Përfundoi dje ndeshja e fundit që mbyll raundin e çerekfinaleve të Kupës së Botës “Katar 2022”. Franca ka mposhtur Anglinë me rezultatin 1-2, dhe është e vetmja skuadër europiane që i bashkohet 4-shes gjysmëfinaliste.
“Gjelat” zhbllokuan ndeshjen në minutën e 17 me Çuameni. Ylli i Realit të Madridit befasoi “3 luanët” dhe portierin Pikford me një gjuajtje të mrekullueshme nga distanca.
Në minutën e 25, anglezët pretenduan për një penallti, pas një faulli të pësuar nga Herri Kejn në hyrje të zonës së rreptësisë. Megjithatë, arbitri dhe VAR-i nuk ishin dakord.
Në minutën e 52, Anglia fitoi një penallti, pas një faulli të Çuameni ndaj Saka në zonën e rreptësisë. Te pika e bardhë u paraqit Herri Kejn,, i cili nuk gaboi dhe mposhti shokun e tij të skuadrës te Totenhemi.
26 minuta më vonë, Franca u rikthye sërish në avantazh me Oliver Zhiru, i cili tundi rrjetën me një goditje me kokë brenda zonës së rreptësisë pas një krosimi të Grizman.
Në minutën e 84, Anglia pati mundësinë të kundërpërgjigjej menjëherë pas një penalltie të fituar nga Maunt. Te pika e bardhë u paraqit sërish Herri Kejn, por këtë herë, sulmuesi i Totenhemit gaboi duke e dërguar topin jashtë.
Në gjysmëfinale, Franca do të ndeshet me Marokun. Ndeshja do të luhet më 14 dhjetor në orën 20:00.
Ndeshjet gjysmëfinale janë si më poshtë:
1-Kroaci-Argjentinë (13 dhjetor, ora 20:00)
2-Marok-Francë (14 dhjetor, ora 20:00)
