E shtunë, 3 Tetor, 2026

Kreshnik Spahiu zbardh pazaret: Ja sa bashki do i dhurojë Rama Berishës dhe rruga që duhet të ndjekë Basha për të ‘asgjësuar’ politikisht kreun e ‘Foltores’

Share

Juristi dhe analisti i njohur, Kreshnik Spahiu ka komentuar situatën politike në vend. Gjatë një intervistë për gazetën “SOT”, juristi Spahiu theksoi se nëse Lulzim Basha e ka seriozisht luftën me Berishën, në 15 maj sipas tij, ai duhet të protestojë para SHQUP për humbjen. Spahiu ngriti dyshimin se lufta brenda PD nuk është e vërtetë, por një lojë ndaj amerikanëve dhe që Basha të vërtetojë të kundërtën sipas tij, në 15 maj duhet të nxjerrë Berishën nga selia blu. Ndërkohë duke komentuar atë se çfarë pritet të ndodhë një ditë pas zgjedhjeve lokale, ai shtoi se më 15 maj nuk ndodh gjë tjetër veçse zhgënjimi i popullit. Madje Spahiu shprehet se zhgënjimi do të vijë për shkak se Rama, Berisha dhe Meta do të jenë përsëri aty, ndërsa qytetarët do të ngelen pa shpresë për një të ardhme më të mirë politike.

-Zoti Spahiu, edhe pak ditë na ndajnë nga zgjedhjet lokale të 14 majit, si e keni parë deri tani fushatën?

Shiko! Edhe po të shohim sloganet e partive, treshja Meta, Rama dhe Berisha kanë pushtuar këtë  fushatë dhe nuk kuptohet kemi të bëjmë me zgjedhje për zgjedhjen e kryeministrit apo me zgjedhje për zgjedhjen e kandidatëve për kryetar bashkie. Shumë qytetarë as që i njohin shumë nga këta kandidatë që garojnë për kryetar bashkie. Përtej PD dhe PS të kishte vota për individët që janë personalitete nga familje të  shquara. Mendoj se 14 maj do të jetë një dështim dhe 15 maj do të jetë zhgënjim. Në 15 maj nuk do të ik asnjë prej tyre, ata do të jenë aty sërish, por do të largohen qytetarët nga ky vend. Kemi të bëjmë me një sistem të kapur dhe këta 3 persona janë marr vesh me njëri-tjetrin që do të sundojnë skenën politike dhe nuk do të lejojnë asnjë faktor tjetër politik, sikur njëri prej tyre të largohet do të largohen edhe tjerët. Këtu problemi nuk është sa bashki do marr Berisha, por sa bashki do t’i dhurojnë Rama. Shqiptarët, votojnë për parti që nuk i duan, për kandidatë që nuk i duan, kur populli voton një pushet që e urren kjo do të thotë se opozita nuk ekziston dhe se nuk ka alternativë tjetër. Është njësoj si në kohën e Partisë së Punës.  Shqiptarët votojnë se nuk shohin alternativ sepse pjesa tjetër është më e errët, ata nuk kanë lënë mundësinë e alternativave të tjera politike. Ata rrinë në pushtet sepse kanë frikë nga drejtësia dhe i kanë duart e lyra me gjak. Më 15 maj PS do të votojë me shumicë dhe mund të lërë ndonjë qytezë në veri që mund ta marr Meta dhe Berisha. Rama është i interesuar që të mos asgjësoj Berishën dhe Metën. Rama mund të fitoj së paku deri në 48 apo 50 bashki.

-Një koment sa i përket gjuhës që përdoret  nga 3 liderët, sidomos Rama dhe nga Veliaj?

Sepse Edi Rama ka mbaruar Akademinë e Arteve dhe kjo është pjesë e një regjie të paramenduar për të aktruar. Dhe qytetarët i besojnë akuzat që hedhin ndaj njëri tjetrit Rama, Meta dhe Berisha, ata mund të bëjnë sikur vriten dhe më pas kanë qenë shok dhe madje kanë vrarë bashkëpunëtorët e njëri-tjetrit dhe më pas kanë qeverisur me njëri-tjetrin. Por edhe nuk kanë alternativ tjetër sepse ata e kanë kapur sistemin dhe nuk kanë kë votojnë tjetër. Unë do preferoja më mirë disa individë që kanë ego për të hyrë në skenën politike, por nuk i kanë bërë ndonjë dëm këtij populli dhe këtij vendi dhe nuk i kanë duart e lyera me gjak.

-Keni një koment për situatën në PD dhe çfarë parashikoni pas 14 majit?

Kam dyshimet e mia për liderët e PD. E kam vënë në dyshim nëse është luftë e vërtetë apo lojë. Një nga rastet që kam treguar është se nuk e besoj se nuk kishin 61 kandidatë për të garuar në 14 maj. Është e pamundur që PD që ka 40 deputetë të mos gjejë 61 njerëz. Fakti që nuk i vunë dhe nxorën disa arsye mund të mos jetë një luftë reale mes tyre por një lojë ndaj amerikanëve. Pas 14 maji do shihet nëse Basha dhe të tjerët do protestojnë para PD. Ajo që ndan lojën nga lufta është një PD zyrtare në 15 maj, nëse humb Berisha, duhet të jenë para dyerve të SHQUP për të nxjerrë Berishën nga godina.

-Është rikthyer dosja Tropoja dhe një pjesëtare e familjes Haklaj ka dëshmuar në SPAK pak kohë më parë, përse rikthyet tani kjo dosje sipas jush?

Në fakt këto janë vrasje që kanë ndodhur para 25 vitesh. Kur janë kryer vrasjet unë kam pas zyrën time juridike si avokat dhe kam qenë avokat i Azem Hajdarit dhe do rezervohesha për t’u shprehur sepse vëllezërit Haklajt kanë vrarë një nga miqtë e mi më të mirë. Në Tropojë ka qenë e rrezikshme për çdo njeri të shkonte, dhe padyshim duhet hetuar dhe dyshoj se një ditë këto ngjarje do të zbardhen. Edhe nëse ka persona që kanë dijeni nuk guxojnë që të flasin, të gjithë janë të frikësuar.

-Ju keni bërë një krahasim për 1 majin në Shqipëri dhe në Berlin, pse e bëtë një paralelizëm të tillë?

Sepse ndjej keqardhje që në vendet më të zhvilluara  i gjithë populli është në protestë dhe protestohet për më shumë te drejta, ndërsa shqiptarët shkojnë në plazh drejt Durrësit. Ndjej keqardhje se si një popull aq i mjerueshëm dhe i varfër po ashtu i pakënaqur me pushtetin zgjedhin që edhe ditët e protestës ti kthejnë në festë. 

Intervistoi: Rigels Seliman

Te tjera

Lajme te tjera