Ish-deputeti i opozitës në mandatin e kaluar, Halit Valteri ka paralajmëruar dje lajme tronditëse nga SPAK për aferën 700 mijë dollarëshe të ish-presidentit Ilir Metës, ndërkohë që ka zbardhur gjatë një interviste për gazetën “SOT” edhe dëshminë e personazhit kyç që do e fundosë për kreun e Partisë së Lirisë në skandalin “CEZ-DIA”. Zoti Valteri paditi në vitin 2022 në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion ish-presidentin Ilir Meta për lobim me vlerë qindra mijëra euro nëpërmjet parave të korrupsionit. Bëhet fjalë për dy artikuj të mediave të njohura “Mother Jones” (25 prill 2018) dhe “Kronen Zeitung” në 16 maj, të cilat raportuan se LSI ka paguar një kompani “offshore” qipriote “Dorelita Limited”, e cila financonte një firmë tjetër në pronësi të ish-senatorit republikan amerikan Howard “Buck” McKeon dhe ish-kryetar i Dhomës së Komitetit Shërbimit të armatosur. Ky i fundit do të përpiqej të ndikonte në Departamentin Amerikan të Shtetit në mënyrë që LSI të fitonte akses dhe mbështetje nga SHBA. “Kronen Zeitung” raportoi vitin që shkoi se LSI ofroi për 700 mijë dollarë lobime po nga kompania e sipërpërmendur qipriote me qëllim që kjo e fundit të siguronte ftesë dhe foto të Metës për ceremoninë e inaugurimit të Donald Trump si president i 45-të i SHBA në 20 janar 2017. Meta atë kohë ishte kryetar Parlamenti, ndërsa sot në intervistën e tij për gazetën “SOT”, ish-ligjvënësi Valteri paralajmëron se Prokuroria Speciale do t’i prishë qetësinë Ilir Metës.
-Zoti Valteri, pak muaj më parë ju keni paditur në SPAK kreun e PL, Ilir Meta për aferën 700 mijë dollarë, e cila u denoncua edhe nga mediat austriake. Keni besim se kjo çështje do të hetohet deri në fund?
Po patjetër që do të hetohet përderisa janë dërguar letër-porositë drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe janë marr përgjigje. Shumë shpejt për këtë çështje do të ketë konkluzione nga SPAK.
-Në çfarë faze janë aktualisht hetimet?
Hetimet në fakt janë në fazë verifikimesh dhe më pas do të thirren të gjithë dëshmitarët, njerëzit që janë hetuar do të thirren për të dhënë dëshmitë e tyre.
-Një tjetër çështje sensitive është ajo e aferës “CEZ-DIA”. Si i shini hetimet e prokurorisë për këtë çështje?
Tek ‘CEZ –DIA’ kanë folur ata që kanë qenë pjesë e aferës, kështu që mendoj se zoti Meta që u thirr në SPAK do të jetë pyetur për detaje të ndryshme të kësaj çështje. Kështu që, një nga çështjet që e prek drejtpërdrejtë korrupsionin e zotit Meta është çështja ‘CEZ –DIA’
-Ndërkohë pak ditë më parë kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u thirr në SPAK për të dëshmuar për aferën “CEZ-DIA”, ku akuzohet se është përfshirë. Si e shikon këtë zhvillim dhe a ka sipas jush prova që implikojnë kreun e ish-presidentin Meta në këtë skandal?
Patjetër që po. Janë mesazhet që i ka dërguar zoti Ilir Meta zotit Kastriot Ismailajt, duke i kërkuar shuma të mëdha parash, si shuma 200 mijë euro në fakt që e ka nxjerr edhe bashkëshortja e Ismailajt.
-Në Kuvend diskutohet nisma që bashkon PS dhe fraksionin Alibeaj për hapjen e dosjeve, mendoni se ka fakte që implikojnë Ilir Metën me ish-Sigurimin e Shtetit?
Këta të gjithë spiunë të ish-Sigurimit të Shtetit janë nuk është se kjo përbën lajm për shqiptarët, lajm për shqiptarët është kur preken taksat e tyre me tendera dhe me koncesione.
-Mendoni se rrezikohen të tjerë zyrtarë të lartë me dosje spiuni që të përjashtohen nga sistemi me ndryshimet e reja që po diskutohen nga Partia Socialiste dhe Partia Demokratike? A rrezikon Sali Berisha?
Ka sa të duash afera korruptive që janë akuzuar me vite me radhë, nuk është se të qenit spiun i bënë fajtor ose jo, sepse të qenit spiun atë e dinë të gjithë shqiptarët që ata janë pjell e regjimit të kaluar. Kështu që ideja është që çdo koncesion dhe tender që është denoncuar në SPAK shpresoj që t’i shkohet deri në fund.
-Si e shikoni vendimin e Gjykatës së Apelit për ti hequr vulën dhe logon e Partisë Demokratike Berishës?
Nuk ka vendim Gjykata e Apelit për ti hequr vulën apo logon Sali Berishës, ka një vendim për të rikthyer çështjen përsëri për rigjykim në shkallë të parë dhe bënë nul vendimin e Zhukrit. Zgjedhja e kryetarit të një partie politike është e përcaktuar shumë qartë në statut dhe mendoj se statuti është Kushtetuta e një partie politike, nëse thyhet një nga nenet e tij do të thotë se ajo forcë politike është drejt shkatërrimit.
-Si do shkojë halli i Partisë Demokratike?
Ata kanë hall se partia është drejt shpërbërjes, në 14 maj do të marrin përgjigjen, ku as sa gishtat e një dore nuk do marrin bashki në gjithë vendin.
Intervistoi: Rigels Seliman
