Ambasadorja e SHBA më vendin tonë, Yuri Kim dhe përfaqësues Special për Çështjet Tregtare dhe të biznesit në Departamentin e Shtetit, Dilawar Syed, ishin dje në mëngjes në Kryesinë e Kuvendit, ku u pritën nga krerët e komisionit parlamentarë të Integrimit, Komisioni i Jashtëm, Komisionit të Ekonomisë dhe Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese. Në takim për të patur një përfaqësi politike të të dyja kampeve, opozitës dhe mazhorancës ishin të pranishëm kryetarët dhe nënkryetarët e komisioneve parlamentare. Gjatë takimeve, burimet saktësuan se është diskutuar për mundësinë e rritjes së investimeve amerikane në vendin tonë. Sipas burimeve, përfaqësuesi i SHBA për tregtinë është interesuar të dijë shtratin ligjor mbi të cilat mund të mbështeten investimet për të patur efikasitet ekonomik dhe siguri juridike. Ambasadorja Kim, në daljet e saj për mediat ka bërë të ditur se sa më shumë reforma në drejtësi jep rezultatet aq më shumë rriten investimet e huaja në Shqipëri. Në një dalje për mediat, Kim më herët ka bërë më dije se në dy viteve e fundit ka një rritje të ndjeshme të investimeve amerikane në vendin tonë.
Sipas saj, investimet amerikane në Shqipëri janë rritur me 78 milionë euro për vitin 2021. Zyrtari i lartë amerikan ndodhet në një vizitë zyrtare në vendin tonë dhe pritet të ketë disa takime me zyrtarë të lartë, por edhe me komunitetin e biznesit për të gjetur rrugët e rritjes së bashkëpunimit dhe investimeve amerikane në Shqipëri.
Tabaku: Amnistia fiskale, e keqja e madhe
Ndërkohë nga ana tjetër, deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ka zbardhur dje temat e diskutimit që janë zhvilluar me ambasadoren e SHBA, Yuri Kim dhe zyrtarin e lartë të DASH, në tre komisionet parlamentare.
Tabaku shkruan në “Twitter” se është diskutuar mbi klimën e biznesit, korrupsionin dhe problemet me kontratat selektiv. Deputetja shprehet se amnistia fiskale është e keqja e madhe dhe për sa kohë do mbajë një votë në kuvend.“Kënaqësi diskutimi me BizAtState mbi klimën e biznesit, korrupsionin endemik që pengon shfrytëzimin e potencialit të jashtëzakonshëm të vendit. Problemet si kontratat selektive, ligjet speciale e mungesa garës cenojnë biznesin. Amnistia Fiskale është e keqja e madhe dhe për sa kohë do mbajë një votë në kuvend. Ajo do jetë kundër saj, pasi cenon barazinë para ligjit dhe bizneseve të ndershëm taksapagues! Shqipëria ka potencialin për të zgjeruar më tej partneritetin strategjik me SHBA në fushën e energjisë, teknologjisë, konkurrencën në porte dhe energjinë e gjelbër!
Sfida kryesore mbetet emigrimi dhe meritokracia! Duhet të bëjmë gjithçka të mbajmë të rinjtë këtu”, shkruan Tabaku. Ndërkohë, edhe më herët deputetja e Partisë Demokratike Jorida Tabaku, teksa ka folur për amnistinë fiskale është treguar e bindur se deputetët e opozitës nuk do t’i bashkohen iniciativës së qeverisë për të miratuar amnistinë fiskale. Sipas Tabakut, amnistia fiskale duhet të bëhet me një konsensus të gjerë.“Kam 3 vite që e kundërshtoj ketë iniciativë. Ka disa parime që ne nuk duhet ti cenojmë dhe e para është barazia para ligjit. Amnistia fiskale është dëmtuese për bizneset e ndershme dhe sot tu thuash këtyre bizneseve që kanë paguar taksa vit pas viti të rritura, që kanë dëmtuar biznesin e tyre se puna juaj nuk vlente pasi unë do të marr këto paratë e pandershme do t’i formalizoj mua nuk me duket normale. Kjo amnisti nuk është thjesht fiskale por edhe penale”, nënvizoi Tabaku.
