E martë, 10 Nëntor, 2026

’14 maji’, Veliaj: Fushatë pa shpenzime, jo me ‘Rang Rover’! Ndërtimi mbajti ekonominë në këmbë! Jo debat me ‘Lulin e radhës’ të ‘Non Gratës’

Share

Në një intervistë në Report Tv, Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka zbuluar pak nga fushata e socialistëve për 14 majin, ku u shpreh i bindur se do të jetë pa shpenzime, jo me mitingje të mëdha po me ‘Range Rover’, referuar kundërshtarëve të tij politik.

Përballë gazetarit Arbër Hitaj në ‘Studio Live’, Veliaj është shprehur se nuk e njeh Belind Këlliçin si kundërshtar përTiranën, duke e cilësuar si “Luli i radhës” apo edhe “pudra e Saliut”. Ai e ka përjashtuar si mundësi zhvillimin e një debati publik me Këlliçin, duke thënë se nuk mund të ulet në një tryezë me një përfaqësues që vjen nga ‘Non Grata’, referuar Sali Berishës.

“ Fushatë low cost, nuk jemi rraca për të hipur në Rang Rover, jepen ide programe po nuk ka nevojë për mitingje dhe si kacafyten militantët, ne si socialistë nuk i kemi bërë kurrë, por edhe shoqëria nuk i pëlqen këto lloj fushatash. (…) Nuk ka rëndësi si quhet Luli i Radhës, por ne me një përfaqësues që vjen nga një ‘Non Grata’, ne nuk ulemi, s’mund të ndodh që ne t’i bëjmë legjitimitet Berishës që gjithë bota i ka vënë kryq. Të presim të gjithë kandidatët, do punojmë vetëm me partinë zyrtare, nëse Saliu e ka gjetur pudrën e radhës, kjo është punë e tyre”, tha Veliaj.

Kritikëve se gjatë drejtimit të tij ka pasur një bum ndërtimesh, Veliaj iu përgjgij duke thënë se ka qenë pikërisht ky sektor që ka mbajtur ekonominë në këmbë gjatë pandemisë. E duke folur për këtë çështje, Veliaj nuk e kurseu edhe një ironi për analistët e kryeqytetit teksa tha se ata reklamojnë në rrjetet sociale kullat e Dubait, flasin për kulla në Tiranë, ndërkohë që janë vetëm 10 të tilla.

“Pse kur shkojnë në Dubai na çmendin në instagramin e tyre me foto nga kullat këta analistët.  (…) Kulla Tirana nuk ka as 10”, tha Veliaj.

I bindur në fitoren e tij në ’14 maj’, Veliaj tha se për Tiranën e 2023 dhe viteve të ardhshme, janë gati shumë projekte, një pjesë të secilave i renditi në Report Tv, nga poli i drejtësisë te ‘Bulevardi i Ri’ te ndërtimi i 8 shkollave të reja.

“Tiranës i ka ardhur koha për të rikthyer polin e drejtësisë te Bulevardi i Ri … institucionet e drejtësisë të popullojnë bulevardin e ri, hipotekën, tatimet  etj te ‘5 maji’. Jemi në fazën përfundimtare për të mbyllur projektin në sheshin fundor te bulevardi i ri. Jemi gati të shpallim sa të gjejmë dakodërsinë me donatorët. Duam të përfundojmë paketën e shkollave me 8 shkolla të reja, kështu përfundojmë gjithë sfidën tonë për të shmangur mësimin me dy turne. Është shumë e rëndësishme ta çojmë deri në fund këtë mision, të mbahemi mend në histori si bashkia që ka bërë më shumë shkolla”, u shpreh Veliaj.

Në fund, ai iu është përgjigjur zërave që flasin për një marrëdhënie të krisur mes tij dhe kryeministrit Edi Rama, ku theksoi se një gjë nuk është e vërtetë, madje shtoi se në histori nuk ka pasur kryeministër dhe kryebashkiak që kanë bashkëpunuar më mirë me njëri-tjetrin.

Te tjera

Lajme te tjera