Juristi i njohur, Romeo Kara paralajmëron të tjera telashe për ish-presidentin Ilir Meta. Në një intervistë për gazetën “SOT”, Z. Kara shprehet se afera “CEZ-DIA”, lobimet në SHBA, pazari me fibrat optike, fshehja e pasurisë dhe operacionet plastike janë vetëm fillimi për Metën, pasi po bëhen gati të tjera akuza dhe procese ndaj tij. Qëndrimi i tij përforcon bindjen se drejtësia shqiptare, pavarësisht presioneve dhe akuzave, po krijon një kulturë të re, ku askush nuk është mbi ligjin. Juristi flet gjithashtu edhe për deklaratën që bëri ish-deputeti Halit Valteri, një nga personazhet që i bëri Metës “gropën” në SPAK. Z.Kara shprehet se me paratë e tij të pafundme, Meta mund të hakmerret ndaj kallëzuesve dhe dëshmitarëve kundër tij.
-Zoti Kara, gjatë intervistës së tij të fundit, zoti Meta ka pohuar se ka pasur oferta për azil nga persona të afërt me qeverinë dhe SPAK. Çfarë mendoni ju për këto pretendime? A i shihni ato si një përpjekje për të ndikuar politikisht në proceset gjyqësore apo si një provë të tensioneve mes institucioneve të drejtësisë dhe politikës?
Së pari, duke e njohur Ilir Metën dhe duke parë në vazhdimësi prononcimet dhe veprimet e tij, duhet të kemi kujdes që të mos i marrim shumë seriozisht deklaratat e tij, pasi ai jo vetëm që gënjeshtrën e ka bërë pjesë të karakterit të tij tashmë, por ka kohë që ka rënë në pozitat e një deliranti që kërkon nga partia e tij ta dojë pa kushte dhe është në një depresion kronik. Së dyti, nuk besoj se dikush nga mazhoranca ka kohë për hallet e Metës dhe, më tepër, që SPAK-u të bie në nivelin e tij. Së treti, edhe pse nuk besoj tek trillimet e Metës, e konstatoj me vend hamendësimin tuaj që ka një tension mes politikës dhe drejtësisë dhe përpjekje të vazhdueshme, apo ndërhyrje të politikës për të ndikuar në procese të ndryshme gjyqësore. Sidoqoftë, gjyqësori po fillon të tregojë se ai po bezdiset nga politika dhe se nuk mirëpret, qoftë edhe me heshtje, asnjë intimidim, kërcënim apo ndërhyrje në punët e tij. I gjithë sistemi i drejtësisë ka reaguar si një trup i vetëm ndaj kërcënimeve dhe denigrimeve që janë bërë në drejtim të prokurorëve të SPAK-ut apo gjykatësve të GJKKO-së nga çdo lider politik, cilido qofte ai. Përkundrazi, në perceptimin tim, nga mënyra se si ka reaguar Meta së fundmi, kam krijuar besimin se ka qenë pikërisht ai që ka konsideruar një kërkesë të tij për azil, pasi nuk ka asnjë arsye tjetër për të justifikuar çakerdisjen e tij në momentin e arrestimit.
-Zoti Meta ka bërë akuza të rënda ndaj SPAK, duke e cilësuar si të ndikuar dhe jo të pavarur. Si e vlerësoni ju këtë qëndrim të tij dhe cilat mund të jenë pasojat e këtij qëndrimi për besimin e publikut te institucionet e drejtësisë në Shqipëri?
