E diel, 4 Tetor, 2026

Artur Metani: S’mund të ketë demokraci pa drejtësi të pavarur, ja kush po i bën presion dhe shantazh sistemit gjyqësor, ILD e vendosur për të goditur korrupsionin në ‘togat e zeza’

Share

Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani gjatë një interviste në “Euronews Albania” ka bërë bilancin e punës së vitit 2022 dhe ka analizuar sfidat dhe ambiciet e institucionit që drejton për vitin 2023. Metani theksoi se nëse në fillimet e veta, flitej për mungesa njerëzore e infrastrukturore, gati 3 vite më vonë e gjatë vitit që u mbyll, ILD krenohet se ka rezultate dhe flet për vendosje standardesh në sistem, si për punën e gjyqtarëve, ashtu edhe atë të prokurorëve.

-Zoti Metani, në shkurt ILD bën 3 vite nga nisja e funksionimit, a mund të themi që ky institucion është i “kolauduar” tashmë?

Me një shkurt të 2023, bëhen 3 vite nga ngritja e institucionit të Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Dua të ri sjell në vëmendje të publikut, se në 1 shkurt 2020, kur u krijua institucioni, nuk kishte as zyrë dhe me 1 shkurt kishte vetëm një person që punonte, që isha unë, ndërsa sot gati 3 vite më pas, flasim për standarde të tjera të punës. E risolla në vëmendje këtë detaj, për të treguar se nga momenti i zgjedhjes së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ndoshta duken shumë 3 vite, por janë pak për jetën dhe ngritjen e një institucioni, në kuptimin e standardeve, në kuptimin e cilësisë së punës, në kuptimin e dinamikës dhe efekteve që duhet të prodhojë një institucion. Pas 3 vitesh jam i bindur, se institucioni e ka krijuar fizionominë e vet, është një institucion që ka filluar të funksionojë, është një mekanizëm që ka filluar të funksionojë dhe qytetarët besoj e njohin, që ankesat ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve trajtohen nga ky institucion. Po ashtu gjyqtarët dhe prokurorët kanë filluar ta njohin institucionin dhe standardet që po prodhon ky institucion. Edhe për këtë arsye sjellja e gjyqtarëve dhe prokurorëve është më e kujdesshme, në kuptimin e standardeve që duhet të ndjekin për procedurat gjyqësore, që ata kanë për funksion të kryejnë. Këto standarde pune janë të konfirmuara, jo thjesht nga eksperienca e ILD-së, por edhe nga vendimmarrja e Këshillave përkatës, Këshilli i Lartë Gjyqësor për gjyqtarët dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për prokurorët, por edhe nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, si struktura finale, që trajton ankimimet e procedimeve disiplinore ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në gjitha rastet që u paraqitën pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit janë konfirmuar 100% praktikat apo procedurat e ndjekura, si nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Këshillat përkatës, çka provon standardet e krijuara, por që do të thotë padyshim më shumë punë. Gjithsesi për të thënë pas 3 viteve, ku ishim dhe ku jemi, pra ky institucion ka arritur të prodhojë në bashkëpunim me dy Këshillat, standarde që i shërbejnë punës në të ardhmen në pushtetin gjyqësor.

-Meqë jemi tek ankesat, sa i takon afateve dhe mënyrës së ankimit, dhe ILD vihet në lëvizje vetëm me denoncim apo edhe kryesisht?

