Nga Bardhyl Bejko
Vite më parë në Sarandë pas zgjedhjeve vendore, Këshilli Bashkiak nuk ishte fituar në shumicë nga asnjë forcë politike. Copëzimi i këshillit ishte kaq i theksuar sa zor të arrihej kuorumi ligjor për zgjedhjen e kryesisë, kryetarit të Këshillit Bashkiak, që rëndom cilësohet si parlamenti vendor. Këshilli bashkiak kishte një formë të shformuar si mozaik i shpërndarë në tokë dhe jo pak e etiketuan këshilli shumëkëmbësh, i ngjashëm me oktapodin e shtrirë në rërën, poshtë syprinës së detit në përpjekje për t’u fshehur nga gjuetia e peshkatarëve. Anëtarët e Këshillit të ri u mblodhën në sallën e Hotel “Butrinti” në pritje të fillimit të konstituimit. I deleguari i Ministrisë së Brendshme, i ndjeri Ferdinand Pone, i thirri të gjithë këshilltarët e djathtë, një nga një në një nga kthinat e katit të parë dhe u shënoi në pëllëmbën e dorës me stilolaps emrin e kryetarit, zëvendësit dhe sekretarit. U kërkoi garanci për votën dhe pasi u zgjodh komisioni i votimit, u vendos kutia në tavolinë dhe nisi votimi. Secili prej këshilltarëve nga Partia Demokratike pasi merrte fletën e votimit, verifikonte emrat në pëllëmbën e dorës dhe votonte sipas “udhëzimit misterioz”. Në këtë mënyrë votuan të gjithë.
Jo vetëm këshilltarët demokratë, por edhe ata të partive minore. Në përfundim, fituan të paracaktuarit nga partia. Partia Socialiste humbi në përpjekje për të marrë kryetarin. Kryetari i nominuar pasi u shpall fitues zuri vend në podium dhe duartrokitjet nuk kishin të reshtur. Objektivi ishte arritur. I deleguari kishte zbatuar direktivën e qeverisë dhe kryetarit të partisë. Përbërja e këshillit kishte grupin më të madh nga radhët e socialistëve, po mbetën në opozitë, falë skemës së shkrimit në dorë dhe betimit për mos të tradhtuar direktivën e partisë. Po ç’ndodh me zgjedhjet në këshillat bashkiake dhe sa reale janë votat që marrin kandidatët dhe a përfaqësojnë peshën reale partisë që përfaqësojnë? Le të mos gjurmojmë zgjedhjet e viteve të shkuara, po le të bëjmë një vëzhgim të shpejtë të pretendentëve që synojnë një vend në këshillin bashkiak të zgjedhjeve të 14 majit që edhe dy javë na ndajnë para se t’u drejtohemi kutive të votimit. Këshilli bashkiak në bashkinë e Sarandës përbëhet nga 31 këshilltarë. Në qytet janë dhjetëra parti, të cilat synojnë vende në këtë organizëm. Edhe pse vetë partitë që nuk kanë elektorat dhe shumë prej tyre kanë vetëm, vulë e logo, parti që nuk u dihet as emri, as nami, as nishani, janë pretendentë për një vend në këshill ata që i kanë zgjuar partizat, duke u vetëofruar për t’i përfaqësuar me garancinë se do u japin një apo dy vende në parlamentin e bashkisë. Kështu nën siglën e Partisë së “Ballit Kombëtar demokrat “ se ka edhe një Ball tjetër, janë vetëofruar kandidatë që kanë kërkuar vetëm strehim nën ombrellën e kësaj force politike që realisht nuk siguron kurrë në mënyrë normale, një këshilltar të vetëm, jo për mungesë preferencash, po për faktin e thjesht se nuk ka mbështetës.
