Avokati i njohur Spartak Ngjela, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend. Dje, në një intervistë për gazetën “SOT”, i pyetur nëse muaji shtator pritet që të sjell goditje të reja në radhët e të korruptuarve, ai u shpreh se gjatë shtatorit do të kemi elementë të rinj në goditjen penale të antikorrupsionit. Ai theksoi se korrupsioni në Shqipëri nuk ka shpëtim. I pyetur për debatet në politik për një kullë që pritet të ndërtohet në qendër të Tiranës pas Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, ai tha se është debat absurd pasi kulla ka çmim, ka miratim të organeve kompetente në funksion të arkitekturës së qytetit. Sipas tij, ata që kanë dyshim për paratë nëse kanë prova të bëjnë padi penale. Sa i përket rikthimit të Lulzim Bashës në PD, ai tha se është një rikthim normal. Lidhur me ish- ministrin Arben Ahmetaj që vijon që të jetë në arrati, ndërsa pak ditë më parë ka ankimuar nëpërmjet avokatit të tij edhe masën e sigurisë arrest me burg, i pyetur se nëse mendon se do të zgjas edhe shumë arratisja e tij, ai tha se varet se sa e fortë do të jetë forca e shtetit shqiptar për ekstradim.
– Zoti Ngjela, gjatë këtyre muajve kemi parë goditje nga SPAK, të atyre që janë përfshirë në korrupsion mendoni se këto goditje do të vazhdojnë dhe muaji shtator do sjell goditje të tjera?
Shenjat janë që SPAK ka filluar që të lëviz dhe të veprojë dhe kjo gjë i ka trembur palët e inkriminuara. Duhet që të kemi parasysh që pa eleminuar krimin e organizuar nuk mund të bëhen goditje të larta, sepse krimi i organizuar dhe korrupsioni janë në aleancë, por krimi i organizuar është i mobilizuar ushtarakisht në kuptimin e forcës. Po ta shohim me vëmendje këta po godasin krimin e organizuar më shumë sesa politikën e lartë. Nga kjo kuptohet se do të eleminohen këta njëherë pastaj të tjerët. Korrupsioni në Shqipëri nuk ka shpëtim sepse e ka thënë edhe Blinken që SPAK-un e drejtojmë ne. Por do të shohim hap pas hapi. Nuk është se janë disa individë të përfshirë, është fenomen kriminal, pra është masiv krimi. Por, SPAK po ecën dhe në shtator do të kemi element të ri në goditjen penale të antikorrupsionit.
-Pra ju po thonë që po troket ora e pandëshkushëmërisë në Shqipëri…
Absolutisht po! Mendoj se ka ardhur koha që SPAK-u të godasë lart. Mendoj se ka ardhur koha të godasë në sferat e larta. Deri tani ka goditur majtas. Do vejë nga korrupsioni B ose jo, se deri tani është në korrupsion A, unë mendoj se po. Do të shikojmë se çfarë operacionesh juridike do të kemi në shtator. Nga shenjat e shtatorit do të nxjerrim të ardhmen e afërt. Korrupsioni do goditet me spektër të gjerë.
-Ndërkohë prej disa ditësh kanë plasur debatet në politik për një kullë që pritet të ndërtohet në qendër të Tiranës pas Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, ndërsa opozita i ka bërë thirrje SPAK që të hetoj. Keni një koment?
Është debat absurd pasi kulla ka çmim, ka miratim të organeve kompetente në funksion të arkitekturës së qytetit dhe kulla ka edhe paratë e financimit që mund të jenë kredi, por mund të jenë edhe individuale kjo nuk është se ka rëndësi shumë. Ata që kanë dyshim për paratë pse flasin në shtyp, ai që ka prova bënë padi penale, të tjerat janë budallallëqe Albanese. Kjo është politika shqiptare se drejtohet nga budallenjtë pa kulturë të gjerë për shtetin, kjo është njëra ana e medaljes. Ana tjetër e medaljes është se kultura qytetare shqiptare nuk e ka pranuar akoma personalitetin e individit, e përçau diktatura, por partitë politike ecën në doktrinën e sharjeve që kishte futur komunizmi për personalitetin e njeriut. Këta nuk respektojnë personalitetin e individit, janë jashtë kohës dhe hapësirës, janë në kohën e komunizmit.
– Pas katër muajsh në paraburgim, kryebashkiaku i zgjedhur për Bashkinë e Himarës Fredi Beleri, ka zhvilluar pak ditë më parë një takim me deputetin grek të partisë Demokracia e Re, Angelos Syrigos. Pas takimit Syrigos, deklaroi se çështja do të dërgohet në Bruksel dhe se marrëdhëniet mes dy vendeve mund edhe të përkeqësohen, si i shihni këto deklarata?
