Rigels Seliman
Në vizitën dy ditore në Shqipëri i dërguari i SHBA për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar trazoi politikën në vend. Escobar erdhi në Tiranë para datës 14 prill, kur nisi zyrtarisht fushata zgjedhore. Në prapaskenë ai ka dhënë disa deklarata që nuk mund të thuheshin publikisht, sepse do të quhej ndërhyrje në punët e brendshme të Shqipërisë. Por ajo që vërtetohet nga vizitat e tij të mëparshme, zakonisht kur Escobar vjen, sjell me vete lajme që duken dhe që nuk duken. Takimi më i nxehtë ishte mes tij e kryeministrit Rama, i mbyllur dhe pa konferencë për mediat. Gjithçka ndodhi për 20 minuta. Në këtë takim u dhanë dy mesazhe shumë të rëndësishme, të cilat hedhin piketat se çfarë do të ndodhë me politikën shqiptare pas 14 majit. Edi Rama e zbatoi me përpikmëri kërkesën e parë të Escobar pas takimit 20 minutësh, por mesazhi i dytë pritet të zbatohet në vijim ku padyshim fitorja si e Pirros do të detyrojë kryeministrin të kthejë haraçin. Edi Rama sot që flasim e ka kthyer vendin një ngjyrësh, ku pushteti vendor dhe qendror është përqendruar i gjithi në duart e tij, si një model i ngjashëm me Bjellorusinë e Lukashenkos dhe Korenë e Veriut të Kim Jong ut. Ai i mbështetur nga Meta dhe Berisha u investua në shkatërrimin e opozitës, por të gjitha këto zhvillime do të bëjnë që Rama tani të përmbushë me përpikëri mesazhet që Escobar i ka dhënë në tavolinë.
Pse Rama ka frikë të shkelë në SHBA?
Po pse Edi Rama ka frikë të shkojë në SHBA? Gazeta “SOT” ka mësuar se atje mund të ketë një flet-arrest për çështjen e tij kundër “Mccgonigal”. Kreu i qeverisë shqiptare po bën 7 muaj që nuk shkel në Uashington. Zyrtarët e lartë të SHBA në vizitat e tyre të fundit në Shqipëri teksa kanë folur dhe për skandalin “McGonigal”, çështjen e nxehtë ku është përfshirë dhe kryeministri Rama kanë qenë të kujdesshëm në komentet e tyre, pasi procesi penal ende vazhdon dhe dosja është ende nën hetim nga FBI. Por në reagimet e tyre tregohet qartë se amerikanët nuk pyesin për emra. “Unë nuk mund të flas për një çështje të hapur penale, si rasti i ‘McGonigal’. Marrëdhënia mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë është me popullin e Shqipërisë, me institucionet, jo me një parti dhe jo me një individ. Thënë kështu, do të thoja se marrëdhënia jonë me Shqipërinë është më e mira që kemi pasur ndonjëherë”, tha Ecobar para pak javësh. Pra i dërguari i DASH, Gabriel Escobar konfirmoi hapur atë që gazeta “SOT” ka muaj që e shkruan, se raportet e SHBA me kryeministrin Rama janë prishur. Zyrtari i lartë amerikan për herë të parë spostoi Ramën. Ai tha se SHBA i ka raportet me shqiptarët dhe jo me individët, duke ja bërë të qartë Ramës dhe kujtdo tjetër se ata janë të zëvendësueshëm. Nga ana tjetër dhe senatori amerikan, Chris Murphy konfirmoi se krimi me “McGonigal” ku është përfshirë dhe Rama është i përmasave gjigante. “Sigurisht, nuk jam i shqetësuar për marrëdhëniet me Shqipërinë. Ato nuk kanë qenë kurrë më të mira. Këto janë akuza serioze, por tashmë janë pjesë e një procesi penal që është ende nën hetim. Ne jemi gjithmonë shumë të kujdesshëm, pasi si anëtarë të Senatit amerikan, ne nuk komentojmë për çështje që janë ende nën hetim, qoftë për qytetarët amerikanë, ose për qytetarë të shteteve të tjera. Jemi duke ndjekur çështjen dhe presim të përfundojë”, u shpreh ai.
Pazaret e Ramës, Vuçiçit dhe Lukashenkos
Nëse do i referohemi dosjes hetimore të agjentit të FBI, duket qartë që Rama ka një lidhje të fortë me të dhe personat që kanë qenë ndërmjetësit e tij. Takimet e shpeshta të një kryeministri me një personazh që nuk ka asnjë lidhje me politikën shqiptare, ekzekutivin apo me çfarëdolloj institucioni që i përket këtij shteti, janë një pikë e errët për një personazh që drejton shtetin shqiptar, i cili e fut drejtimin e shtetit në hulli spiunësh, personazhesh të dyshimtë apo dhe pazaresh të rëndomta. Se çfarë ka ndodhur, çfarë kanë thurur, apo në çfarë aferash është zhytur Rama me spiunin McGonigal, ky është një hetim i ndërmarrë nga shteti amerikan dhe padyshim që e ardhmja do të ketë shumë surpriza. Rama ka dalë më hapur se kurrë kundër linjës së Perëndimit. Ka zëra se Vuçiç, Lukashenko dhe Rama i lidhin bashkë interesa strategjike duke filluar nga puset e naftës që menaxhohen nga rusët, por edhe investimet e fundit nga sheikët arabë nga Dubai të cilët kanë shtrirë tentakulkat. Edi Rama, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe presidenti i Bjellorusisë Aleksandër Lukashenko janë të lidhur shumë ngushtë me një kompani të njohur arabe. Është pikërisht Mohamed Alabbar, themelues dhe pronar i kompanisë EMAAR. Në takimet e tij me liderët e këtyre vendeve ka premtuar ndryshime radikale në projektet që ka marrë përsipër të ndërtojë, ku flitet për shuma marramendëse dhe në pika strategjike për secilin vend. Por, se çfarë fshihet pas këtyre investimeve në Shqipëri, Serbi apo Bjellorusi, ende nuk është zbuluar. Një gjë është e sigurt, sado që Vuçiç, Rama, apo dhe Lukashenko të sfidojë Perëndimin për interesat e tyre personale, fundi i tyre do të jetë tragjik.
