Kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka beson se ardhja e opozitës në pushtet nuk mund të vijë vetvetiu për shkak të abuzimeve me pushtetin dhe keqqeverisjes së Partisë Socialiste, por nevojitet një front i gjerë opozitar me ide të qarta dhe politikanë të rinj vizionarë dhe të mirëarsimuar. Madje ai premtoi se nëse do të vijë një kaste e re politike entuziaste, do të “sakrifikojë” PAA për të bashkëpunuar me këtë grup të rinj politikanësh. Në një intervistë për gazetën “Sot”, aleati i Partisë Demokratike u ndal dhe te ish-kryeministri Sali Berisha duke treguar se lëvizja e tij për reformimin dhe marrjen e drejtimit të PD i ka befasuar të gjithë. Por, në lidhje me rrugën e rrëzimit të PS nga pushteti, ai është i bindur se Berisha dhe PD nuk duhet të mendojnë se janë alternativa dhe forca e vetme opozitare në vend, por duhet të zgjerojnë bllokun kundërshtar ndaj qeverisë socialiste. Për ish-kreun e selisë blu, Lulzim Basha, kryetari i PAA gjykoi se ish-kryedemokrati gaboi duke sfiduar me kokëfortësi shumicën e partisë së tij. Për sa i përket Paketës së Rezistencës Sociale, deputeti i opozitës u shfaq mosbesues ndaj ndërgjegjësimit të qeverisë për ndërmarrjen e politikave lehtësuese për çdo situatë krize ekonomike. Ai komentoi se kjo situatë do të harrohet njësoj si proverbi popullor shqiptar “çudia 3 ditë zgjat”.
-Aleanca Berisha-Meta është konfirmuar tashmë nga ish-kryeministri. Ju si aleat i PD, mendoni se do këtë sukses ky koalicion?
Kjo aleancë, ç’është e vërteta, funksionoi edhe në zgjedhjet e pjesshme vendore ku LSI e ndihmoi grupimin e Berishës të regjistronte kandidatët, meqë vetë nuk ishte një subjekt i ligjëruar. Megjithatë, nuk shikoj asnjë surprizë këtu. Këta dy politikanë, si dhe PD e LSI, kanë qenë më shumë se një herë aleatë, në pushtet dhe në opozitë. Ndërsa, suksesi nuk varet thjesht nga aleanca mes këtyre dy forcave, por nga shumë faktorë të tjerë, si: bashkimi opozitar, pra i të gjitha partive me qëndrime opozitare ndaj qeverisë, projekti që do të propozohet votuesve, cilësia e kandidatëve që do t’u ofrohet qytetarëve për të votuar, formula zgjedhore etj. Opozita nuk mund të bëjë eksperimente. Ajo nuk mund të shkojë në zgjedhje me bindjen se i ka ardhur radha më në fund të marrë pushtetin, meqë PS i bëri tri mandate.
-Çfarë kushtet do t’u vendosni për të bashkëpunuar me të dy?
PAA është një parti aktualisht në koalicionin opozitar. Ne jemi në pritje të përfundimit të procesit të riorganizimit të PD-së si partia më e madhe e këtij koalicioni. Ne asnjëherë nuk vendosim kushte që lidhen me pazaret e ndarjes së pushtetit. PAA, parimin kryesor ka sinqeritetin e bashkëpunimit, programet apo programin e përbashkët me të cilin do t’u shkojmë shqiptarëve për të kërkuar votën, si dhe gjetjen e filozofisë sonë në këtë program si një parti me orientim bujqësor dhe mbi të gjitha, mjedisor. Këto çështje vazhdojnë të marrin ende pak vëmendje konkrete dhe më shumë demagogji, ndaj ne do të kërkojmë që aspektet mjedisore të jenë më të pranishme në programin e një opozite të bashkuar dhe të një qeverisjeje të mundshme nesër.
– Berisha eshte pranuar ‘de facto’ si lider i PD. Si e gjykoni, mundet që PD me të në krye të marrë pushtetin?
