E martë, 24 Nëntor, 2026

A do bashkojë Edi Rama forcat ushtarake me Vuçiçin si pjesë e aleancës “Ballkani i Hapur”, kryeministri shqiptar njeriu më i flaktë pro-serb, në konkurrencë të fortë me rusin Lavrov

Share

Rigels Seliman

Të gjithë po dënojnë dhunën e bandave të Aleksandër Vuçiç në veri të Kosovës ndaj forcave të KFOR, ndërsa kryeministri Edi Rama sulmon Albin Kurtin, pa thënë asnjë fjalë për përleshjen dhe plagosjen e trupave të NATO. Rama dhe diplomati i lartë rus Lavrov nxituan se kush do të ishte i pari të merrte në mbrojte protestën e serbëve duke i kërkuar Kurtit që të tërhiqte Policinë e Kosovës nga Mitrovica e Veriut. Sulmet e Ramës ndaj Albin Kurtit janë të pabaza. Perëndimi nuk e ka braktisur Kosovën dhe këtë gjë e tregon lajmi se NATO ka shtuar forcat e saj për të mbrojtur Prishtinën nga një agresion i mundshëm serb. Ishte Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të cilat u pozicionuan pak javë më parë në krah të së drejtës së Kosovës dhe institucioneve të saj për sovranitet në veri. SHBA-BE përkrahën përpjekjet për të zhvilluar zgjedhje pa Listën Srpska, përkrahën edhe idenë që qeveria Kurti ta mbrojë sovranitetin e integritetin territorial në këtë pjesë të vendit dhe Kurti po çon misionin e tij deri në fund. Rama quajti dhunë shpërndarjen paqësore që u bë ndaj protestuesve, të cilët kishin bllokuar hyrjet në godinat e komunave të fituara nga shqiptarët në zgjedhje. Mirëpo u pa mjaft qartë se kush ishin dhunuesit dhe kush ishin të dhunuarit. Asnjë serb nuk përfundoi në spital nga shpërndarja që bëri Policia e Kosovës, ndërkohë që 25 ushtarë u shtruan në spital me këmbë e duar të thyera, me shikim e dëgjim të dëmtuar, dhe me dëmtime trupore të ndryshme. Disa prej tyre janë edhe në gjendje të rëndë, por për Ramën ky nuk është një shqetësim. Shqetësim për të është që Vuçiç mos të mërzitet dhe që Albin Kurti të tërhiqen nga zbatimi i Kushtetutës. Në plan të parë, kryeministri Rama nuk ka mbrojtjen dhe sigurinë e shqiptarëve, po pazaret e tij me presidentin serb. Vuçiç ka çuar ushtrinë në kufi me Kosovën dhe është gati që të ndezë një konflikt të armatosur kundër shqiptarëve. Është ky personazh, i cili është marrë në mbrojtje nga Rama duke përdorur në këtë mes dhe nismën e “Ballkanit të Hapur”
Pazaret Rama-Vuçiç
Gjithë këtë periudhë kryeministri shqiptar ka sulmuar ashpër lidershipin kosovar për shkak se nuk pranonte të bëhej pjesë e këtij projekti, i cili është kundërshtuar fort nga Albin Kurti për shkak të qëndrimeve anti-shqiptare të Vuçiçit. Koha e vërtetoi se Prishtina kishte të drejtë. Po tani kryeministri Rama, a do bashkojë forcat ushtarake me Vuçiçin si pjesë e aleancës “Ballkani i Hapur”? Kjo situatë tregoi qartë se Rama nuk ka as autorizim, as kredibilitet e as të drejtë të falë, flasë e pajtohet për Kosovën, as për të ardhmen, as për të tashmen e edhe më pak për të shkuarën shqiptaro-serbe në Kosovë. “Ballkani i Hapur” i dyshes Rama-Vuçiç thjesht ka ndërruar emër, por qëllimet i ka të njëjta. Planet ruso-serbe për shqiptarët u ringjallën për herë të parë për publikun në takimin e mbajtur më 10 tetor 2019 në Novi Sad të Serbisë, ku dyshja