E martë, 10 Nëntor, 2026

Prishja e pallatit te ‘Myslym Keta’, Rama: Ishte ngrehinë e rrezikshme, të gjithë familjeve iu jepet bonusi i qirasë! Mbyllet rindërtimi në Baldushk

Share

Pallati në rrugën ‘Myslym Keta’ ishte një ngrehinë e pabanueshme. Kështu shprehet kryeministri Edi Rama për aksionin që mori ditën e sotme IKMT për shembjen e këtij pallati. Rama thotë se asnjë person nuk mund të jetonte në atë ambient, pasi ju rrezikohej jeta, për shkak të gjendjes së tij. Kreu i qeverisë theksoi se çdo familje e atij pallati trajtohet me bonusin e qirasë dhe shtëpia e re do t’iu jepet sapo të jetë gati.

“E njëjta gjë dhe për ata që bëjnë ca rezistenca që nuk arrij ti kuptoj. Si mund të jetojnë në pallatin që u shemb këto ditë dhe ca njerëzish janë këta që u dalin në mbrojtje ndërkohë që ai pallat bën mu që është një ngrehinë e rrezikshme, një ngrehinë që me një goditje të matrapikut binte dy kate menjëherë. Atyre të gjithëve ju jepet bonusi i qirasë dhe ju thuhet kur të ndërtohen apartamentet e reja do merrni një të ri. Çfarë duhet të bëjë qeveria dhe bashkia”, tha Rama.

Qëndrimet për prishjen e pallatit ‘Myslym Keta’ Rama i mbajti nga Baldushku, aty ku i dha 28 familjeve çelësat për shtëpitë e reja. Procesi i rindërtimi u mbyll plotësisht me këto familje, ndërsa Rama theksoi edhe njëherë se shtëpitë janë falas dhe do t’iu jepen qytetarëve me tapi.  

“Është kënaqësi që para një tjetër Viti të Ri në zonën e Baldushkut përmbyllet plotësisht procesi i rindërtimit. Vitin e ri do ta festojnë përfundimisht në shtëpinë e tyre. Provat e prekshme siç janë këto shtëpi që nuk janë projekte, nuk janë fotografi, video, por shtëpi reale, tregojnë atë që ne jemi zotuar që në krye të herës, që të gjithë ata që humbën shtëpitë në tragjedinë e madhe të tërmetit do të rimarrin shtëpi më të forta më të bukura edhe më të mëdha dhe akoma më e rëndësishme do i marrin pa paguar asnjë qindarkë dhe pa i pasur borxh asnjë qindarkë shtetit”, tha Rama.

Një koment e pati edhe mbi akuzat për procesin e rindërtimit, ku theksoi se çdo familje e prekur nga tërmeti trajtohet me bonus qiraje dhe të gjitha shtëpitë janë falas. Rama tha se ka edhe nga ato familje që kanë zgjedhur të jetojnë në çadër, por gjithsesi e kanë marrë bonusin.

Te tjera

Lajme te tjera