Ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi ka komentuar zhvillimet e fundit e politike në vend. Në një intervistë për gazetën “SOT”, i pyetur lidhur me ngjarjen e 21 janarit të vitit 2011, ai u shpreh se u bënë 12 vite dhe njerëzit po presin ende për zbardhjen e asaj ngjarje, ndërsa theksoi se nuk duhet që t’i kemi disa prova të para se është duke u punuar. Lidhur me përgjimet mbi “21 janarin”, ai tha se nuk e di sa të rëndësishme janë sepse duhen parë nga pikëpamja e procedurës penale dhe se sa mund të ndihmojnë që të jepet drejtësi. Klosi deklaroi se çdo gjë që ndodhi atë ditë ka qenë e programuar. Ndër të tjera, lidhur me një deklaratë të bërë pak ditë më parë, gjatë një konference për mediat, të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili mbrojti vrasjet e 21 janarit dhe bëri përgjegjës Ramën, Klosi tha se si ka thënë çudira gjithmonë, ndërsa theksoi se ka pasur mundësi që të jetë në funksione të rëndësishme të këtij shteti, por deklaratat e tij kanë qenë skandaloze dhe s’kanë të bëjnë fare me realitetin. Sipas tij, nuk ka faj kryeministri se organizoi një protestë. I pyetur lidhur nëse beson se do të zbardhet dosja e “21 Janarit” dhe përgjegjësit e vërtetë do të ndëshkohen, deri më tani nuk është bërë asgjë, u dënua një shef dhe një punonjës i gardës dhe kaq. Sipas tij, u quajt se ajo ngjarje ndodhi edhe pa dashje, ndërsa theksoi se ai është krim shtetëror është krim i organizuar. Lidhur me deklaratat e ambasadores së SHBA, Yuri Kim gjatë një interviste të dhënë, ku paralajmëroi se në Shqipëri po troket ora e ndëshkueshmërisë, ai tha se janë deklarata shumë normale. Klosi theksoi se amerikanët kanë investuar shumë, kanë harxhuar para për reformën në drejtësi dhe jo vetëm para, por edhe shumë punë dhe përpjekje, ndërsa vijoi më tej duke thënë se beson në ato që ka deklaruar ambasadorja dhe uron që ato të realizohen sa më shpejt.
-Zoti Klosi, këtë të shtunë janë shënuar 12 vite nga protesta e 21 janarit 2011, ku dhe fatkeqësisht mbetën të vrarë 4 persona. Si e kujtoni ju “21 janarin”?
U bënë 12 vite dhe njerëzit po presin për zbardhjen e asaj ngjarje. Në fillim drejtësia u manipulua, pastaj njerëzit shpresuan tek reforma në drejtësi se ajo do tu jap drejtësi këtyre rasteve si 21 janari’ apo ‘Gërdeci’, ‘Rruga e Kombit’, apo edhe ngjarje të tjera të rëndësishme që kanë mbetur pezull, për të cilat drejtësia nuk ia doli, ose nuk e lanë që t’ia dalë. Ka shumë pritshmëri jo vetëm nga familjet, por edhe nga të gjithë qytetarët. Tani nuk është më herët sepse ka kaluar goxha kohë dhe duhet që t’i kemi disa prova të para se është duke u punuar.
-Ndërkohë, kanë dal edhe disa përgjime lidhur me “21 janarin”. Si e shihni?
Nuk e di sa të rëndësishme janë sepse duhen parë nga pikëpamja e procedurës penale dhe se sa mund të ndihmojnë që të jepet drejtësi. Unë jam i bindur se çdo gjë që ndodhi atë ditë ka qenë e programuar. Unë vetë kam qenë në shesh atë ditë, atje ku ndodhën vrasjet, midis dy vrasjeve dhe protestuesit nga gardhi i Kryeministrit edhe kanë biseduar me gardistët që ishin brenda dhe nuk pati ndonjë problem, pasi të dyja palët e kuptonin pozicionin e njëri-tjetrit. Pastaj kur protesta ishte duke mbaruar dhe kur shumica e njerëzve ishin shpërndarë u qëllua dhe u vranë 4 persona, por ato ishin të programuara. Lidhur me regjistrimet që dëgjova, mendoj mbase do të plotësojnë ato gjëra që mungonin, megjithëse jam i sigurt se janë fshehur prova, sepse fshirja e serverit të Kryeministrisë është skandaloze, madje Garda u mbajt edhe 3 ditë brenda që të mos kishte kontakt me median.
-Sipas jush pse ndodhën vrasjet? Kush i urdhëroi?
Jam i bindur se ishte dikush që i urdhëroi. Personat që punojnë në Gardë, ushtarakët e dinë shumë mirë kur përdoret arma dhe përdoret vetëm në rastet kur cenohet siguria e personit që e ka armën, ose me urdhër. Unë them se nuk e kanë bërë për vetëmbrojtje ose për mbrojtjen e sigurisë së tyre, sepse nuk i kërcënonte njeri, pastaj se çfarë do të bëjë drejtësia është tjetër gjë.
-Pak ditë më parë, gjatë një konference për mediat, ish-kryeministri Sali Berisha mbrojti vrasjet e “21 janarit” dhe bëri përgjegjës Ramën. Si ka mundësi që Berisha nuk kërkon falje?
Ai ka thënë çudira gjithmonë. Ai ka pasur mundësi që të jetë në funksione të rëndësishme të këtij shteti, por deklaratat e tij kanë qenë skandaloze dhe s’kanë të bëjnë fare me realitetin. Nuk ka faj kryeministri se organizoi një protestë, sepse ca cenoi protesta që ai dha urdhër që të qëlloj. Protesta ka pasur gjithmonë në Shqipëri dhe nuk ka pasur ngjarje të tilla përveç përplasjeve të ’97 dhe prapë Berisha ishte në pushtet.
