E hënë, 20 Janar, 2025

Aleksandër Vuçiç del hapur kundër Perëndimit, nuk pranon t’i vendosë sanksione Moskës

Share

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç deklaroi hapur se shteti i tij nuk do të ndërmarrë asnjë sanksion ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë. Në një intervistë përpara dy ditësh, lideri serb sulmoi Perëndimin se po i ushtron presion Beogradit për të mbrojtur interesat e tyre. Sipas tij, Serbia do të tradhtonte interesat e veta. Ai kujtoi dhe përvojën e keqe të vitit 1999 kur NATO bombardoi Beogradin për shkak të luftës në Kosovë dhe Serbia mori sanksione nga Perëndimi. “Kemi një lloj mbrojtjeje nga Rusia. Çfarë duan vendet e Perëndimit, të lëmë të gjitha interesat tona kombëtare sepse dikush ka nevojë për diçka për veten e tyre?! Njerëzit flasin për çështjen e anshmërisë. Jo, ne jemi me veten tonë, me interesat e Serbisë. Ne u bombarduam nga 19 vende të NATO-s në 1999 dhe morëm sanksione. Nuk kemi vendosur sanksione ndaj askujt, sepse nuk besojmë se kjo mënyrë ndryshon diçka. Ju mund të ushtroni presion dhe ta detyroni Serbinë, por ky është opinioni ynë i sinqertë”, u shpreh kreu i shtetit serb.
Vuçiç i frikësohet sanksioneve serbe ndaj Rusisë


Ditën e djeshme, në Pallatin Presidencial të Serbisë, Vuçiç theksoi se shtetet  e Perëndimit që po ushtrojnë presion ndaj Serbisë për të dënuar me sanksione Rusinë nuk i kuptojnë dot pozicionin e Serbisë dhe emocionet e serbëve. Ai theksoi se Serbia duhet të ndjekë rrugën e anëtarësimit në BE, por pa hequr dorë nga pavarësia e saj në vendimmarrje. Lidhur me Rusinë, Vuçiç deklaroi se Moska është aleati më i fortë i Beogradit në Kombet e Bashkuara. Për sa i përket luftës Rusi-Ukrainë, lideri serb u ndje krenar që në vendin e tij nuk ka urrejtje kundër rusëve dhe ukrainasve. “Serbia duhet të vazhdojë rrugëtimin evropian, por duhet të ruajë pavarësinë e saj në vendimmarrje. Ne veprojmë qartësisht dhe mbështesim ligjin publik ndërkombëtar. Nuk dërgojmë armë. Serbia është vazhdimisht e përkushtuar për ruajtjen e paqes. Shumë nuk e kuptojnë pozicionin e Serbisë dhe përvojën e qytetarëve të saj me agresionin dhe as të kuptojnë emocionet e tjera. Ata nuk mund ta kuptojnë pozicionin e Serbisë në Kombet e Bashkuara, aty ku kemi mbështetjen e Rusisë dhe jo të vendeve që do të detyronin në vendosjen e sanksioneve. Jam krenar që në Serbi nuk histeri anti-ruse dhe kundër Ukrainës”, deklaroi dje para mediave presidenti i zgjedhur për herë të dytë në krye të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Më tej, ai akuzoi indirekt Perëndimin për mungesë sjellje parimore dhe të moralshme dhe sipas tij duhet të ndiqet modeli i diplomacisë serbe. Vuçiç paralajmëroi se nëse Serbia vendos sanksione ndaj aleatit rus, kjo do të shkaktojë kosto të larta për shtetin serb.  “Pozicioni jonë është i ndërlikuar, kush dëshiron ta kuptojë, do ta kuptojë. Ata që nuk duan ta kuptojnë, s’do ta kuptojnë. Disa njerëz duan  që të mashtrojnë opinionin publik çdo ditë, sepse nuk kanë përgjegjshmëri. Fakti që ne nuk duam të vendosim asnjë masë kufizuese ndaj Rusisë na sjell probleme është pa dyshim për shkak se paguajmë një çmim të lartë. Ndonjëherë në politikë, ku parimet e moralit dhe ligjit nuk ekzistojnë, është mirë që dikush të sillet si Serbia”, tha Vuçiç.
Vuçiç mesazh Kosovës dhe Bashkimit Europian
Kryetari i shtetit serb u shpreh i shqetësuar për qëndrimet e ashpra të Kosovës ndaj Beogradit lidhur me procesin e dialogut mes tyre dhe mbrojtjen e minoritetit serb në Kosovë. Ai kërcënoi qytetarët e Kosovës dhe liderët e BE që të mos ushtrojnë presion ndaj Serbisë. “Jam i shqetësuar për kërcënimet që vijnë nga Prishtina për mosrespektimin e Marrëveshjes së Brukselit, për të cilën kam informuar Miroslav Lajçak. Kërkesa ime për shqiptarët në Prishtinë, Bashkimin Europian dhe të gjithë ata që i drejtojnë është mos ushtroni presion ndaj serbëve në Kosovë. Është e rëndësishme të ruajmë paqen. Uroj që qytetarët në Prishtinë të kenë një qasje racionale”, përfundoi presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Te tjera

Lajme te tjera