Konspiracionisti dhe teoricieni i njohur, Alfred Cako ka komentuar situatën politike në vend, ndërsa hedh dritë mbi lojërat e ndërlikuara të politikës shqiptare dhe lidhjet e fshehta ndërkombëtare që kanë ndikuar dhe vazhdojnë të ndikojnë në fatin e Shqipërisë. Në një intervistë të rrallë dhe të guximshme për gazetën “SOT”, zoti Cako zbulon se në prapaskenën e politikës shqiptare, vendimet e mëdha nuk merren as në zyrat e partive dhe as në sytë e publikut. Sipas tij, janë tavolinat e fshehta ku hartohen skenarët, teksa Alfred Cako pohon se ky rregull vlen më shumë se kurrë kur bëhet fjalë për zgjedhjet e 11 majit. Në këtë intervistë shpërthyese, ai zbardh pazaret e bëra nën tryezë dhe zbulon se kush i tërheq fijet në prapaskenë. Sipas tij, amerikanët kanë pasur gjithmonë rolin e arbitrit, por nga viti 2013, loja ndryshoi rrënjësisht. Me ardhjen e Edi Ramës dhe Erion Veliajt në skenë, thekson konspiracionisti Cako, balanca politike u prish, duke favorizuar vetëm njërën palë dhe duke goditur kundërshtarët. Por tani, era e ndryshimeve duket se po fryn sërish nga Washingtoni. Z. Cako paralajmëron një tërmet politik, i cili mund të sjellë rikthimin e rrotacionit politik, duke hapur rrugën për një rikthim të opozitës. Megjithatë, kjo nuk do të vijë pa kosto. Ndërkohë për kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman, teoricieni Cako analizon se çfarë e pret Ramën, Veliajn, Berishën dhe Metën në këtë skenar të ri, ku gjithçka varet nga prirjet e reja të politikës amerikane. Nëse PS nuk pranon rikthimin e ekuilibrit, zgjedhjet mund të jenë të mbushura me tension dhe konflikte. Në anën tjetër, opozita duhet të bëjë lëvizje të zgjuara, duke balancuar lidershipin mes figurave të vjetra dhe të reja. Ndërkohë, politikanët shqiptarë, të cilët dikur sulmonin Donald Trumpin, sot po përpiqen të pozicionohen pranë tij, duke ndryshuar retorikën sipas rrymave të reja në Washington. Por a do t’i ndihmojë kjo strategji? Dhe më e rëndësishmja, kush do të jetë fituesi i madh pas 11 majit? Alfred Cako ka përgjigjet dhe ato janë tronditëse.
– Z. Çako, a besoni se Sali Berisha ka ende fuqinë për ta rikthyer Partinë Demokratike në pushtet, apo ka ardhur koha për një lidership të ri?
Në Shqipëri ka pasur gjithmonë konsensus mes demokratëve dhe socialistëve, me përjashtim të viteve ’96-97, për rrotacion. Pra sistemi ka funksionuar më shumë si marrëveshje mes dy partive kryesore nën arbitrimin e ndërkombëtarëve që finalizohej me certifikimin e zgjedhjeve nëpërmjet OSBE-ODIHR që është gjykatësi elektoral i Deep State tek ne. Qysh nga viti 2013 ky konsensus u prish dhe arbitri u kthye në polic që donte në fushën e lojës vetëm ekipin e Rilindasve dhe palën tjetër që nuk ishin yes-man-a e donte (opozitën e sotme) në burg sipas parimit “Një armik i mirë është një armik i vdekur”. Në këtë nismë, duke prishur traditën prej joshjes me para e pushtet, ndihmoi dyshja E. Rama & E.Veliaj të cilët ishin dora e zgjatur e Deep State në Shqipëri. Kjo dyshe ka punuar për axhendat globaliste për 13 vjet , thelbi i të cilave ishte kanabizimi i Shqipërisë, depopullimi i vendit, prishja e familjes dhe degjenerimi i fëmijëve, mbushja e vakumit me emigrantë, axhendat e homoseksualizmit dhe ndryshimit të orientimit natyror seksual, etj. Duke ju rikthyer pyetjes tuaj, sot neoliberalët që prishën konsensusin kanë rënë nga fuqia në Washington dhe janë duke rënë dhe në vendet e BE dhe ata kanë shkaktuar shumë regres mbi popujt e perëndimit për 4-5 vjet. Nëse Washingtoni do t’i kërkojë PS rikthimin e konsensusit të humbur dhe Rilindasit e pranojnë, atëhere kthehet Berisha& Meta në pushtet. Nëse Rilindja do dëgjojë e trysnohet nga neoglobalistet e BE dhe nuk do e pranojë këtë konsensus por do kërkojë “zgjedhje të drejta”, atëhere zgjedhjet e majit do të jenë me probleme dhe dhunë. Sigurisht që në këtë rezultat real do ndikojë ndryshimi fasadë i lidershipit të PD dhe shpallja e emrit të kryeministrit dhe ekipit qeverisës të opozitës që lipset të jetë një kombinim i të vjetërve me të rinj.
– Protestat e thirrura nga Sali Berisha sa vijnë e tkurren, deri në pikën që edhe një sindikatë mund të nxjerrë më shumë njerëz në shesh. A është ky një tregues i qartë se ai ka humbur ndikimin mbi opozitën dhe qytetarët?
Sigurisht që Berisha duhet të jetë në një pozicion honorifik në PD dhe garantor i funksionimit të rregullave dhe konsensusit mes 3-4 figurave kryesore që do të marrin drejtimin e PD. Berisha mund të jetë, për shembull, Kryetar i Këshillit Kombëtar. Nëse ai fiton mbështetje nga ndërkombëtarët për t’u bërë kryeministër, kjo do ta bënte sistemin të pabesueshëm nga qytetarët. Është ky fakt që nuk i shton radhët e opozitës sot.
– Së fundmi, si Berisha ashtu edhe Rama po i bëjnë elozhe Donald Trump-it, ndërkohë që dikur e kanë sulmuar. A mendoni se kjo është një lëvizje e sinqertë apo thjesht një ndryshim kursi politik për interesa të momentit?
Si Berisha edhe Rama kanë qenë lojtarë të Deep State në Shqipëri nga 1991-2024. Sot që në pamje të jashtme duket se ka një luftë kundër Deep State në Washington nga Trump, të dy këta kanë filluar të përshtaten pro erërave të reja, jo për parime por për pragmatizëm. Rama e ka kauzën teke, Berisha e ka dopjo. Rama do të mbajë pushtetin. Berisha do të shpëtojë lëkurën dhe të marrë pushtetin. Kjo i detyron të jenë servilë ndaj new establishment në WDC. Të shohim se kë do mbështesë ky i fundit.
Intervistoi: Rigels Seliman
