Ashtu siç paralajmëroi 2 ditë më parë nga vetë kryeministri Edi Rama në Bulqizë, Komisioni për Ekonominë dhe Financat miratoi me votat e opozitës dhe mazhorancës rritjen e pagave për drejtuesit e lartë të shtetit. Edhe pse përpara zgjedhjeve lokale të 14 majit, palët nuk arritën dot në Kuvend të miratonin këtë nismë, duket se pozita dhe opozita zhvilluan skenarin e radhës për të finalizuar një marrëveshje me jo pak ndikim në buxhetin e shtetit, si rrallëherë në historinë e pluralizmit në vendin tonë. Ajo çfarë bie në sy është këmbëngulja e deputetëve të opozitës se janë injoruar prej vitesh nga rritja e pagave duke mbetur me normën e vitit 2005. Një tjetër fakt interesant dhe shqetësues që tregon favorizimin e plotë të kupolës drejtuese të shtetit shqiptar dhe përfaqësuesve legjislativë, është rritja me mbi 100 mijë lekë (1 milion lekë të reja) të pagave nga drejtuesit e institucioneve shtetërore deri te kryeministri e presidenti. Po ta krahasojmë me premtimet e kryeministrit Rama për rritjen e pagave për mjekët, policët, ushtarakë dhe mësuesit, në pjesën më të madhe rritja nuk shkon as në 50% të pagës referencë. Shqetësimi i madh i deputetëve për rritjen e majme të pagave të tyre duke “harruar” dje dhe kritikat e këtyre kohëve për “pilulat” e Ramës për Pakon e Madhe 8 milionë euro për pensionistët e nënat me 3 fëmijë dhe zhvatjen e qytetarëve me Bordin e Karburanteve (së paku 150 milionë euro të siguruara), tregon qartë se zgjedhjet e fundit lokale po afrojnë akoma më shumë pozitën dhe opozitën, me gjithë akuzat e forta publike nga “Foltorja” për vjedhje të zgjedhjeve. Jo rastësisht, dhe kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla kërkoi ndihmën e PD zyrtare për bashkëpunimin për Reformën në Drejtësi, Reformën Zgjedhore dhe Avokatin e Popullit. Megjithëse Berisha dhe mbështetësit e tij akuzojnë PD zyrtare si “kolaboracioniste” dhe të marrë “peng” nga Rama, duket se rasti i djeshëm provon dhe “zbutjen” e “Foltores” ndaj supermazhorancës socialiste.
Si ndryshojnë pagat e drejtuesve të shtetit? Deputetët më “të përkëdhelurit”
Deputeti nga 156.770 lekë në 310 mijë lekë, ministri nga 228 mijë lekë në 329 mijë lekë, presidenti nga 257 mijë lekë në 425 mijë lekë, kryeministri nga 188.979 lekë në 395 mijë lekë, kryetari i Kuvendit nga 228.730 lekë në 395 mijë lekë, 100 mijë lekë rritja për institucionet kryesore.
Policia, nga 97.500 lekë për inspektorin e parë te 187.500 lekë për drejtuesin madhor
Për strukturën drejtuese të Policisë së Shtetit, rritja e pagave do të bëhet sipas kategorive: drejtuesit madhorë nga 139.375 lekë në 187.500 lekë; drejtuesit e rangut të dytë nga 113.375 lekë bëhet 137.500 lekë; për komisarët nga 91.500 rritet në 112.500 dhe për inspektorin e rangut të parë rritet nga 77.055 lekë në 97.500 lekë.
Burgjet, nga 97.500 lekë për inspektorin e parë në 187.500 lekë për drejtuesin madhor
Për pjesëtarët e Policisë së Burgjeve, pagat do të rriten nga drejtuesi madhor deri te inspektori i parë në këtë mënyrë: nga 138.375 lekë në 187.500 lekë për drejtuesit e parë, nga 112 mijë lekë në 137 mijë lekë për drejtuesin e rangut të dytë, nga 83 mijë lekë në 112 mijë lekë për komisarin dhe nga 71 mijë lekë në 97.500 lekë për inspektorin e parë.
PMNZSH, nga 75 mijë lekë për asistent-zjarrfikësin te 125 mijë lekë për komandantin
Komandanti i zjarrfikëseve do paguhet 125 mijë lekë, inspektori 90 mijë lekë, zjarrfikësi 80 mijë lekë dhe asistenti-zjarrfikës 75 mijë lekë.
Rritja e pagave për mësuesit mesatarisht 3-4 mijë lekë
Pagat e mësuesve në të gjitha ciklet rriten mesatarisht me 3 mijë deri në 4 mijë lekë në muaj dhe rritja ka hyrë në fuqi duke filluar nga data 1 prill e këtij viti. Për mësuesit në shkollat e arsimit të mesëm të lartë, paga bazë ishte 54.900 lekë në muaj dhe ndryshon në 58.800 lekë në muaj. Për mësuesit në arsimin e mesëm të ulët në shkollat 9-vjeçare, paga rritet nga 51.200 në 54.800 lekë në muaj. Mësuesit në arsimin fillor në shkollat 9-vjeçare do të kenë një pagë të re bazë prej 48 mijë lekësh në muaj duke filluar që nga data 1 prill ose 3.200 lekë më shumë në muaj nga sa merrnin deri tani.
Rritje pagash me 7% për 6654 pjesëtarë të Forcave të Armatosura
Në muajin mars, qeveria vendosi për rritjen e pagave për rreth 7 mijë pjesëtarë të Forcave të Armatosura (saktësisht 6654) të Republikës së Shqipërisë. Pagat për ushtarakët do të shtohen me 7% në këtë vit, ndërsa në total nga viti i kaluar, rritja e rrogave për ta shkon në 37%. Po ashtu, Ministria e Mbrojtjes ka hapur mundësinë për të rinjtë e moshave 18-27 vjeç që të bëhen rekrutë të FA. Përfitimet janë: puna e garantuar në FA, mundësi për karrierë të suksesshme, të ardhura mujore dinjitoze, shërbim shëndetësor për vetë rekrutët dhe familjarët, mundësi kurimi të specializuar brenda dhe jashtë vendit, mundësi arsimimi dhe kualifikimi ushtarak brenda dhe jashtë vendit pa pagesë, përparim në gradë dhe karrierë, etj.
Rritja e pagave deri në 2024, nga 16.500 lekë në 49.125 lekë sipas kategorive
Për procesin e rritjes së pagave për kategoritë policë, gardistë, punonjës të burgjeve dhe forcat zjarrfikëse, shefi i mazhorancës tha se rritja do të kryhet në mënyrë të progresive sipas kategorive brenda vitit të ardhshëm nga 16.500 lekë në 49.125 lekë.
Share
Te tjera