Po. Atëherë një nga gjërat, që unë mendoj që duhej të ishte bërë më mirë, si nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë, por edhe nga institucionet e reja të drejtësisë, që nga momenti që u zgjodhëm, apo kur filloi funksionimi i institucioneve, ishte ndërmarrja e një fushate njohëse të punës së institucionit tek qytetarët. Pra çdo qytetar të kuptonte, se cili ishte funksioni i çdo institucioni të ri që po krijohej, e padyshim edhe afatet e funksionimit të vet. Kjo gjë nuk është bërë për shumë arsye, sepse natyrisht në 1 shkurt të vitit 2020, këtu (në ILD) kishte vetëm një punonjës që punonte, e që duhet të prodhonte standardet e reja të punës, lëri pastaj fushatat njohëse. Megjithatë, gjithsesi ne jemi munduar që ta prekim këtë gjë, duke qenë prezentë, edhe me një faqe shumë të pasur interneti, me informacion të plotë për qytetarët, që duan të konsultojnë rolin e punën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Për qytetarët që sjellin ankesë personalisht në institucion, ne gjithmonë kemi një grup njerëzish, që i takojnë dhe i sqarojnë për detyrat dhe funksionet që ne kemi. Unë jam munduar, që nëpërmjet intervistave ta bëj prezent rolin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe afatet që ai ka. Për të qenë më konkret, ligji parashikon një afat 3 mujor për trajtimin e një ankese, në kuptimin që Inspektori i Lartë i Drejtësisë brenda 3 muajve, duhet t’i japë një përgjigje qytetarit, nëse ankesa do procedohet për më tej, apo do arkivohet. Pastaj ka një afat 6 mujor deri në 9 mujor për hetimin, nëse Inspektori i Lartë i Drejtësisë mendon që kjo ankesë duhet hetuar, edhe pastaj kalon në procedim disiplinor pranë Këshillave përkatës. Për të qenë konkret, afati 3 mujor padyshim për shumë ankesa ka kaluar sepse siç e thashë edhe në pyetjen e mëparshme, ne kemi gjetur stok të madh ankesash të prapambetura, që duhet t’i trajtonim sepse nuk doja, që një ankesë të parashkruhej në Zyrën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, për shumë arsye. Ne jemi munduar që t’i japim prioritet ankesave të vjetra, duke u përpjekur, që edhe ankesave të reja t’i japim njëfarë trajtimi, sepse gjithsesi njerëzit kanë të drejtë të marrin një farë trajtimi për ankesën që sjellin. Gjetja e kësaj balance, ndoshta disa njerëz i kënaq, disa njerëzve i krijon pakënaqësi, por ne po mundohemi maksimalisht. I garantoj këdo që çdo ankesë që ata sjellin, do marrë përgjigjen që i takon. Padyshim i kërkoj ndjesë nëse i kalon afati, por këto janë jashtë mundësive tona, janë brenda aq sa mund të bëjmë, brenda mundësive që kemi, brenda këtij institucioni. Jemi përpjekur dhe garantoj çdo qytetar që do marrë përgjigjen, jo vetëm që i takon, por edhe nëse ai qytetar ka ndonjë pretendim ndaj ndonjë gjyqtari të caktuar, të mos mendojë që kjo zyrë, për shkak të afateve të trajtimit të ankesës, mund të ndihmojë një gjyqtar në mënyrë të padrejtë. Çdo qytetar do marrë atë që i takon sipas ligjit dhe çdo magjistrat do marrë, atë që i takon sipas ligjit.

-Kohët e fundit ka pasur zëra, deklarata apo indicie për presione e shantazhe ndaj aktorëve të sistemit të drejtësisë, madje e pohuar nga kreu i SPAK. Si e shikon këtë panoramë kreu i ILD-së dhe a ka pasur raste, që është gjendur dhe ky institucion në këtë situate?

