Një përplasje e fortë ka ndodhur gjatë Asamblesë Kombëtare këtë të shtunë, ku kryeministri Edi Rama ka kërkuar përjashtimin e Elisa Spiropalit nga PS. Por kjo kërkesë e kryeministrit është shoqëruar me debate të ashpra mes tyre, ku nuk kanë munguar as akuzat e drejtpërdrejta.
Sipas burimeve për media, mësohet se Rama ka akuzuar deputeten se e ka goditur politikisht pas shpine, duke iu referuar qëndrimeve dhe veprimeve të saj të fundit.
“Harroi që unë isha Skënderbeu dhe m’u drejtua me ‘Ed’, duke goditur pas shpine në një moment kur minutat e ndanin dronin me eksploziv nga godina e qeverisë”, mësohet të ketë thënë Rama.
Duke iu referuar mocionit të Spiropalit, kryeministri ka kundërshtuar propozimet e saj për një “parti të re” dhe një “marrëveshje të re”.
“Mori përsipër të bëjë edhe platformë, që ma tregon nga përjashta”, mësohet të jetë shprehur ai. Sipas të njëjtave burime, Rama i ka thënë Spiropalit gjatë mbledhjes: “Nuk mund t’i gjuash me gurë shtëpisë” dhe “Je jashtë kësaj asambleje”.
Nga ana tjetër, Elisa Spiropali ka mbrojtur qëndrimin e saj, duke theksuar se veprimet e saj nuk kanë turpëruar Partisë Socialiste. Po ashtu mësohet se ajo të jetë shprehur se brenda PS-së ka pasur njerëz që kanë abuzuar me pushtetin.
“Nga veprimet e mia nuk është turpëruar PS. Ka ndër ne që kanë abuzuar me pushtetin. Nëse duhet të jem flamingo, atëherë më quani flamingo”, mësohet të ketë deklaruar deputetja.