Dhe nuk i dihet as zyra, madje as kryetari. Aq më tepër që janë dy parti që përfaqësojnë Ballin. Në të njëjtën situatë janë edhe demokristianët, të cilët kur kanë qenë parti në qeverisje ia kanë arritur të kenë përfaqësim në këshill. Po në të njëjtin stad dhe pamundësi për këshilltarë kanë qenë liberalët, të cilët në Sarandë dhe jo vetëm numërohen me gishtat e dorës. Kështu me agraristët e konservatorët apo partia që përfaqëson emigrantët. Këtyre partive nuk ua dinë as emrin, as siglën, asgjë. Nuk kanë as zyrë e as kryetar. Po të gjitha pavarësisht nga pesha duan të kenë patjetër këshilltarë në këshillin bashkiak të ri. Në zgjedhjet e pritshme janë qindra kandidatura të partive nga më minoret deri tek partitë e mëdha, që i kanë vënë vetes detyrë ose marrin këshilltarë ose rashë e vdiqa. Dhe pasi të fitojnë një këshilltar në bashki të deklarohen se janë parti me përfaqësi. Kjo betejë për të patur këshilltar ka bërë që parti minore të nxjerrin gjoksin dhe të shfaqen si pretendentë, si të mbështetura në elektorat. Si forca që kanë simpati tek votuesit. Mbështetës që si zë gjumi për interesin dhe dinjitetin e partisë. Dhe këtu nis gara kush të fitojë këshilltar në bashki që nesër të deklarohet si parti me fuqi që e mbështet populli. Po si qëndron e vërteta dhe a kanë shans këto partiza të kenë këshilltarë si mbështetje reale me ndikim tek qytetarët? Këtu fillon edhe fiktiviteti, subjektivizmi, mungesa e kualiteteve, individë publik me reputacion qytetar, me vlera të spikatura, që kanë peshën dhe zotërojnë dijet për të çuar në këshill problemet qytetare. Ky spontanitet në realitet çon në këshill individë ekstrem me orekse të mëdha pa asnjë sens logjik dhe që priren nga dëshirat dhe pasionet se sa realiteti konkret. Realisht këto partizat nuk kanë asnjë fuqi reale. Votat e tyre nisur nga përvojat e viteve të shkuara nuk e kalojnë numrin dhjetë. Për një këshilltar nevojiten 350-400 vota, të cilat nuk i marrin dot as në rang qarku. Po ç’ndodh në realitet? Partitë tronditen pikërisht nga këmbëngulja e atyre që luftojnë me mish e shpirt për të zënë një karrige në këshill. Për ata nuk ka asnjë vlerë ideologjike dhe asnjë lidhje shpirtërore me parzën. Në këto raste, partia është marrë me qira sa t’i mundësohet regjistrimi për t’i prerë rrugën e gjatë kandidimit të pavarur. Këtë telash e kapërcen përmes sigurimit të siglës dhe vulës së partisë edhe pse minore, por t’u regjistruar në ne gjykatë dhe për të legjitimuar veprimtarinë politike si pjesë e spektrit shumëpartiak. Është kjo tentativë për t’i dhënë një dimension të ri pluralizmit në këshillin e bashkisë, për të patur sa më shumë zëra përfaqësuesish të grupimeve dhe shtresave të qytetit dhe rrethinave, për të ngritur zërin për problematikat që kanë qytetarët dhe vetë qyteti. Në realitet motiv janë interesat individuale për të zënë një karrige në tavolinën e këshillit. A janë vërtetë përfaqësues të spikatur pretendentët për këshilltar apo individ anonim, jo publik që kanë të vetmen meritë, dashurinë për të marrë një këshilltar?
