Vlera e naftës kontrabandë që mund të hyjë gjatë një viti në vendin tonë, kap shifrat e 300 milionë eurove. Kështu thuhet në reagimin e lëshuar dje për mediat nga Konfindustria sa i takon sasive të mëdha me naftë kontrabandë që anijet janë kapur teksa e dërgonin në Portin e Durrësit. Në reagimin e bërë, Konfindustria ka kërkuar që të merren masa të jashtëzakonshme për të ndaluar një shkelje të tillë, duke argumentuar se sasia prej rreth 45 mijë tonëve naftë kontrabandë e zbuluar brenda 5 muajve të fundit, kap vlerën e 55 milionë eurove, që do të thotë se i bëjnë buxhetit të shtetit një dëm të madh ekonomik që arrin deri në 40 milionë euro, të cilat duhet të derdhen në arkë si detyrime fiskale të kompanive. “Konfindustria kërkon marrjen e masave të jashtëzakonshme kundër kontrabandës masive të karburanteve në vend. Konfindustria vlerëson, se mbështetur vetëm në të dhënat e bëra mediatike të institucioneve shtetërore, në një periudhë 4-5 mujore janë sekuestruar mbi 35-45 mijë tonë karburant kontrabandë të kapur në anije tregtare në Portin e Porto Romanos/Durrës. Vlera e shitjes me pakicë e sasisë së mësipërme shkon në 45-55 milion euro. Nga sasia e mësipërme, vlera e kontrabandës/fshehjes së detyrimeve fiskale, që duhet të derdheshin në buxhetin e shtetit, mund të shkojë në 30-40 milionë euro. Sa më sipër, vjen si pasojë e drejtpërdrejtë e shkallës së lartë të taksimit të karburanteve në Shqipëri si dhe subjektivizmit dhe korrupsionit të agjencive përgjegjëse shtetërore. Vlerësohet, se sasitë e karburanteve të kapura në përgjithësi vijnë si pasojë e sinjalizimeve të agjencive të specializuara ndërkombëtare për shkak të shkeljes së embargos nga vende si Libia, Rusia, Irani, etj. Fitimi real në këto raste për kompanitë është shumë i lartë për shkak, se çmimi i blerjes është pothuaj 1/3 e çmimit të bursës ndërkombëtare, ndërkohë që çmimet e krahësimore të shitjes në tregun e Shqipërisë janë nga më të lartat në nivel kontinenti”, thuhet në reagim.
Kontrabanda e naftës, Konfindustria: Të merren masa të jashtëzakonshme, kap vlerën 55 milionë euro
Share
Te tjera
