Qeveria shqiptare ka vendosur të rrisë pagën minimale në Shqipëri në shifrën 40 mijë lekë në sektorët publik dhe privat. Lajmi u bë ditur dje nga kryeministri Edi Rama gjatë një pritjeje të 160 studentëve ekselentë që përfitojnë nga programi i ri i bursave të studimit. Kjo pagë e re minimale do të ndryshojë në javët e ardhshme dhe një masë e tillë do të paguhet për ata student me rezultate të shkëlqyera në gjimnaze dhe olimpiada ndërkombëtare dhe që kanë zgjedhur një nga programet prioritare kombëtare studimore. Jo vetëm kaq, por kryeministri bëri me dije se qeveria do të investohet në punësimin e një numri të madh inxhinierësh të teknologjisë së informacionit, për të cilët është përfolur më herët nga Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi se do të përfshihen në strukturën e re të sigurisë kibernetike.
Paga minimale bëhet 45 mijë lekë pas 2 vitesh
Rritja e pagës minimale nuk do të ndalet me kaq. Shefi i mazhorancës Rama paralajmëroi se brenda dy vitesh, qeveria e tij synon që paga minimale në Shqipëri të arrijë në 45 mijë lekë.“Dua t’ju them një sekret: jemi këtu midis nesh dhe mbase është gjëja e duhur që të ndaj me ju. Paga minimale shumë shpejt do të shkojë në 40 mijë lekë dhe kur them shumë shpejt, çështje disa javësh dhe do të fillojë të aplikohet brenda pak muajsh për të gjithë. Ne nuk duam të ketë një pagë poshtë 40 mijë lekësh si në sektorin publik dhe privat. Qeveria me një mekanizëm që jemi duke përfunduar, paga minimale do të rritet në vijim dhe duam që brenda 2 viteve të shkojë në 45 mijë lekë”, njoftoi Rama për rritjen e pagës minimale.
Inxhinierët e IT, qeveria plan për të krijuar një sektor të ri punësimi
Po ashtu, shefi i qeverisë konfirmoi se qeveria po mendon punësimin e një numri të caktuar inxhinierësh të teknologjisë së informacionit (IT) në sektorin publik. Rama premtoi se këta inxhinierë do të paguhen me paga të kënaqshme njësoj si kolegët e tyre të punësuar në sektorin privat. Edhe pse nuk e shprehu konkretisht, bëhet fjalë për krijimin e njësisë së mbrojtjes kibernetike ushtaraka, e paralajmëruar në fillim të këtij viti nga Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi. “Ne do t’ua ofrojmë të rinjve tanë, mundësinë që të hyjnë edhe në sektorin publik dhe të shërbejnë si inxhinier të teknologjisë së lartë, me paga po aq të mira sa edhe në sektorin privat. Shqipëria po hyn në një fazë tjetër në aspektin e pagave, po hyn edhe në sektorin privat. Ka një lëvizje të rëndësishme që do të vazhdojë. Për të mbajtur burimet njerëzore, këtu duhet të jetë konkurrues në aspektin e pagave”, deklaroi më tej kryeministri.
Jo më bursa për studentët ekselentë shqiptarë që shkojnë jashtë vendit
Rama u ndal edhe te dhënia e bursave për studentët ekselentë. Ai paralajmëroi se shteti shqiptar do të heqë dorë nga financimi i studentëve ekselentë që ndjekin studimet jashtë vendit. Kjo bëhet pasi sipas kryeministrit, shteti shqiptar po financon për shtetet e huaja ku shkojnë studentët shqiptarë të shkëlqyer të studiojnë, të cilët më pas, nuk pranojnë të kthehen në atdhe për të punuar. Nga ana tjetër, Rama premtoi para 160 studentëve ekselentë se diplomat e lëshuara nga Universiteti Bujqësor i Kamzës do të jenë njësoj si vlefshme në tregun e huaj të punësimit si ato të Universitetit të Mjekësisë. “Fatkeqësisht, edhe pse kemi financuar studentët, kemi financuar ekonomitë e mëdha, shtetet e pasura. Shqipëria s’mund të financojë shërbimin shëndetësor gjerman, s’ka kuptim. Për këtë arsye, ministrja pasi ngriti një skuadër për këtë program, shtroi idenë që të ndryshojë drejtim. Jo më për ekselentët që shkojnë jashtë, por për ata që studiojnë këtu. Ndërkohë, që të gjitha diplomat që jep Universiteti Bujqësor, sot do të jenë gjithmonë e më të vlefshme në tregun ndërkombëtar se agronomët do të jenë po kaq të vlefshëm sa janë sot mjekët”, deklaroi më tej kryeministri Edi Rama.
Nga rritja pagës minimale në 40 mijë lekë brenda disa javësh, te vendimi për t’u dhënë studentëve ekselentë rrogë dhe bursa, Rama tregon disa nga prioritetet e qeverisë së tij
Share
Te tjera