Berisha është një politikan profesionist, me të mirat dhe të këqijat e tij. Ai dëshmoi dhe bëri atë që s’e ka bërë askush deri tani, dhe me thënë të drejtën nuk e prisnim as ne. Ai bëri një rikthim të paparashikueshëm duke patur parasysh edhe moshën, me një fushatë shumë energjike dhe tani është në prag të marrjes zyrtarisht të drejtimit të Partisë Demokratike. Edhe pse ka shumë zëra brenda asaj partie që i kërkojnë atij të largohet, ne si parti aleate nuk përfshihemi në këtë proces. Nuk është në dorën tonë se kush do të jetë kryetar i PD-së. Nuk është puna jonë dhe besoj e askujt tjetër jashtë strukturave të kësaj partie. Se kë duan për kryetar, e vendosin vetëm anëtarët e PD-së. Ne të tjerët kemi në dorë të zgjedhim nëse do të bashkëpunojmë ose jo me atë parti. Nëse do të flisnim për dëshira, unë mund të thosha tani se do të dëshiroja që opozita të ishte një kamp politik i drejtuar nga të rinj të mirëarsimuar dhe idealistë, të ndershëm e të drejtë, me vizione të qarta dhe projekte për ta ndryshuar këtë vend, për të luftuar korrupsionin, për të vendosur drejtësinë, për të stabilizuar ekonominë dhe vendosjen e saj mbi rregullat e tregut, etj. Nëse do ta kishim këtë kastë të re, e them me sinqeritet që unë do t’i ftoja të gjithë kolegët e mi në PAA që t’ia vinim kyçin partisë tonë dhe t’u bashkoheshin e të punonim për këtë të ardhme të re. Por, kjo është një dëshirë. Realiteti është tjetër gjë, këtë klasë të re ne nuk e kemi, ndaj do të duhet të punojmë dhe luftojmë politikisht me partnerët dhe aleatët që kemi. Sa për pyetjen nëse vjen apo jo Berisha në pushtet, dua sërish të theksoj se Berisha nuk është dhe nuk mund të jetë i vetëm opozita. As PD nuk mund të jetë vetëm opozita. Opozita është një bashkim forcash, parti politike, organizma të ndryshëm shoqërorë, organizata të shoqërisë civile, qytetarë dhe grupime të tjera formale dhe informale. Çdo kush që kërkon ndryshimin e realitetit në këtë vend është opozitar dhe nëse të gjithë bashkohen ndershmërisht dhe punojnë, padyshim që mund ta çojnë opozitën në pushtet. Por më lejoni të theksoj edhe diçka shumë të rëndësishme, sipas meje. E shikoj që flitet më së shumti që Rama duhet të largohet. Dhe unë mendoj kështu, pa asnjë dyshim. Por, nuk mjafton ky fakt që ne të bëhemi gati për të shkuar në qeveri. Shqiptarët nuk kanë nevojë thjeshtë të largojnë një qeveri të korruptuar. Ata kanë nevojë që ta zëvendësojnë atë me një qeveri të mirë, të pastër dhe me projekte konkrete për të ardhmen e vendit, për të luftuar korrupsionin dhe investuar në sektorë që sigurojnë mirëqenie për të gjithë. Ndaj e theksoj se ne në opozitë nuk duhet të mendojmë se na takon qeveria, meqë Rama e bëri baltë. Jo, ne duhet tu shkojmë shqiptarëve me një projekt të ri, jo për ndryshimin e qeverisë, por për ndryshimin dhe shkatërrimin e mekanizmave ligjore që kanë çuar në ndërtimin e rrjetës së korrupsionit, në mënyrë që edhe qeveria e re nesër, të mos bëjnë të njëjtën gjë që po bëjnë socialistët sot.
-Çfarë pasojash la Basha në PD dhe si aleat i juaj?
Basha është një nga ata politikanë që të gjithë karrierën e tij politike, deri tani, e konsumoi vetëm në opozitë. Edhe pse i pati shanset, nuk mundi të ngjitej në pushtet. Ishte i paaftë, bëri pazare me Ramën (siç e akuzojnë), apo nuk e mori dot pushtetin pasi PS ka ngritur ndërkohë një makineri gjigante manipulimi me votën, këto janë gjëra që duhen parë me ftohtësi. Ai, për mendimin tim, ekzagjeroi javët e fundit, kur e pa që shumica e partisë dukshëm nuk ishte në anën e tij dhe duhet t’ia kursente partisë ata energji që humbi. Megjithatë, ne ruajmë të drejtën për të mos dhënë këshilla se çfarë duhet të bëjë aleati ynë në shtëpinë e tij. Ne do të vazhdojmë të jemi bashkëpunëtorë me PD-në referuar programit dhe jo emrit të kryetarit.