A është një betejë për të deleguar në parlamentin vendor kërkesat e shqetësimet e qytetarëve apo është qëllimi për të arritur disa benefite, duke qenë se vendimmarrjet kërkojnë votën e tyre. Me qindra herë kur mungojnë kuorumet e nevojshme të thjeshta apo të cilësuara për kalimin e vendimeve të rëndësishme, kryetarit të bashkisë që ka përballë një këshill amorf, pa shumicë, ku njëri i bie gozhdës e tjetri patkoit, nisin negociata që jo pak herë bien ndesh me interesat e qytetarëve. Dhe nisin bllokimet, ngrihen në qiell kërcënimet, rritet në masë shantazhi dhe kuptohet gjallërohen në kulm orekset. Pikërisht, tek kërkesat dhe qëllimet për të marrë atë që si qytetar nuk do mundeshin kurrë, qindra qytetarë kanë nisur gjuetinë për të zënë një karrige në këshillin e bashkisë, që kanë marrë me qira siglën e partisë inegzistente nuk kanë hallin e shtëpisë. Jo pak prej tyre nuk ua ndjen për interesat e partisë. Aq më pak të popullit. Ata sa të mbarojnë punë do u japin munxat partive që morën me qira me kohë të shkurtuar dhe do nisin nga merkatua e shitblerjes. Në këtë mënyrë nisin merkatot e këshilltarëve. Shitblerja e tyre. Prej këtej nisin me nxitim gati në rënie të lirë hallet e qytetarëve. Me zgjedhjet do t’u japin paçet shtëpizave parti dhe do thërrasin në kor: Rroftë apo poshtë mazhoranca. Dhe në kor vijojnë: Partia rroftë e përparoftë ! Dhe prej këtej nisin negociatat. Do votën time? Kam pesë kërkesa. Dua vend pune për nusen. Kërkoj të më hiqet taksa. Të më zbutet tatimi. Të mos paguaj energjinë. Të ulen tarifat e pastrimit. Dhe lista e kërkesave kapërcen çdo limit dhe etikë. Kjo betejë e ka zanafillën dhe rrënjët pikërisht në copëtimin e trupës së këshilltarëve. Tek ky copëzim ka rolin e vet negativ, jo vetëm spektri politik i fraksionuar, po së pari qëllimi i drejtpërdrejtë i atyre që për t’u bërë këshilltarë lëvizin jo vetëm gurët e drurët po gjithë shtëpia. Shpërndarja e këshilltarëve në mozaikun e partive, veçanërisht atyre minore e kthen këshillin në fushë betejë , ku kërkon dy e më shumë këshilltarë.
Luftimet nuk zhvillohen në interes të realizimit të shërbimeve ndaj qytetarëve, po fatkeqësisht për zgjidhje të halleve dhe tekave personale. Këto shqetësime, të cilat ambalazhohen si kërkesa të qytetarëve që kërkojnë zgjidhje, në fakt janë kërkesa dhe interesa të këshilltarëve që kanë dalë nëpër qytet apo shtëpi më shtëpi dhe lypin votën në emër të partisë që nuk ekziston fare në qytet dhe ka një seli në kryeqytet vetëm. Dhe ca me familje, të tjerët me fis u shkundin duart dhe shpojnë veshët votuesve për t’u marrë votën duke vënë në funksion tërë oratorinë dhe teknologjinë e re se tani që në këshillë na keni zgjedhur ne aspak ndroje mos kini se ne dimë si t’u mbrojmë sikur edhe botën po ta përmbysni ne kurrë nuk do u lëmë pas dore. Po realiteti flet ndryshe. Përgjegjësia ndaj votuesve pa adresë mbetet një iluzion që nuk ka asnjë lidhje me qytetin tonë. Këta këshilltarë vetmitarë, të vetëshpallur si përfaqësues të partive, janë si lajmëtarë të historive me trishtim dhe burracakëri, me skutadhëri dhe hajni dhe në axhendat e tyre nuk jam as unë as ty, o i miri bashkëqytetar dhe dua t’u bëj një thirrje nga brendësia: mos i shpërndani votat në anonimat partish. Se pluralizmi politik nuk është baraz me vota për këshilltarë nga të gjitha partitë. Se këtu nuk bëhet fjalë për një këshilltar në parti pa emër dhe pa sigël e seli, po përpjekja e këshilltarëve fiktivë që si prifti me kusi enden nëpër qytet për më shumë vota. Garanci se do jesh këshilltar, de mor de, si lum ti qytetar që na ke. Është ky vrapim pa pengesa që të gjithë atyre që janë nën siglën e partive duket se kanë dalë në gjueti për të rrëmbyer një vend në këshillin bashkiak të ri!
