E martë, 10 Nëntor, 2026

“Kush është zhytur në korrupsion të përballet me ligjin”, ambasadorja e BE mesazh qeverisë: “Pasaportat e arta” të papranueshme

Share

Bashkimi Europian ja ka bërë të qartë qeverisë se duhet të heqë dorë nga “Pasaportat e arta” dhe amnistia fiskale. Në një intervistë për “Euro News”, ambasadorja Christine Hohmann është shprehur se këto dy plane të qeverisë bie  ndesh me parimet e BE. Nga ana tjetër ajo ka kërkuar forcim në luftën kundër korrupsionit.

PJESË NGA INTERVISTA:

Gazetarja: Është zgjedhur kreu i ri i Prokurorisë së Posaçme z. Altin Dumani dhe ju dy ditë më parë keni zhvilluar një takim me fokus luftën kundër korrupsionit të nivelit të lartë dhe krimit të organizuar. A mund të na zbuloni diçka më shumë nga ky takim dhe për çfarë e keni fjalë kur thoni i nivelit të lartë se shpesh mbase edhe abuzohet me termin nivel i lartë.

Ambasadorja: Korrupsioni është krim, pavarësisht kush e kryen. Askush nuk duhet të jetë jashtë sistemit gjyqësor. Nuk ka rëndësi rangu apo pozita e personit. Nëse kryen krimin e korrupsionit, duhet të përgjigjesh në gjykatë. Kjo është e rëndësishme. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Ky është parimi bazë i drejtësisë në sistemin tonë. Ne bashkëpunojmë ngushtësisht me investigimin dhe e ndihmojmë SPAK-un të ndërtojë kapacitetet investigative dhe të përmirësojë punën, pasi është një strukturë e ndërtuar rishtas. Kjo ka të bëjë, siç e thashë më parë, edhe me krijimin e historikut. Kemi pasur disa çështje të bujshme që janë hapur, por duhet të sigurohemi që nuk mbaron këtu. Pra, sërish duhet të përqendrohemi te problemi i korrupsionit, te trafiku i influences dhe jo të gjykojmë nëse është një figurë e lartë politike apo jo aq i rëndësishëm sa duhet. Korrupsioni është krim dhe duhet çrrënjosur. Prandaj na duhet SPAK-u dhe gjyqësori në tërësi për ta luftuar.

Gazetarja: Si e konsideroni deri në këto momente punën e SPAK-ut dhe cilat janë pritshmëritë që ju keni për këtë strukturë të posaçme? Dhe krahas dosjeve të gjykuara deri tani, a prisni të hetojë edhe zyrtarë të tjerë të korruptuar që janë në qeveri?

Ambasadorja: Nuk më takon mua ta them pasi gjyqësori është i pavarur nga influencat politike dhe nga ne. Kjo është detyrë e prokurorëve që punojnë në SPAK të trajtojnë çështjet, ndaj nuk do t’ju them të hetojnë këtë apo atë. Nuk është puna jonë. Por në dy vjet e gjysmë ekzistencë ka pasur një ndikim shumë të madh. Është një institucion shumë i ri dhe tani duhet forcuar dhe siç e dini BKH, struktura hetimore, është ende në ndërtim. Duhet të ketë më shumë efikasitet dhe këtu presim që të forcohen dhe të përmirësojnë krijimin e historikut duke bërë më shumë.

Gazetarja: Zonja Ambasadore, ju jeni më e kujdesshme me gjuhën kur flisni për gjyqësorin, për SPAK-un, pra për sistemin e drejtësisë në tërësi. Megjithatë, ka pasur shpesh edhe nga qeveria, edhe nga kryeministri Edi Rama, por edhe nga kolegët tuaj, ambasadorja amerikane Yuri Kim, që kanë qenë më të drejtpërdrejtë. Ambasadorja Kim ka folur edhe për presione politike ndaj SPAK-ut dhe institucioneve të drejtësisë dhe intimidim të gjyqtarëve. Ju e keni parë këtë gjatë punës tuaj? E keni ndier që ka një tentativë ende nga politika për të intimiduar?

Ambasadorja: Prandaj thashë më parë që ka dy parime me rëndësi për sektorin e drejtësisë që është pavarësia nga trafiku i influencës dhe barazia para ligjit. Këto janë parimet thelbësore që ne i zbatojmë edhe vetë. Shpresojmë që kjo të bëhet realitet në vend dhe të jetë e qartë që gjyqësori punon bazuar te ligji dhe kaq.

Gazetarja: Zonja Ambasadore, Shqipëria sipas Transparency International renditet e fundit për sa i përket indeksit të perceptimit të korrupsionit. Në biseda me zyrtarë shqiptarë, çfarë ju thonë kur ju e ngrini këtë si shqetësim?

