E martë, 29 Shtator, 2026

Nga krijimi i Agjencisë së Rikuperimit të Aseteve, te lëvizja e lirë e shtetasve në Ballkanin Perëndimor vetëm me dokument identiteti, nisma e basteve online dhe rritja e pagave për ekspertët e IT, zbardhen disa nga vendimet e mbledhjes së qeverisë

Share

Në përfundimi të mbledhjes së Qeverisë, ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, foli për dy vendime të miratuara që lidhen me lëvizjen e lirë dhe forcimin e bashkëpunimir rajonal.

“I pari ka të bëjë me lëvizjen e lirë të shtetasve në Ballkanin Perëndimor vetëm me ID. Është një marrëveshje që është nënshkruar në Berlin në nëntorin e vitit të kaluar. Me hyrjen në fuqi të këtij vendimi, të gjithë shtetasit e Ballkanit Perëndimor mund të vijnë dhe qarkullojnë lirshëm në Shqipëri vetëm me ID. Kjo marrëveshje është në frymën e dy nismave shumë të rëndësishme për forcimin e rajonit, dhe Ballkanit Perëndimor, të Procesit të Berlinit dhe Ballkanit të Hapur”, deklaroi ministri Çuçi.

Sa i përket vendimit të dytë, lidhet me bashkëpunimin me Maqedoninë e Veriut për krijimin e “Task Forcave” për të adresuar luftën kundër krimit të organizuar dhe trafiqeve.

“Është një marrëveshje që duhet të ratifikohet në Parlamentin e Shqipërisë, kështu që sot miratuam vendimin e qeverisë. Në bazë të kësaj marrëveshjeje, do të krijojmë “Task-Forca” që do të adresojnë konkretisht çështje të caktuara që lidhen me krimin e organizuar dhe që i takojnë të dy vendeve, dhe ku përcaktohen të gjitha modalitetet e këtij bashkëpunimi. Është një marrëveshje që na sjell akoma më afër me fqinjin tonë. Ne tashmë kemi një eksperiencë goxha të madhe me “task-forcat” apo me grupet e përbashkëta të hetimit dhe operacionale me vendet e Europës. Vetëm vitin që kaloi kemi pasur mbi 20 të tilla, operacione të përbashkëta me policisë partnere të Europës. Kështu që tashmë edhe me Maqedoninë e Veriut krijojmë infrastrukturën ligjore për të pasur bashkëpunime të kësaj natyre”, u shpreh ministri Çuçi.

Një vendim tjetër i miratuar sot në mbledhjen e Qeverisë, ka të bëjë me miratimin e Planit të Veprimit për luftën kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda për vitet 2023-2025, një plan-veprimi i detajuar, që është parë dhe dizenjuar me shumë kujdes, edhe në koordinim me partnerët tanë.

“Nga të rejat, në Planin e Veprimit mund të veçoja krijimin e Agjencisë për Rikuperimin e Aseteve apo për trajnimin në mënyrë të gjerë në fushën kibernetike. Eshtë një plan që besoj se do ta çojë në një stad tjetër; janë përcaktuar veprime të caktuara me afate konkrete që do të çojnë në një stad tjetër luftën kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda”, deklaroi ministri Çuçi.

Ekspertët e IT paga më të larta se privati, Ibrahimaj: Brenda muajit miratojmë pr.ligjin! Fuqizojmë mbrotjen kibernetike

Ekspertët e IT do të paguhen më tepër se privati, ky ka qenë projektligji i cili do të miratohet në Kuvend brenda muajit shkurt. Lajmin e bëri të ditur, ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj e cila u shpreh se shumë shpejt do të ketë një fortifikim të pagave në sektorin e teknologjisë. 

Duke marrë shkasë nga sulmi kibernetik i bërë në korrik nga Irani, Ibrahimaj ka theksuar se tashmë vendit tonë i duhet një ekip i kualifikuar, pasi sistemet e forta janë siguri për të gjithë. Ministrja bëri me dije se të gjitha vendimet do të miratohen brenda muajit shkurt. Kjo nismë e qeverisë do të ndikojë edhe në fluksin drejt degëve të tekonologjisë së informacionit. 

“Sot pas mbledhjes së qeverisë kemi dalë të diskutojmë mbi projektligjet. Një nga diskutimet më të gjatë që u bë ishte mbi nivelin e pagave dhe profesionistët që do të bëhen pjesë e administratës publike. Në korrik Shqipëria ishte subjekt i një sulmi të rëndë kibernetik që vuri në sprovë sistemet tona dhe ne tashmë po punojmë për të pasur mundësinë që të kemi një ekip të kualifikuar IT dhe që sektori i IT të ketë paga më të larta se tregu sepse sot sistemet e forta janë siguri për të gjithë. Të gjitha këto vendime do të miratohen brenda muajit shkurt dhe synojmë që sektori publik të jetë punëdhënësi më i preferuar nga ajo kategori profesionistësh që nuk janë paguar më mirë nga sektori privat.”- bëri me dije Delina Ibrahimaj.

E pyetur lidhur me arrestimin e sekretarin e përgjithshëm të ministrisë së Financave, Ibrahimaj është shprehur se për këtë çështje i takon drejtësisë të flasë.

“Ne kemi pasur një qëndrim për çështjet në hetim. Nuk bëhem gjyqtarë as prokurorë ja kemi lënë në dorë drejtësisë dhe ka treguar se si funksionon. Do presim si do shprehet drejtësia dhe do u bëjmë me dije.”- tha Ibrahimaj.

Një pikë tjetër ku ministrja u ndal ishte dhe nisma e qeverisë për bastet online, ku dhe sot theksoi se nuk do të ketë pika fizike por së shpejti do jenë online, si në vendet e tjera të botës.

Lajmin për forcimin e sigurisë kibernetike e kishte paralajmëruar më herët ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi në prioritetet e vitit 2023. Peleshi theksoi se ky vit do të ketë në fokus sektorin e IT, i cili do të plotësojë kapacitetin 100% të burimeve njerëzore.

Specialistët e IT dhe ekspertët e sigurisë kibernetike janë ndër profesionet më të paguara dhe për këtë Peleshi u shpreh aso kohe se do investojnë për të marrë në punë profesionistët më të mirë, pagat e të cilëve do të jenë më të larta se ato të kompanive private.

Nisma e basteve online, Ibrahimaj: Do bëhet siç ndodh në të gjitha vendet e botës, s’do ketë pikë të hapur në territor

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj është shprehur se ashtu sikurse në çdo mesazh të dhënë nga qeveria është shprehur se asnjë pikë e basteve online nuk do jetë në territor. Ministrja u shpreh se ashtu sikurse në çdo vend të botës do të bëhen online.

“Jemi duke punuar për rishikimin ligjet të basteve sportive online. S’do ketë pikë të hapur në territor por siç ndodh në të gjitha vendet e botës do bëhen online. Njerëzit mund të luajnë online në portale të huaja. Nuk është një fakt që nuk ndodh, Po mund që në bazë ligjit ta rregullojmë këtë proces dhe ta mbrojmë nga infromaliteti.”- tha Ibrahimaj 

Te tjera

Lajme te tjera