E diel, 26 Prill, 2026

Aksion për sigurinë ushqimore, Rama: Kush tregton qumësht dhe mish pa faturë i konfiskohet malli

Share

Nga dita e sotme produktet e bulmetit dhe mishit nuk do të lejohen të shiten pa faturë tatimore.

Në takim me deputetët e qarkut të Tiranës Kryeminsitri Edi Rama duke folur për sigurinë ushqimore tha se nuk do të lejohet shitje e qumështit të freskët dhe mishit pa faturë në të kundërt produktet do të konfiskohen.

“E fundit që kam, është siguria ushqimore. Edhe këtu na duhet të hedhim hapa shumë të mëdha përpara sepse është një nga pikat më të dobëta që kemi në raport edhe me negociatat për anëtarësim në Bashkimin Europian dhe edhe këtu, me pezullimin e veprimtarisë së AKU-së dhe fillimin e një procesi provimi të të gjithë inspektorëve të AKU-së me gojë dhe me shkrim si dhe hapjen e mundësisë për të tjerë që të përfshihen në Agjenci, kemi hedhur vetëm hapin e parë ndërkohë që nga sot dhe po shikoja informacionet para se të vija këtu, ka filluar procesi i kontrolleve dhe i konfiskimit të qumështit dhe të bulmetrave pa faturë.

Domethënë pa siguri ushqimore, aq më tepër në këto temperatura të larta ku largqoftë mund të ndodhin gjëra shumë të rënda në lëndim të shëndetit të konsumatorëve. Qumësht dhe bulmet i freskët pa faturë dhe mish i freskët pa faturë nuk do të lejohet dhe kushdo që do ta tregtojë, do ta humbasë atë si mall dhe ky është vetëm fillimi i një kontrolli shumë më të rreptë përsa i përket sigurisë ushqimore.

Në tërësi besoj që do të jetë një punë që do të bazohet tek vazhdimësia, por do të jetë një punë që nuk do të jetë aq e vështirë sa do të ishte jo shumë vite më parë sepse baza është e vendosur dhe sepse shumica dërrmuese e qytetarëve janë tanimë shumë të qartë lidhur me këtë”.

Nisja e aksionit për formalizimin e tregut të tregtimit të produkteve blegtoria u njoftua më herët edhe nga administrata tatimore.

Tatimet sqaruan se sipas Ligjit Nr. 87/2019 “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit”, neni 6, pika 3; neni 7, pika 2 dhe neni 9, tatimpaguesit duhet që:

-Çdo artikull blegtoral dhe bujqësor që disponojnë dhe tregtojnë ta shoqërojnë me faturë të fiskalizuar të blerjes, në të cilën të identifikohet dukshëm dhe qartë shitësi, si rrjedhojë edhe origjina e produktit.
-Çdo artikull që tregtojnë ndaj konsumatorit final ta shoqërojnë me faturë të fiskalizuar, ku të jenë pasqyruar saktë dhe dukshëm emërtimi dhe çmimi i produktit.

Në përfundim të fushatës ndërgjegjësuse, Task-Forca e ngritur për këtë qëllim, e përbërë nga inspektorë të Hetimit Tatimor dhe inspektorë të monitorimit në terren, do të nisë kontrollet në vend për të verifikuar që çdo produkt bujqësor apo blegtoral shoqërohet me faturë tatimore të fiskalizuar.

Te tjera

Lajme te tjera