Ambasadorja: Duhen dy vetë për të bërë korrupsion, ai që kërkon nga njëra anë dhe ai që paguan në tjetrën. Si mund ta ndërpresim këtë qark? Kjo është një përpjekje e përbashkët, kjo nuk mund të bëhet vetëm me ligje, por edhe një ndryshim i rutinës së përditshme, është realiteti që duhet ndryshuar. Të dyja palët duhet të thonë jo, pra pala që kërkon të korruptohet të mos e bëjë më, por duhet të ketë edhe njerëz që thonë, jo, nuk paguaj për këtë, pasi e kam këtë të drejtë. Është e thjeshtë? Jo, nuk është dhe duhen vite për ta ndërprerë, por pa filluar nga diku, nuk do të arrijmë gjë. Kjo është gjëja më e rëndësishme për mua.

Gazetarja: Duket betejë e vështirë kjo, zonja Ambasadore.

Ambasadorja: Ashtu është, një betejë e përditshme.

Gazetarja: Zonja Ambasadore, për sa i përket zyrtarëve të korruptuar dhe jo vetëm, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por edhe Britania e Madhe duket se janë në unison për sanksionet ndaj zyrtarëve apo ish-zyrtarëve për korrupsion dhe jo vetëm. A do të ketë edhe nga Bashkimi Evropian sanksione mbi zyrtarët dhe ish-zyrtarët, pra të ndiqet e njëjta linjë që po ndjekin SHBA dhe Britania?

Ambasadorja: Nuk kam parë asnjë nismë të tillë në Bashkimin Evropian, është një vendim që merret nga 27 vendet anëtare, por nuk e kam parë deri më sot.

Gazetarja: Pra, do të duhej miratimi i 27 vendeve anëtare për ta bërë diçka të tillë?

Ambasadorja: Po, ashtu duhet të jetë.

Gazetarja: Dhe do të ishte e vështirë për të gjetur një konsensus mes 27 shteteve?

Ambasadorja: Unë nuk kam parë ndonjë propozim, në fakt. Duhet një propozim para se të diskutohet. Dhe nuk kam parë asnjë propozim.

Gazetarja: Bashkimi Evropian, si rregull, nuk punon me diplomacinë e megafonit dhe kur përdor artikulimin publik do të thotë se ka një shqetësim të madh. Po ju pyes për pasaportat e arta. Raporti Vjetor i Komisionit Evropian e ka shkruar shqetësimin e zeza mbi të bardhë dhe zëra nga Komisioni janë shprehur publikisht kundër kësaj nisme. Raporti i fundit i Mekanizmit të Pezullimit të Vizave e shpreh gjithashtu këtë shqetësim. Megjithatë, qeveria shqiptare nuk ka dhënë ndonjë sinjal që do të tërhiqet nga kjo nismë për të cilën ka folur. Cili është ndikimi i BE-së në këtë çështje?

Ambasadorja: Sa u takon pasaportave të arta, Komisioni Evropian ka qenë shumë i qartë duke thënë se shkel acquis  e BE-së. Siç e përmenda më parë procesi i anëtarësimit ka të bëjë me përmbushjen e acquis të BE-së. Pra, nëse e shkel nuk kualifikohesh për anëtarësim. Si anëtar i Bashkimit Evropian duhet të përmbushësh acquis e Bashkimit Evropian. Komisioni ka qenë shumë i qartë për këtë dhe siç e përmendët e kemi vënë edhe në Raportin e Progresit të vitit të kaluar. Për politikën e vizave ka pasur bisedime që vazhdojnë dhe ne presim disa ndryshime, por ka ende punë dhe presim që vendet që duan të anëtarësohen në BE të zbatojnë politikat e BE-së për vizat dhe jo politika të tjera.

Gazetarja: Ju thatë për rastin e pasaportave të arta se nuk duhet shkelur legjislacioni i BE-së, pasaportat e arta e shkelin legjislacionin e BE-së. Nëse qeveria shqiptare do të avanconte në drejtim të pasaportave të arta, a do të vinte kjo në pikëpyetje apo do të krijonte një ngërç mes Shqipërisë dhe BE-së për sa i përket anëtarësimit, nëse do të avanconte në mënyrë të njëanshme, pa konsultime?

