E enjte, 6 Gusht, 2026

Transparenca si parakusht për reformën e të drejtave të pronësisë

Share

Nga Ksenia Oleneva

Një sistem mirëfunksional i të drejtave të pronësisë është themelor për një ekonomi të qëndrueshme e të begatë, e njëkohësisht i domosdoshëm për ruajtjen e lirisë së individit. Gjithsesi, sot më shumë se 380’000 familje shqiptare vijojnë të kenë ende të pazgjidhur problemin e tyre më të qenësishëm, të drejtën e pronësisë mbi token që kultivojnë, banesën ku jetojnë apo biznesin e ngritur me mund. Këto familje kanë më shumë se dy dekada që i japin kuptim ekonomisë së tyre familjare duke u bazuar tek të paturit një strehë apo tek e ardhurat e kufizuara që sigurojnë me mund e punë të përkushtuar për të siguruar të nesërmen. Me qëllim inkurajimin e pjesëmarrjen formale ne ekonomi, rritjen e konfidencës tek individët dhe bizneset të investojnë dhe krijojnë mundësi punësimi në sektorët jetikë të ekonomisë si bujqësia apo turizmi, qeveria duhet ta vendosë çështjen e të drejtave të pronësisë në krye të programit qeverisës. Synimi i artikuluar për zgjidhjen përfundimtare të çështjeve të pronësisë në fakt është një zhvillim pozitiv në thelb i bazuar në një ambicie të të përsëritur të qeverisë për t’i dhënë fund një kalvari prej 3 dekadash problemesh të pazgjidhura të lidhura më pronat. Këtë herë, problem duhet të zgjidhet.

Digjitalizimi i shërbimeve publike është një zhvillim i rëndësishëm në përgjigje të kërkesave qytetare për shërbime në kohë reale me kosto më të ulët. Janë të numërta shërbimet funksionale të cilat janë vënë në shërbim të qytetarëve dhe zgjerimi i portofolit të shërbimeve online është mjaft pozitiv por njëkohësisht edhe sfidat që e bashkëshoqërojnë janë po aq të rëndësishme për t’u trajtuar më prioritet. I gjithë procesi digjital për legalizimin e pronave i prezantuar për publikun është i bazuar në aplikimin e pavarur të qytetarit në portal duke bërë dërgimin elektronik të dokumentacionit, specifikimin e karakteristikave të çdo prone sipas informacionit të saktë kadastral, realizimin e pagesës dhe nisjen e informacionit mbi faktimin e pagesës së shërbimit online. I gjithë ky proces sado i thjeshtë apo i lehtë për t’u realizuar në të vërtetë është jo pak I vështirë për t’u ndjekur për qytetarë me njohuri të kufizuara në përdorimin e teknologjisë së informacionit. Me tej mungon një guidë e plotë dhe e dedikuar e informimit publik mbi çdo hap të procedurës dhe mënyrën sesi ajo përkthehet në veprime konkrete nga punonjësit e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës nga ana tjetër e kutisë së monitorit. Një pjesë e madhe e aplikimeve vijnë nga zonat rurale që përtej vështirësive në përdorimin e internetit janë thellësisht të varur nga ndihma e përdoruesve të portalit duke rritur kështu edhe më shumë distancën nga e vërteta e rastit të tyre ende të pazgjidhur pronësor.

Ndërkohë që aplikimet dërgohen në rrjet ka shumë paqartësi në lidhje me procedurën që ndiqet nga ASHK në shqyrtimin e çdo rasti. Në të njëjtën mënyrë, nuk është ende i qartë procesi i ankimimit, nëse një i tillë do t’i njihet qytetarit. Ndërveprimi i agjencive shtetërore të përfshira në këtë proces është ende i paqartë për publikun e gjerë dhe krijon një konfuzion që përkthehet në kosto shtesë dhe vonesa të mëtejshme në kërkim të së drejtës. Duke e konsideruar si pozitiv digjitalizimin e procedurave të kadastrës në një horizont afat-gjatë mbetet parësor standardizimi i procedurave të asistencës qytetare me qëllim shmangien e asimetrisë së informacionit që vijon të jenë shqetësuese dhe risk për funksionimin e zgjidhjes së ofruar. Digjitalizimi i një procesi rrit pavarësinë e procedurës nga faktori njerëzor në favor të eficiencës së sistemeve, por nëse nuk ka linjëzim të procedurës me një logjike të kthjellët administrative për të lehtësuar bashkërendimin institucional të agjencive të përfshira në proces me afate kohore të qarta e të respektueshme nga të gjithë, risku i ineficiencave mbetet i lartë ndërsa problematikat e të drejtave të pronësisë ende të pazgjidhura. Transparenca publike e progresit të rasteve, asistenca 24/7 e qytetarëve për realizimin e aplikimeve, shënimet sqaruese për çdo hap të procesit dhe krijimi i sporteleve online të dedikuara për të adresuar çdo paqartësi të qytetarëve në lidhje me rastet e tyre pronësore të pazgjidhura, mbeten parakushte të nevojshme që kjo ambicie qeveritare të kthehet në zgjidhje finale të reformës për të gjithë familjet shqiptare që prej dy dekadash enden dyerve të agjencive shtetërore në dy dekada duke humbur kohë, para e jo pak nga dinjiteti i tyre.

Ja kush është Ksenia Oleneva

Ksenia Oleneva është Drejtore Ekzekutive e ICG Research, një qendër kërkimore socio-ekonomike me fokus të dedikuar në zhvillimin e qëndrueshëm, sipërmarrjen dhe lirinë ekonomike. Ndërkohë “ICG Research” është një institut i pavarur mendimi që synon të hulumtojë dhe të ofrojë këshilla për politikat në fushat e transparencës, qeverisjes së përgjegjshme dhe rritjes së qëndrueshme. Një ekip i përkushtuar mendimtarësh të përkushtuar ndaj idesë së mirëqenies socio-ekonomike të ndërtuar mbi një partneritet solid midis sektorit privat dhe institucioneve publike.

Te tjera

Lajme te tjera