Rama-Vuçiç prezantuan projektin si një nismë për të bashkuar rajonin, por në prapaskenë si qëllim për të krijuar një Jugosllavi të Re, ku si projekt ishte një lojë e Beogradit dhe e Rusisë si sfidë ndaj NATO dhe Bashkimit Evropian. Projekti shumë qartë shfaqet si minues për të ardhmen e Shqipërisë, pasi nostalgjikët e Millosheviçit dhe Jugosllavisë, vazhdojnë të tentojnë të tërheqin në vallen e tyre edhe Kosovën e cila tani është shfaqur totalisht kundër me manovrat e dyshes Rama-Vuçiç për të ngjallur kohën e Millosheviçit.
Lojtarët rusë në Ballkan
Ishte Sergei Lavrov, i cili më 6 qershor të vitit 2022 e demaskoi këtë projekt, si pjesë e një diversioni për të futur vendet e Ballkanit në sherr me Brukselin, duke i dhënë “Puthjen e Vdekjes”. Kryediplomati rus tha se Ballkani i Hapur është një iniciativë serbe dhe se Rusia e mbështet këtë pavarësisht kundërshtimeve të Brukselit. “Natyrisht ata që po i tërheqin fijet në Bruksel nuk e donin këtë, ata nuk donin që ne të shprehnim mbështetjen për Beogradin, duke përfshirë projektin Ballkani i Hapur. Tani është e qartë për të gjithë se Brukseli, NATO dhe BE duan të kthejnë Ballkanin në projektin e tyre të quajtur Ballkani i Mbyllur”, tha Lavrov. Kjo ishte një ndër deklaratat më të forta të bëra për herë të parë nga Rusia në lidhje me Ballkanin e Hapur. Pra u konfirmua skandali i madh, ku Moska nxori zbuluar Ballkanin e Hapur, si një skemë anti-Perëndimore, e cila po përdorej si një portë shpëtimi nga Rusia lidhur me sanksionet e forta të SHBA-BE.
Putin përdori “Ballkanin e Hapur” për të thyer embargon e Perëndimit
Kremlini e sheh Ballkanin si një aset strategjik ku mund të minojë rolin e institucioneve perëndimore dhe të pretendojë se NATO ka dështuar të sigurojë stabilitet. Aleati kryesor i Putinit në rajon është Aleksandër Vuçiç me të cilin ai ka një marrëdhënie simbiotike. Moska ndihmon Beogradin në ndërtimin e “Botës Serbe”, sipas së cilës të gjithë serbët duhet të jetojnë në një shtet të zgjeruar. Në këmbim, Serbia i mundëson Rusisë të zgjerojë shtrirjen e saj rajonale përmes marrëveshjeve energjetike, depërtimit të inteligjencës, bashkëpunimit ushtarak dhe dezinformimit dhe këtu hyn në skenë roli i Ballkanit të Hapur. Bashkëpunimi i Serbisë me Rusinë, përfaqëson mundësinë më të mirë të Putinit për të shmangur sanksionet e Perëndimit, duke përdorur në mënyrë efektive levat ekonomike në rajon, me Ballkanin e Hapur, pasi projekti i krijuar nga Vuçiç bashkë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në vitin 2021, synon të promovojë lidhjet ndërmjet tre vendeve për të krijuar përfundimisht një treg të vetëm për mallrat, shërbimet dhe kapitalet. Ballkani i Hapur i jep mundësitë Rusisë të shfrytëzojë avantazhin e saj më të madh ndaj Ballkanit Perëndimor, atë të ndikimit ekonomik. Rasti ideal i Putinit për të kontrolluar Ballkanin e Hapur është se Serbia dominon tregtinë midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Në këmbimet tregtare midis tre vendeve dominon Serbia si ekonomi më e madhe, me më shumë banorë por edhe me një strukturë industriale solide të trashëguar nga ish shteti jugosllav.

Te tjera

Lajme te tjera