E diel, 22 Nëntor, 2026

Dita e Alfabetit/ Rama: Nën hijeshinë e këtyre gërmave jeton kujtesa e kombit tonë! Begaj: Gjuha shqipe dhe kultura, shtylla të identitetit kombëtar

Share

Krerët e shtetit shqiptar dhe opozitës kanë uruar sot popullin shqiptar për Ditën e Alfabetit të Gjuhës shqipe, e cila festohet çdo vit për të përkujtuar një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë kulturore dhe kombëtare të shqiptarëve: Kongresin e Manastirit, mbajtur nga 14 deri më 22 nëntor 1908.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale një video me fotografi të shkëputura nga ajo kohë, të cilën e shoqëron me një poezi në gjuhën shqipe kushtuar alfabetit.

Rama shkruan krahas videos se në hijeshinë e gërmave të gjuhës shqipe jeton kujtesa e kombit shqiptar.

“Mirëmëngjes dhe në ditën e më të bukurave gërma, nën hijeshinë e së cilave jeton kujtesa e kombit tonë dhe frymon e ardhmja, ju uroj një të diel të qetë”, ka shkruar Rama krahas videos.

Ndërkohë Presidenti Bajram Begaj, festoi Ditën e Alfabetit me veprimtarë të Shoqatës Atdhetare Kulturore “Tomorri”, me rastin e 120-vjetorit të krijimit të saj.

Në këtë ditë të rëndësishme për gjuhën dhe identitetin kombëtar, Kreu i Shtetit vlerësoi kontributin e shoqatës në ruajtjen dhe promovimin e historisë, kulturës dhe traditave shqiptare, duke theksuar rëndësinë e përcjelljes së kësaj trashëgimie te brezat e rinj.

Duke u ndalur te rëndësia e gjuhës shqipe si një nga shtyllat e identitetit kombëtar, Presidenti Begaj vlerësoi se përpjekjet e brezave për alfabetin, shkollën, librin dhe kulturën kanë dëshmuar se bashkimi përmes gjuhës është një vlerë e çmuar e historisë sonë.

“Dita e Alfabetit na e kujton këtë ndoshta më qartë se çdo datë tjetër. Në Manastir shqiptarët nuk hoqën dorë nga dallimet mes tyre; ata u përbashkuan përmes gjuhës. Alfabeti i njësuar i dha shqipes një mjet të përbashkët shkrimi, ndërsa shkolla, libri, letërsia, studimi dhe puna e brezave i dhanë atij jetë dhe e kthyen gjuhën në një nga shtyllat më të forta të identitetit tonë kombëtar”, theksoi Presidenti.

Për këtë përvjetor, urimi i Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshit, shoqërohet edhe me pamje të krijuara përmes teknologjisë, të frymëzuara nga fotografia historike e Kongresit të Manastirit, duke sjellë në një formë të re kujtesën e këtij momenti të rëndësishëm të historisë kombëtare.

“Nga 14 deri më 22 nëntori i vitit 1908, delegatë nga të gjitha trevat shqiptare, me bindje e besime të ndryshme, u mblodhën rreth një ideali që i bashkonte. Frytin e punës së tyre e kemi sot në duar sa herë shkruajmë e lexojmë shqip me 36 shkronjat e alfabetit tone”, ka shkruar Peleshi.

Urimit për Ditën e Alfabetit i është bashkuar edhe ish-Presidenti Ilir Meta, i cili përmes një postimi në rrjetet sociale ka vlerësuar kontributin e Rilindasve dhe figurave të shquara që punuan për njehsimin e alfabetit shqip.

“Mirënjohje dhe nderim përjetë kolosëve të gjuhës shqipe dhe Rilindasve të kombit, të cilët 118 vjet më parë, në Kongresin e Manastirit, njehsuan alfabetin, themelin e identitetit dhe bashkimit tonë kombëtar, duke i paraprirë Pavarësisë së Shqipërisë”, ka shkruar mes të tjerash Meta.

Kjo ditë përfaqëson momentin e unifikimit kulturor të shqiptarëve dhe Kongresi u mbajt në Manastir (sot Bitola, Maqedonia e Veriut), në shtëpinë e Fehim Zavalanit, që sot është shndërruar në Muzeun e Alfabetit të Gjuhës Shqipe.

Në këtë kongres morën pjesë 50 delegatë nga 26 qytete dhe shoqata të ndryshme të shqiptarëve, si dhe 18 vëzhgues. Delegatët përfaqësonin klube patriotike dhe intelektualë nga të gjitha trojet shqiptare.

Kryetar i Kongresit ishte Mit’hat Frasheri, ndërsa nënkryetarë u zgjodhën Luigj Gurakuqi dhe Gjergji Qiriazi. Ndër delegatët e tjerë të shquar ishin Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Sotir Peci, Parashqevi Qiriazi (gruaja e vetme pjesëmarrëse), dhe Fehim Zavalani. Në fjalimin e hapjes, u theksua rëndësia e krijimit të një alfabeti unik për të unifikuar gjuhën shqipe dhe për të ndihmuar në përhapjen e arsimit kombëtar.

Pas disa ditësh diskutimesh dhe analizash, Kongresi vendosi që alfabeti latin të përshtatej për gjuhën shqipe, duke bërë disa ndryshime për të reflektuar veçoritë fonetike të saj. Ky vendim ishte një akt thelbësor për të përjashtuar përdorimin e alfabeteve të tjera, si ai grek, arab dhe cirilik, që përdoreshin më parë në zona të ndryshme.

Alfabeti i njësuar luajti një rol kyç në përhapjen e gjuhës shqipe dhe zhvillimin e literaturës kombëtare, duke ndihmuar në krijimin e një platforme për zhvillimin e identitetit shqiptar. Ky unifikim shërbeu si bazë për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912.

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe u shpall festë zyrtare në Shqipëri në vitin 2023 dhe për herë të parë u kremtua si një festë kombëtare atë vit. Kjo ditë festohet gjithashtu në Kosovë, Maqedoninë e Veriut dhe në diasporën shqiptare, duke reflektuar rëndësinë e saj për të gjithë shqiptarët kudo ndodhen.

Te tjera

Lajme te tjera