-Sëmundja e pulave dhe ngordhja e tyre ne mase sa ka ndikuar ne aktivitetin tuaj ekonomik?
Personalisht, unë nuk jam aksioner i kompanisë “AIBA”, por mund t’ju them se dëmi që pësojnë stabilimentet e rritjes së shpendëve është shumë i madh. Dëmi ekonomik për një të tillë shkon në disa milionë euro, sepse një pulë për prodhim vezësh kushton me shume se 5 Euro. Nëse fusim këtu edhe ndërprerjen e prodhimit, këto biznese shkojnë në kufijtë e mbijetesës, sepse ka vetëm shpenzime, ndërsa mungojnë të ardhura. Nëse shteti bën kompensimin e pulave të ngordhura (të asgjësuara), siç e parashikon ligji, mund të rifuten tufat e reja dhe te rifillojë biznesi me vështirësi, sidoqoftë.
-Meqenëse keni qenë dhe ministër i Bujqësisë dhe drejtoni PAA, çfarë gjykimi keni për ministren Frida Krifca?
Në vende të vogla si Shqipëria, ministrat nuk kanë hapësirën për të patur platformat e tyre në sektorin përkatës. Në qeveritë që drejtohen me një lloj autoriteti apo edhe arrogance, po të themi, ministrat janë thjesht nëpunës. Kështu që, nuk do të doja ta gjykojë keq zonjën Krifca në këtë drejtim, meqë bujqësia është në ditë të këqija, por do të gjykoja vizionin e kësaj qeverie. Nëpër media dhe kryesisht në rrjetet sociale e kam parë të sulmuar për ca lapsuse që kanë bërë gjatë fjalimeve. Në fakt, do të doja të shikoja të gjykuar për gjëra konkrete që nuk ka bërë mirë apo ka bërë keq. Meqë ju iu referuat sëmundjes së pulave, do ta doja të gjykohej për masat që mori ndaj kësaj fatkeqësie për këtë biznes. Për sa kjo ministri po u gjendet pranë bizneseve që janë në prag falimenti, dhe jo për faktin se ajo deklaroi në parlamenti “që qytetarët duhe t’i ziejnë pulat para se t’i hanë”.
-Paketa e Rezistencës Sociale, a është e mjaftueshme për të përballuar krizën apo duhen mekanizma të tjera nga qeveria?
Këto masa janë si puna e atij serumit që i jepet të sëmurit kur është ne reanimacion dhe s’ka mundësi të ushqehet. Kriza e çmimeve tregoi se sa pak imunë jemi ne si shtet, kur u tronditëm menjëherë sepse jemi të varur 100% nga nafta e importit, mbi 80% nga gruri që blejmë nga Rusia e Serbia. Tregoi se si tregu i karburanteve është një sektor i zotëruar në rreth 70% nga dy kompani. Pra, kriza dëshmoi se deri tani jemi qeverisur keq e më keq, në mënyrë të papërgjegjshme. Kryeministri ynë, ndërsa kapardiset nëpër samitet e NATO-s si i barabartë dhe superfuqitë e botës, tani mësoi se drejton një vend që s’ka rezerva shteti që nëse vërtet futemi në luftë me një vend tjetër, apo na sulmon natyra me ndonjë thatësirë të madhe apo përmbytje, gjithashtu të madhe, ne ngremë duart për 24 orë. Kjo krizë duhet të shërbejë si mësim për të vënë në vijë ca punë që janë me rëndësi jetike për ekzistencën e shtetit dhe të popullit. Por, dyshoj se do të vëmë mend, pasi ne ecim me parimin se “çudia tri ditë zgjat” dhe vazhdojmë avazin.
Intervistoi: Dario Velaj