Janë akuza qesharake, depresive dhe tërësisht të pabaza, pasi realiteti flet krejtësisht të kundërtën. SPAK-u e ka pozicionuar veten pothuajse tërësisht përballë establishmentit të vjetër dhe të korruptuar politik, pa asnjë dallim ngjyrash politike dhe pa asnjë preferencë tjetër. Pushtetarë dhe ish-pushtetarë, parakalojnë të dërrmuar por krenarë para dyerve të SPAK-ut dhe GJKKO-së, aq sa nuk na bën më përshtypje nëse janë apo jo ministra apo kryeministra. Thjesht presim që besimi ynë të kompletohet duke parë të gjithë elitën politike sa më shpejt të merret nën akuzë prej tij, pronat e tyre të sekuestrohen dhe konfiskohen pas dënimit të tyre, dhe zyrat e pushtetit, rrugët e qyteteve si dhe ajri i tyre të pastrohen nga era squfurore që ata lëshojnë, prej mëkateve pafund që mbajnë mbi shpinë. Nuk lëkundet besimi i publikut tek drejtësia nga dërdëllitjet e Metës, përkundrazi, dërdëllitjet e tij rikonfirmojnë qëndrimin rigoroz të saj. Sa më shumë të vjellin vrer të korruptuarit e kallupit Meta përkundrejt drejtësisë, aq më në rregull është drejtësia.
-Ilir Meta mendon se ai është thjesht një viktimë e një sistemi të korruptuar dhe se është burgosur pa prova? Keni një koment?
Ilir Meta mendon se është edhe Allende, edhe Aldo Moro, edhe Vojo Kushi, por në të vërtetë është thjesht një Baj Gano dhe një Al Capone, që dëshpërimisht shpreson se ne mund të mos i dimë bëmat e tij, se ne mund të kemi harruar, apo se dikush, qofshin ata edhe një qenie e pacaktuar, do t’i dëgjojë sadopak përrallat e tij. Përballë tij ai ka fakte dhe prova që mbështesin akuzat ndaj tij, gjëra që nuk kërkojnë domosdoshmërisht miratimin e tij për t’u vënë përballë tij. Faktet janë ngjarje që kanë ndodhur dhe nuk mund të mohohen, ndërsa provat janë pikërisht ato që lidhin Metën me ato fakte-ngjarje dhe lidhjen shkak-pasoje të tij me to. Pra, le të ndjekim me qetësi procesin apo proceset kundër tij, se sipas asaj që po shoh, të tjera akuza dhe procese do të zhvillohen në të ardhmen kundër tij. Ky është vetëm fillimi.
-Ish-deputeti Halit Valteri, që ka denoncuar Metën në SPAK, ka deklaruar se është kërcënuar dhe se me paratë që ka ish-presidenti mund të hakmerret ndaj atyre që e futën në burg. Keni një koment? Po ju, si një nga denoncuesit e Ilir Metës, ndiheni të kërcënuar?
Duke parë çakerdisjen totale të Ilir Metës, për më tepër pothuaj në të gjitha rastet, edhe kur ai ka bërë edhe prononcime publike, duke marrë parasysh çështjen Doshi, kërcënimet që ai bëri kur ishte president për prerje duarsh, kërcënimet dhe ofendimet publike ndaj Dumanit, kallëzuesve dhe dëshmitarëve kundër tij, dhe se fundi datëlindjen e tij të 45-të, që ishte si një panair krimi, unë e besoj plotësisht që ai mund t’i ketë kërcënuar ish-deputetin Valteri. Arsyetimi i Valterit, që fuqia ekonomike e Metës, paratë e tij të pafundme, mund të përkthehen në çdo moment në fuqi hakmarrëse të Ilir Metës, është më së i saktë dhe për t’u vlerësuar si duhet, sidomos nga organi i akuzës dhe ai i policisë. Kërcënimet e Metës kanë qenë të hapura, pa ekuivok dhe konsistente. Personalisht, kur i kam hyrë kësaj rruge, kam pajtuar me rrezikun dhe pasojat që mund të vijnë për shkak të saj. Megjithatë, Shteti, nëse nuk është ndihmë për ne, le të mos bëhet palë me sojin Meta me inaktivitetin apo shkopinjtë nën rrota të tij.
Intervistoi: Rigels Seliman