E martë, 10 Nëntor, 2026

“Shtrëngohen” vizat e punës për të huajt në Shqipëri, detyrim garancia bankare, ja sa para duhet të kenë të “ngrira” në llogari të interesuarit

Share

Të huajt që aplikojnë për vizë të kategorive të ndryshme në vendin tonë, duhet të  paraqesin detyrimisht garanci financiare e cila mbulon shpenzimet e qëndrimit në Shqipëri. Referuar udhëzimit të përbashkët të Ministrisë së Punëve të Jashtme, Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Financave,  “garancia  financiare  depozitohet  në  llogarinë bankare të aplikantit nga vetë i huaji që aplikon për vizë,  nga  garanti  i  të  huajit,  ose  nga  ftuesi  i  tij  në Republikën   e   Shqipërisë,   duke   dokumentuar, gjithashtu, nëpërmjet  vërtetimit  nga  banka  që  nuk janë  kryer  derdhje  të  pajustifikuara,  në  këtë  llogari bankare, të paktën për 12 muajt e fundit”. Në udhëzim specifikohet gjithashtu se  “shuma  e  garancisë  financiare  që  duhet  të paraqitet në dokumentacionin për pajisjen me vizë nga i huaji, për rastet e përcaktuara me vendimin e Këshillit  të  Ministrave  nr.  858,  datë  29.12.2021, “Për përcaktimin e kritereve, të procedurave e të dokumentacionit    për    hyrjen,    qëndrimin    dhe trajtimin e të huajve në Republikën e Shqipërisë”,  duhet  të  jetë  të  paktën  5000  lekë për ditë qëndrimi të kërkuar në vizë për personat mbi 18 vjeç dhe 2500 lekë për shtetasit nën 18 vjeç”. Pra e thënë ndryshe, nëse një i huaj mbi 18 vjeç aplikon për vizë 6-mujore duhet të ketë në llogari bankare rreth 900 mije lekë, ndërsa për vizë 1- vjeçare, 1.8 milion lekë. Garancia  financiare   është kusht me qëllim për  mbulimin    e shpenzimeve  të  jetesës  apo  pasojat  e  një  dëmi  që mund të shkaktohet nga një veprim ose mosveprim i të huajit, në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, për  periudhën  e  vlefshmërisë  së  vizës,  ku përfshihen: viza për të trajnuarin pa pagesë;  viza për persona të vetëpunësuar; viza për punonjës lëvizës digjital; viza për investitorë; viza  për  përdorim  të  pasurisë  së  paluajtshme në pronësi; viza për pensionistë. Vlera e depozituar në llogarinë bankare nuk mund të tërhiqet nga  i  huaji  ose  garantuesi  i  tij  në  Republikën  e  Shqipërisë,  deri  në  përfundimin  e  afatit të vlefshmërisë së vizës.

Te tjera

Lajme te tjera