Ambasadorja: Varet nga sinjali politik që dërgon. Nëse deklaroni se doni të bëheni anëtarë të BE-së, atëherë, po, ky është një proces që nuk do të ndodhë nesër, por duhet të përafroheni me acquis e BE-së dhe ndërmarrja e veprimeve që shkojnë kundër kësaj është një sinjal që dërgoni. Ajo që është shumë e rëndësishme është që në mënyrë që ky proces të ecë përpara Shqipëria do të ketë nevojë për mbështetjen e 27 Shteteve Anëtare të BE-së, pasi janë ata që vendosin nëse Shqipëria ka bërë gjithçka dhe nëse mund të ecim përpara. Pra, kjo është e rëndësishme, po flasim për procesin teknik, për shqyrtimin analitik dhe grupimet, por hapja e negociatave vendoset nga Shtetet Anëtare të BE-së. Nëse dërgoni sinjale politike kontradiktore ata mund të ngatërrohen në lidhje me angazhimin tuaj.

Gazetarja: Cili është shqetësimi kryesor që Bashkimi Evropian ka lidhur me pasaportat e arta? Cili është rreziku që mund t’i kanoset jo vetëm vendit tonë por edhe më gjerë për shkak të këtyre pasaportave të arta?

Ambasadorja: Është bërë e qartë se është një shqetësim që lidhet me sigurinë dhe veçanërisht me situatën aktuale gjeopolitike dhe kjo është theksuar, pasi ky sistem është përdorur në disa vende që e kanë braktisur. Ju e dini se Komisioni Evropian e ka çuar Maltën në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë si vendi i fundit në BE që e ka këtë skemë, të gjithë të tjerët e kanë braktisur.

Gazetarja: Pra, nëse Shqipëria do të vazhdonte, do të shkonte edhe ajo në gjykatë?

Ambasadorja: Vetëm si anëtare e BE-së.

Gazetarja: Zonja Ambasadore, tjetër shqetësim i Bashkimit Evropian, por edhe i Shteteve të Bashkuara është amnistia fiskale, një tjetër nismë që qeveria po tenton ta miratojë. Shumica politike duket e vendosur ta bëjë. Përgjigja standarde që ata kthejnë është që po negociojnë me partnerët tanë dhe se po punojnë me ekspertë të BE-së për këtë gjë. A mund të na bëni të qartë se cilat janë vijat e kuqe të Komisionit për këtë çështje, pra cilat janë pikat për të cilat ju bini dakord dhe pikat për të cilat ju nuk bini dakord, i keni vija të kuqe. Cili është shqetësimi kryesor?

Ambasadorja: Ne kemi sjellë disa ekspertë që janë shumë më të zotët se unë. Unë nuk jam eksperte finance, por ata kanë ardhur dhe kanë dhënë një numër të konsiderueshëm këshillash për qeverinë shqiptare për t’u përfshirë në hartimin e një legjislacion të ri, një versioni të ri të tij. Kjo është ajo që po presim, një version i ri që të përfshijë këshillat e dhëna. Në këtë pikë nuk mund t’ju them ku janë vijat e kuqe, pasi nuk e njoh gjendjen aktuale të draft legjislacionit. Jemi në pritje të tij.

Gazetarja: Shumë shkurt, cili është shqetësimi kryesor? Cila është frika juaj, pastrimi i parave?

Ambasadorja: Janë shumë çështje pasi është një legjislacion jashtëzakonisht i ndërlikuar dhe gjithëpërfshirës. Ju përmendët një prej tyre, por është edhe çështja e ekstraterritorialitetit, cështja e zbatueshmërisë, është një sfidë e madhe praktike por edhe ligjore, por siç e thashë kemi ofruar këshilla dhe tani çështja është si do të hartohet një draft i ri i legjislacionit. Ekspertët do ta shohin përsëri dhe nuk është vetëm Komisioni Evropian, por edhe MoneyVal që do ta shohë dhe do të japë këshilla.

Gazetarja: Pas pak muajsh Shqipëria do të zhvillojë zgjedhjet e përgjithshme lokale, më 14 maj. Zgjedhjet janë një test i vështirë për Shqipërinë. Cilat janë pritshmëritë tuaja për këto zgjedhje?

Ambasadorja: Ajo që shpresoj, unë nuk jam votuese në këtë vend, por ajo që shpresoj është që kandidatët që garojnë për kryetarë bashkie të jenë aty pasi duan të punojnë për qytetarët e bashkisë së tyre dhe zemra, vullneti i tyre politik të jetë për të bërë diçka të mirë për qytetarët atje. Sigurisht, zgjedhjet e ndershme, është cështja kryesore. Gjëja tjetër me rëndësi është që qytetarët të kenë mundësi të përdorin të drejtën e tyre për të votuar pa asnjë ndërhyrje dhe presion. Është e drejta ime të votoj dhe duhet të jem i lirë të vendos se për kë do të votoj.

Te tjera

Lajme te tjera