeshtë është. Mundet që të jetë qëlluar edhe me snajper nga jashtë Gardës nga shërbimet inteligjente të huaja të Deep State për të mbajtur Ramën & Berishën nën presion të përhershëm për akuzë.

-A rrezikon realisht Belinda Balluku arrestim ose akuzë të rëndë nga SPAK për çështjen e tenderëve, dhe pse deri tani qeveria sillet sikur nuk ka ndodhur asgjë?

Sa herë që qeverisë i del në media një aferë, Rama dhe SPAK duhet ta pastrojnë duke e mbyllur procesin e strukturës kriminale mafioze të qeverisë me një përgjegjës të vetëm ndaj të cilit nuk ka masa drastike dhe sekuestrime por dënime të lehta. Kështu si me S.Tahirin duket se do të ndodhë dhe me B.Ballukun. Struktura punon sipas parimit, ‘Kali që zihet shin lëmin’ dhe rruga pas Ramës është e pastruar.

-Pse kryeministri Edi Rama e mbron me çdo kusht Ballukun, edhe kur SPAK ka nisur procedime ndaj saj? A është çështje besnikërie politike, apo frikë se mund “të flasë” për gjëra që prekin më lart?

Rama përpiqet t’i ndihmojë gjatë procesit të dënimit sepse ata nuk duhet të flasin se si funksionon grupi i strukturuar kriminal. I vetmi që se pranoi këtë pazar ishte pentito jashtë sistemit të drejtësisë, A.Ahmetaj i cili u përpoq të tregojë se si funksionon struktura kriminale e qeverisë. Nëse këtë (A.A) do e riatdhesojnë, SPAK që mbron sistemin korruptiv, E.Ramën dhe strukturën mafioze të qeverisë do ta masakrojnë atë si ndëshkim për ata që guxojnë e dalin nga struktura dhe prishin Omerta-në para opinionit ndërkombëtar.

-Si është e mundur që një ministre nën hetim për procedura të rënda tenderimi të mbrohet publikisht nga kryeministri, në vend që të shkarkohet? A është kjo provë se standardet e qeverisë ndaj korrupsionit janë thjesht propagandë?

Ashtu si me S.Tahirin e një ish Ministër Shëndetësie që ndodhet në burg, Rama është i kujdesshëm që ata ta marrin përsipër pastrimin e aferës e ky ju garanton mbrojtje maksimale gjatë procesit me dënime të lehta dhe pa sekuestrime pronash. Struktura fsheh maksimalisht provat.

Intervistoi: Rigels Seliman

Te tjera

Lajme te tjera