Kryetari aktual i Bashkisë së Kamzës, Rakip Suli, i cili garon për një mandat të dytë nën siglën e Partisë Socialiste në zgjedhjet lokale të kësaj të diele, ka folur sa i përket mandatit 4 vjeçar në krye të Bashkisë së Kamzës, investimet që janë bërë si edhe se ku do të fokusohet nëse zgjidhet për një mandat të dytë në krye të kësaj bashkie. Në një intervistë për gazetën “SOT”, i pyetur se cilat janë disa nga veprat me të cilat krenohet gjatë kësaj periudhe dhe ndryshimet që solli në Kamëz, ai u shpreh se në mandatin e tij të parë, u përballë edhe me dy sfida si pandemia dhe tërmeti. Ai deklaroi se në kohën e pandemisë u arrit që të shkohej tek 8400 familje për t’i ndihmuar me pako ushqimore. Sa i përket tërmetit ai u shpreh se sot janë rreth 426 familje të sistemuara në shtëpi individuale, të cilat janë më të mëdha, më të forta dhe më të mira, ndërsa theksoi se po ashtu, ka përfunduar rindërtimi në zonën e Valiasit të vjetër, kanë përfunduar 20 pallate dhe ka 1 vit që janë 270 familje të sistemuara në shtëpitë e tyre. I pyetur se cilat janë premtimet kryesore për 4 vitet e ardhshme dhe ku do të fokusohet nëse zgjidhet në krye të bashkisë së Kamzës për një mandat të dytë, ai theksoi se jemi fokusuar shumë tek investimi në arsim. Madje Suli theksoi se pas bashkisë së Tiranës bashkia Kamëz paguan bursa për nxënësit ekselent, ku janë 387 nxënës ekselent sot nga klasa e 6 në të 9 dhe nga klasa e 10 në klasën e 12 marrin bursa. Ai u shpreh se si kryetar bashkie asnjëherë nuk i ka ndarë njerëzit në të majtë dhe në të djathtë, në të pasur dhe në të pamundur dhe unë sot trokas në çdo familje dhe kjo bashki sot është në shërbim të qytetarëve.
-Zoti Suli, pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet lokale të 14 majit. Ju tashmë përmbyllni mandatin tuaj të parë. Cilat janë veprat me të cilat krenoheni gjatë kësaj periudhe? Çfarë ndryshimesh sollët në Kamëz?
Në mandatin tim të parë, ne u përballëm edhe me dy sfida shumë të rëndësishme si pandemia dhe tërmeti. Në kohën e pandemisë ne arritëm të shkonim tek 8400 familje për ti ndihmuar me pako ushqimore dhe për t’u thënë se ju nuk jeni vetëm. Ndërsa sa i përket tërmetit fal edhe mbështetjes së kryeministrit Rama që tha se paratë do i nxjerr edhe nga dheu dhe familjet do sistemohen në shtëpitë e veta. Sot kemi 426 familje të sistemuara në shtëpi individuale, të cilat janë më të mëdha, më të forta dhe më të mira. Po ashtu, ka përfunduar rindërtimi në zonën e Valiasit të vjetër, kanë përfunduar 20 pallate dhe ka 1 vit që janë 270 familje të sistemuara në shtëpitë e tyre. Po ajo që është më e bukura është se nuk është se është ndërtuar shtëpia, sepse një familje nuk duhet të ketë vetëm shtëpinë nëse ti si ke krijuar gjëra të domosdoshme si është çerdhja, shkolla dhe kopshti dhe po përfundojmë lulishtet, këndet e lojërave dhe ambientet sportive. Sfida e dyta ka qenë pjesa e përmbytjes së Kazmës, si zona e Valiasit të ri, Valiasit të vjetër dhe këto familje rrinë në ankth sepse i përmbyteshin shtëpitë, por tashmë ka marr fund pjesa e përmbytjes, ku kemi përfunduar 152 km sa i përket infrastrukturës nëntokësore për kanalizimin e ujërave të zeza. Një nga sfidat më të rëndësishme është pjesa e arsimit, ku kemi arritur në mandatin e parë 38 objekte arsimore, çerdhe, kopshte dhe shkolla dhe është bërë një punë titanike dhe 10 objekte i kemi në përfundim e sipër. Një kryetar bashkie duhet t’i vërë disa synime vetës që të arrij diçka të pamundur dhe në 30 vite demokraci nuk është ndërtuar një park nga e para dhe sot e them me krani që parku i parë 84 hektar dhe ka përfunduar pedonalja prej 5.1 km dhe janë mbjell rreth 22 mijë pemë.
-Cilat janë premtimet kryesore për 4 vitet e ardhshme, nëse do të zgjidheni për një mandat të dytë? Ku do të fokusoheni?