-A mendoni se ka ende mundësi që të zbardhet dosja e “21 Janarit” dhe përgjegjësit e vërtetë të ndëshkohen? Keni një mesazh për drejtësinë?
Deri tani nuk është bërë asgjë, u dënua një shef dhe një punonjës i Gardës dhe kaq. U quajt se ndodhi edhe pa dashje madje, ndërkohë që ai është krim shtetëror, është krim i organizuar. Unë shpresoj se drejtësia e re do të bëjë detyrën e saj.
-Le të ndalemi pak tek disa zhvillime nga SPAK, ku përveç “gërdecit” dhe aferës së privatizimit të ish-kompleksit Partizani, Gjykata e Posaçme ka urdhëruar hetimin e pasurisë së ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-presidenti Ilir Meta, të cilët akuzohen nga avokat Idajet Beqiri si të përfshirë në grabitjen e Thesarit të Krrabës. Keni shpresë se do të hetohen këto dosje?
Do më pëlqente sikur të gjithë të hetohen në Shqipëri, ata janë figura që kanë qenë president, kryeministër. Në qoftë se është marrë kjo nismë do të më pëlqente për të sqaruar të gjithë pastaj nga i kanë burimet.
-Ambasadorja e SHBA, Yuri Kim gjatë një interviste të dhënë të enjten që shkoi, paralajmëroi se në Shqipëri po troket ora e ndëshkueshmërisë, ndërsa premtoi se amerikanët do të mbështesin fuqishëm reformën në drejtësi dhe SPAK. A mendoi se ka ardhur koha që të shohim pas hekurave “Peshqit e Mëdhenj”, pra zyrtarët dhe politikën e përfshirë në afera korruptive?
Mua këto më duken deklarata shumë normale. Pastaj amerikanët kanë investuar shumë, kanë harxhuar para për reformën në drejtësi dhe jo vetëm para, por edhe shumë punë përpjekje. Në fakt, edhe ndryshimet kushtetuese nuk ndodhnin dot pa ndërhyrjet e tyre atëherë kur duhet 140 deputetë votuan ndryshime të rëndësishme kushtetuese dhe kjo është meritë e tyre, prandaj ata do ta vazhdojnë këtë mbështetje dhe për këtë arsye po shpresojmë se reforma në drejtësi nuk do të ndalet dhe ka mbështetjen e të gjithë partnerëve të mëdhenj të këtij vendi, por edhe të Bashkimit Europian, ndërsa amerikanët kanë qenë në krye të kësaj mbështetje. Unë besoj në ato që ka deklaruar ambasadorja dhe uroj që ato të realizohen sa më shpejt. Një shprehje thotë se: “Drejtësia e vonuar është drejtësi e munguar”, nuk duhet bërë ngutje dhe nuk duhet që të justifikohet se nuk e bëjmë dot kaq shpejt, por duhet që të jepen shenjat e para, të nis hetimi pastaj të mbaroj kur ka kohën, atëherë kur do arrij që të mbaroj. Mbarimi varet nga shumë faktor, ndërsa nisja nuk varet nga shumë faktor, por varet më shumë nga vullneti i atyre që e kanë për detyrë, në Shqipëri përveç detyrës duhet edhe vullnet. Pra të ketë vullnet që proceset që duhen hapur, pastaj kur do mbyllen dhe cilat do të jenë rezultatet, ajo varet nga puna që do të bëhet, nga presionet që do bëhet, nga politika dhe nga ndihma që mund të na japin partnerët ndërkombëtar.
-Berisha dhe Meta kanë bërë thirrje për protesta të fuqishme me qëllim rrëzimin e qeverisë. Keni një koment dhe a ka ende qytetarët në Shqipëri që të “sakrifikoheshin” për ish-presidentin Ilir Meta dhe ish-kryeministrin Sali Berishën?
Është detyrë e tyre, jo para popullit shqiptar sepse populli e di si është problemi, por para militantëve të tyre. Ata e kanë detyrë që të bëjnë këto deklarata para militantëve, sepse kanë njerëz që i shkojnë nga mbrapa dhe ata njerëz nuk mund që të mblidhen pa të tilla deklarata, sepse mendoj se nuk do të mobilizoheshin, kështu që ato janë pjesë e punës së tyre për të mobilizuar militant e tyre. Kemi dëgjuar edhe më herët të tilla deklarata dhe deri më tani nuk është se kemi parë ndonjë gjë shqetësuese, pasi thanë se do të kishte protesta masive në vjeshtë tani do kaloj edhe dimri dhe nuk është se kemi parë ndonjë gjë. Po vihet në dyshim ekzistenca e tyre dhe janë të detyruar që të bëjnë edhe deklarata të tilla, gjithë jetën kanë bërë politik dhe ja ku jemi. Të dy kanë qenë në politikë për shumë vite, Iliri akoma edhe më gjatë se Berisha dhe ja ku jemi, ata thonë na sillni ne në pushtet sepse do të luftojmë korrupsionin, do fusim në burg këtë dhe atë. Unë i kam parë personalisht në pushtet për shumë vite dhe nuk kam parë asgjë dhe nuk pres asgjë më prej tyre, ata duhet të na i kishin treguar deri më tani këto që thonë do bëjmë këto nëse vijmë në pushtet. Ata deri më tani në politik kanë qenë dhe po diskutojmë çështje parimore që duhet të ishin zgjedhur në vitet e para të tranzicionit.
