E premte, 1 Maj, 2026

Rama: Do përgatisim një program të posaçëm për mjekët specialistë çift, qeveria i mbështet në marrjen e shtëpisë! Do paguhen edhe orët shtesë

Share

Kreu i qeverisë, Edi Rama paralajmëron programin e posacëm për mjekët e rinj specialist që do të favorizohen nëse janë cift. Nga spitali i ri i sëmundjeve të brendshme në QSUT, Rama tha se do të kenë mundësi që të marrin shtëpi në vlerë më të ulët sesa është tregu.

Rama thotë se motivimi vetëm më rritje pagash nuk është i mjaftueshëm për të frenuar largimin e mjekëve dhe infermierëve drejt vendeve të BE, ndaj do të ofrojnë të gjithë kushtet e nevojshme që të shkojnë në punë me dëshirë dhe të përfitojnë të ardhurat e nevojshme. Kryeministri shtoi se do të punojnë  për të formësuar edhe një politikë të caktuar që të financohen studimet në mjekësi me një ndarje me kushte të pranueshme kur studentët rrinë në Shqipëri. 

Rama njoftoi se do të marrë fund edhe epoka e ryshfetit pasi mjekët do të paguhen për orët shtesë dhe nuk do e kenë të nevojshme që të bëjnë punë edhe në sektorin privat për të fituar të ardhura. 

“Këtë moment mezi e kemi sepse është spitali më i madh që kemi pritur ndër vite. Ta gëzojmë e të ndihen çdo ditë të motivuar për të ardhur në punë. S’dua të zgjatem me investimet apo me zgjatjen e mëtejshme të QSUT se këto i preku pak ministrja por dua të qëndroj pak te mjekët, infermierët, profesorët e nderuar që prej vitesh shërbejnë dhe më vjen shumë mirë që edhe pse vonë do të përgatitemi për një rritje tjetër të rëndësishme të pagës së tyre. Edhe kjo besojmë është e pamjaftueshme ndaj do të publikojmë program të posacëm për mjekët, ushtarakët, punonjësit e policisë, për të garantuar strehimin e mjekëve të rinj specialist natyrisht kur të paraqiten çift.

Për të gjithë çiftet e reja, të freskët në martesë të jenë subjekte të këtij programi ku qeveria do të mbështesë kreditimin e tyre për të pasur mundësinë e marrjes së një shtëpie me kushte krejtësisht të tjera nga kushte të tregut bankar dhe në këtë mënyrë ne do i japim motivim e besojmë shumë që ky është një detyrim që shteti ta marrë përsipër në kushtet ku plotësimi i nevojave është një objektiv që do e arrijmë patjetër”, tha Rama nga Spitali Qendror, një spital krejt i ri për sëmundjet e brendshme në QSUT.

Ndërtimi i Spitalit Qendror është vepra më e madhe infrastrukturore në Shëndetësi, me një vlerë investimi rreth 17 mln euro. Spitali Qendror ka një sipërfaqje ndërtimi 23,290 m2, me kapacitet 345 shtretër ku akomodohen 14 shërbime mjekësore spitalore të specializuara nga kardiologjia, nefrologjia, hematologjia, gastrohepatologjia, mjekësia interne, endokrinologjia, dermatologjia, rheumatologjia, alergologjia, urgjenca dhe imazheria.

Me vizionin për modernizimin e qendrës më të madhe spitalore në vend, 5 vite më parë nisi zbatimi i masterplanit për QSUT. Pas përfundimit të veprave si Spitali Kirurgjikal “Frederik Shiroka”, Spitalit të ri Pediatrik, Spitalit Infektiv, Depos Farmaceutike QSUT,  vijon puna me intensitet për fazën e dytë të rindërtimit të Spitalit Pediatrik, e në vijim do të hapen investime të reja me projektet për rehabilitimin e Spitalit të Kardiokirurgjisë, Spitalit Psikiatrik dhe atij të Djegje-Plastikës në QSUT.

Te tjera

Lajme te tjera