Bashkia e Kamzës është bashkia e 5 ose 6 për numër popullsie, por për të rinjtë për nxënësit nga klasa e parë deri në të 12 është bashkia e 3 në vend, kemi 20 mijë nxënës dhe jemi fokusuar shumë tek investimi në arsim. Pas bashkisë së Tiranës ne paguajmë bursa për nxënësit ekselent, ku janë 387 nxënës ekselent sot nga klasa e 6 në të 9 dhe nga klasa e 10 në klasën e 12 marrin bursa. Ne kemi hyr edhe në këshillin rinor ku bëhen takime njëherë në muaj dhe jo takime formale, por me propozime se çfarë mund të bëjmë. Kemi 18 ekipe volejbolli dhe basketbolli dhe të mos harrojmë edhe familjet në nevojë, ku Rama ka dyfishuar pjesën e ndihmës ekonomike, në kopshte dhe çerdhe fëmijët kanë ushqime falas dhe këto familje që nuk kanë shtëpi ne i kemi mbështetur me bonos qiraje dhe i është dhënë mundësia edhe për të punuar.
-Pak kohë më parë ju patët edhe një vizitë nga kryeministri i vendit Edi Rama. Si ka qenë marrëdhënia me të?
Marrëdhënia me kryeministrin Edi Rama dhe krah tij je aq kohë sa ti je korrekt me punën tënd vazhdon rrugëtimin nëse ke dhënë modelin tënd, ke qenë korrekt me ligjin dhe ke bërë më të mirën për njerëzit. Në krah të Edi Ramës nuk rri dot nëse t’i nuk bënë punën dhe nuk realizon ato objektiva që pret kryeministri nga ty.
-Kamza është konsideruar shpesh herë edhe si bastion i djathtë. Megjithatë, ju kemi parë të merrni rezultate pozitive edhe në “terrene politike” të vështira. Çfarë mesazhi keni ju për demokratët? A duhet të zgjedhin Partinë Socialiste?
Në betimin që kamë bërë si kryetar bashkie ka qenë se nuk do ti ndaj njerëzit në të majtë dhe në të djathtë, në të pasur dhe në të pamundur dhe unë sot trokas në çdo familje dhe kjo bashki sot është në shërbim të qytetarëve. Kjo mua më dha mundësinë që sot që kandidoj për mandatin e dytë, i majtë dhe i djathtë do të votojë Rakip Sulin sepse nuk kam bërë diferencim në të majtë dhe në të djathtë, sepse nëse premtova një çerdhe bëra 5 të tilla nëse premtova 3 kopshte bëra 13 kopshte. Dhe qytetarët do ti japin mesazh politikës shqiptare për të thënë se ne nuk jemi pronë asnjë partie politike. Ne kemi bindjen e plotë se qytetarët jo vetëm që do të votojnë Rakip Sulin, por do ti japin edhe një mesazh politikës shqiptare.
-Cilat janë projektet që keni për infrastrukturën?
Kemi 110 km infrastrukturë rrugore dhe investimi do të vazhdojmë. Në Valiasin e vjetër do të ketë një kompleks sportiv, me stadium, lojëra me dorë, kënde lojërash për fëmijë, për moshën e tretë po ashtu, edhe në Bathore fillon së shpejti investimi. Do të ketë tualete publike pjesa e parkut, sfida më e madhe e imja në mandatin e dytë është sistemi i familjeve që janë prekur nga unaza e madhe. Ku qytetarët kanë firmosur marrëveshjet dhe kjo është sfida ime më e madhe.
-Sporti ka qenë gjithashtu një “merak” i juaji. Çfarë jeni përpjekur të bëni në këto katër vite për sportin dhe çfarë synoni në vijim?
Unë kam mbështetur më shumë lojërat me dorë, po ashtu jam i kënaqur edhe nga skuadra e basketbollit. Në vizionin tim është se dua të krijojmë një akademi, ku mund të krijohet një ekip të cilët mund të jenë me rroga dhe nuk u shërbejnë 11 lojtarëve në fushë, por 200 apo 300 fëmijëve që nesër aktivizohen në futboll, basketboll.
-Cili është mesazhi kryesor që keni për ata që nuk e kanë ndarë mendjen ende se për kë do të votojnë në 14 maj?
Mesazhi im është ky, nëse Rakipi si kryetar bashkie bëri investime që nuk janë bërë në 30 vite, nëse mendojnë se kopshti apo shkolla shërben për fëmijën e tyre dhe është me standarde, duke votuar Rakip Sulin, duke votuar numrin 1, Rakipi do vazhdojë që të jap shpresë dhe besim, unë do flas me punët e bëra në këto 4 vite, që Kamza sot po bëhet një zonë jo vetëm e banuar, por edhe një zonë me qytetari model.