Pyetja është interesante në fakt, edhe është e nevojshme për t’u diskutuar, jo thjesht për t’u sqaruar, sepse kjo është një gjë që nuk sqarohet sepse nuk është gjë që është matematikë, nuk është statistikë, është një gjë që ka të bëjë me filozofinë politike të qeverisjes së vendit, me filozofinë politike të trajtimit të publikes në shoqëri. Sistemi gjyqësor padyshim që ka shumë presione, ka shumë presione edhe në kuptimin e mirë të fjalës. Ka presion publik, që do të thotë të prodhojë sa më shumë drejtësi, të prodhojë drejtësi të paanshme e kështu me radhë. Ka presion qoftë edhe nga politika, që në një moment të caktuar politika përfaqëson interesin publik në Kuvend apo kudo, për ta bërë sistemin gjyqësor më të përgjegjshëm e kështu me radhë. Nga ana tjetër gjetja e balancës midis këtij interesi publik, dhënies zë të këtij interesi publik, edhe mënyrës se si ti i jep zë këtij interesi publik është shumë delikate ta ndash nga presioni, ta ndash nga presioni politik, nga intimidimi që i bëhet punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kjo nuk është një gjë që shkruhet, nuk është një gjë që thuhet. Kjo është një gjë që dihet. Unë mendoj që sistemi gjyqësor nuk mund të ketë sukses, nëse ne nuk e mbështesim sistemin gjyqësor, nëse ne nuk i krijojmë mjedis demokratik sistemit gjyqësor. Nuk mund të ketë demokraci pa pavarësi të pushtetit gjyqësor dhe nuk mund të ketë pavarësi të sistemit gjyqësor, në qoftë se nuk ka demokraci. Nuk mund të shkojnë të dyja anash dhe larg njëra- tjetrës, të dyja ndihmojnë një proces shumë të rëndësishëm, që është kushtetutshmëria e sjelljes politike në vend. Kjo sa i përket pjesës politike, pra them që duhet kultivuar dhe duhet  promovuar kultura demokratike e trajtimit të punës së sistemit gjyqësor. Çdokush ka të drejtë të komunikojë atë që mendon për punën e sistemit gjyqësor, sa larg kjo apo sa afër është kjo me intimidimin e punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, kjo është një gjë që ka të bëjë me kulturën politike të atyre që e bëjnë  këtë kritikë. Besoj dhe mendoj që duhet të jetë pjesë e debatit politik pikërisht kjo gjë, pra krijimi i një fryme kritike, nëse ka kritika për punën e sistemit gjyqësor, por brenda një standardi të caktuar demokratik, kushtetues, brenda asaj që themi, të ruajtjes së pavarësisë dhe mosintimidimit të punës së gjyqtarëve dhe prokurorëve. Është e rëndësishme të thuhet kjo, sepse ka 5 vite që janë krijuar institucionet e reja të sistemit të drejtësisë dhe po prodhojnë sipas mendimit tim disa rezultate dhe ne duhet ta ushqejmë këtë punë, sepse tek e fundit prandaj e ngritëm këtë sistem të ri, nëse ne çdo ditë dalim dhe kritikojmë, edhe kur themi kritikojmë tej kufijve kushtetues të kritikës, atëherë cili është mesazhi dhe imazhi që japim për këto institucione të reja të drejtësisë, edhe si duam ne të funksionojnë duke i sharë tërë kohës, duke intimiduar gjithë kohën,  padyshim që nuk funksionon kështu, padyshim që nuk mund të ketë sukses kështu. Kjo shkon jo thjesht për pjesën politike, por edhe për pjesën mediatike edhe për pjesën shoqërore, sepse sistemi gjyqësor i përket gjithë shoqërisë, dhe i përket gjithë shoqërisë sot dhe në të ardhmen. Debati duhet bërë në mënyrë të kujdesshme, jo për ruajtjen apo krijimin e disa zgjidhjeve sot, për situata që ne na përplasin me sistemimin gjyqësor. Ne duhet të mendojmë që çdo zgjidhje, çdo kritikë apo çdo propozim që japim për punën e sistemit gjyqësor, duhet ta mendojmë për vitet që vijnë, duhet ta mendojmë si strategji afatgjatë, duhet ta mendojmë në mënyrë parimore. Vetëm kështu do të kemi sukses me reformën dhe sistemin gjyqësor që prodhon drejtësi. Nëse ne mundohemi të zgjidhim situatat e sotme me një zgjidhje të sotme, pa e parë me synim afatgjatë një rast, atëherë ne nuk kemi bërë asgjë, vetëm zgjasim agoninë e zhvillimit tonë.

Te tjera

Lajme te tjera