Intelekt i dobët, atje ka arvanistas ka edhe të ardhur që kanë ardhur nga Anadolli, koncepti i shqiptarëve i ka mbajtur ata, të tjerët janë ku thërret qameti në intelekt, nuk dinë se çfarë është gjuha, se çfarë është greqishtja e vjetër dhe urrejnë shqiptarët, sepse ia ka infiltruar kisha, po kisha nga ka ardhur, nga orienti, nuk është ortodoksi e Ballkanit ajo, sepse ortodoksin në Ballkan e kanë futur shqiptarët dhe e kanë zotëruar shqiptarët, kjo është historia. Tani Beleri është kapur me krim dhe ti tani shko në gjykatë, kujt ja kërkon lirimin. Duan ta prezumojnë Shqipërinë në një shtet diktatorial, sepse vetëm në një shtet diktatorial ti mund ti thuash diktatorit lirojë personin. Ky është shtet i të drejtës, ata shkelin mbi këtë fakt sepse nuk e kuptojnë. I pash mbiemrin këtij që mbronte Belerin, nga ata që ju thash pak më lartë, nuk kanë vlerë. Është një moment krize, por shqiptarët nuk duhet që të shqetësohen. Pse janë të shqetësuar ata, sepse sot shqiptarët dhe Shqipëria është aleate kryesore e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por ata kanë territore shqiptare, kanë dëbuar çamët, të cilët kanë qenë autoktonë atje dhe fjala çamë vjen nga lashtësia. Tani të gjitha këto vijnë dhe konvergojnë në një pikë dhe këta tani me mllefin e tyre kapen tek një Beleri, kush është ai, një hajdut që është kapur në flagrancë, i filmuar, i regjistruar dhe të fitoj lirinë në gjykatë. Kush do t’jua liroj atyre Parlamenti? Turp. Por, ne e kemi në favor që këta kundërshtarët tanë kanë këtë nivel të ulët intelekti.
– Pak ditë më parë dolën disa përgjime, ku të implikuar janë njerëz të botës së krimit, politikanë dhe drejtues policie, keni një koment?
Ato do vazhdojnë, është raport midis prokurorisë, krimit dhe gjykatës. Do të shohim kur të dalin në gjyq.
– Kryeministri Edi Rama shkarkoi pak javë më parë të gjithë sekretariatin e Partisë Socialiste, struktura drejtuese e PS pritet që të plotësohet në shtator, mendoni se do të ketë ndryshime të reja në shtator?
Janë në krizë, por Rama nuk e kupton dot se kriza vjen prej tij, është figura e dyshimtë e Ramës në funksion të drejtimit të shtetit i ka krijuar krizë në Partia Socialiste. Por, partia është në krizë të thellë, kriza e tyre vjen se Rama nuk ka personalitet për të drejtuar një shoqëri të tregut të lirë dhe e ka ngrirë shoqërinë. Por, shoqëria shqiptare mbahet me remitancat e emigracionit, por nuk ka koncept zhvillimi lidhur me tregun, ekonominë dhe prodhimin, sidomos prodhimin industrial, pasi Shqipëria sot ka vetëm prodhim bujqësor dhe kjo është krizë.
– Si e shihni rikthimin e Lulzim Bashës në politikë, pas dorëheqjes që bëri nga drejtimi i Partisë Demokratike, ndërsa tashmë u zgjodh sërish në krye të kësaj partie?
Më duket një rikthim normal. Ai dha dorëheqjen dhe tani u rikthye sërish. Ai nuk kishte dhënë dorëheqje të pakushtëzuar, ai dha dorëheqje që mund të rikthehej sërish, u kthye u zgjodh sërish, por tani të shohim se çfarë do të bëjë, por të vështirë e ka.
-Ish- ministri Arben Ahmetaj vijon që të jetë në arrati, ndërsa pak ditë më parë ka ankimuar nëpërmjet avokatit të tij edhe masën e sigurisë arrest me burg, mendoni se do të zgjas edhe shumë arratisja e tij?
Ankimimi është procedurë ligjore normale, por nuk e fiton dot. Pastaj sa i përket arratisë këtu varet se sa e fortë do të jetë forca e shtetit shqiptar për ekstradim, këtë do ta shohim. Shtetet të cilat e kanë do ta mbajnë me kërkesë për mbrojtje që ka ai si pasojë e goditjes penale apo do t’i përgjigjen kërkesës shqiptare për ekstradimin e një personi që ka kryer një krim.
