E diel, 15 Nëntor, 2026

Asambleja/ I shpalli luftë, Rama shkarkon Veliaj nga kreu i PS në Tiranë: Kërcënimet i ka sajuar! Bashkëdrejtimin e merr Demo e Koçiu!

Share

Përplasjes më të madhe deri më tani në kampin rozë, kryesocialisti Edi Rama iu përgjigj pa fjalë, por me veprime.

“Do lutesha për ndërprerjen e transmetimit. Fillimisht dua të ndaj disa fjalë vetëm me asamblenë e familjes sonë politike”, deklaroi Rama në nisje të asamblesë.

Në mbledhjen me dyer të mbyllura të Asamblesë së Partisë Socialiste, gati 9 muaj pas asaj të fundit 21 marsin e kaluar, Rama shkarkoi kryebashkiakun Erjon Veliaj, nga drejtimi i Partisë Socialiste të Tiranës.

Një lëvizje e fortë politike kjo, që pasoi dhe me të parin qëndrim të kryeministrit, nga koha kur Veliaj e akuzoi nga paraburgimi se e ka kërcënuar me rëndim të pozitës penale nëse nuk do pranonte se fshihet pas protestave në Tiranë e nëse nuk hiqte dorë nga mandati. Report Tv mëson se Rama i ka quajtur të pavërteta dhe të sajuara bisedat e pretenduara të Erjon Veliajt me ministrin e Drejtësisë Toni Gogu, në paraburgimin e Fierit. “Gënjen për takimin me mikun e bashkëpunëtorin më të ngushtë, madje me pastorin”, ka thënë Rama.

Me garën elektorale të 9 majit që po afrohet gjithnjë e më shumë, kjo Asamble e socialistëve shënoi çeljen zyrtarisht të fushatës, dhe hapin e parë drejt emrave të mundshëm që mund të shihen si kandidatët për të synuar drejtimin e 46 bashkive në vend.

“Nga sot PS është zyrtarisht në fushatë. Kemi ndërtuar platformën që do duhet të shtrihet në çdo cep të territorit të Shqipërisë, për t’iu afruar përgatitjes së fushatës. Miratuam një platformë që do kërkojë një mënyrë të re, zgjedhjen e atyre që duan të kontribuojnë në këshilla. Forum i hapur publik, ku secili që kërkon të jetë pjesë e kontributit për këshillat, do duhet të jetë pjesë e platformës këshilltari i baskisë sime”, tha Klosi.

Partia në Tiranë, si bashkia më e madhe dhe më e rëndësishme në vend, pas shkarkimit të Erjon Veliajt, përforcohet me dy bashkëdrejtues: Ministrin e Brendshëm Ervin Demo, dhe në krah të tij, vjen numri 2 i qeverisë, zëvendës kryeministrja Albana Koçiu.

Nën ethet e zgjedhjeve vendore, përzgjedhja e tyre është domethënëse. Zërat mediatike se Ervin Demo mund të jetë fytyra me të cilën Partia Socialiste do të garojë për Tiranën më 9 maj, shtohen, sikundër nuk përjashtohet mundësia që kryeministri Rama të ketë menduar një garë që nis në heshtje që në bashkëdrejtimin e PS-së së Tiranës, mes Demos dhe Albana Koçiut se kush do të jetë kandidati.

Ogerta Manastirliu mbetet drejtuese politike e Bashkisë së Tiranës, emri që Rama e përzgjodhi për zgjedhjet e parakohshme të nëntorit 2025, të mbetura në tentativë. Ende nuk dihet sa do të jenë shanset që ajo të mbetet sërish një alternativë.

Ndërsa Taulant Balla ruan vendin për drejtimin politik të Tiranës në nivel qarku, me fokus te bashkitë e vogla.

Megjithatë, problemet brenda socialistëve, nuk i zgjidh as kjo garë e mundshme. Erion Braçe, nuk e ka fshehur ambicien për të qenë ai kandidati i Tiranës, ku edhe në mbledhjen e Asamblesë, ka këmbëngulur në nevojën e një procesi politik që të përfshijë anëtarët e partisë në përzgjedhjen e kandidatit.

Pritshmëritë e një tjetër socialisteje, se pas kritikave që shfaqi hapur mbi funksionimin e selisë rozë, përjashtimi nuk do të mungonte, për pak u bënë fakt.

Burime nga mbledhja, thanë se Kryeministri Edi Rama propozoi përjashtimin e Elisa Spiropalit nga PS-ja.

“Harroi që unë isha Skendërbeu dhe mu drejtua me Ed, duke goditur pas shpine në një moment kur minutat e ndanin dronin me eksploziv nga godina e qeverisë. Mori përsipër të bëjë dhe platformë që ma tregon nga përjashta. Nuk mund t’i gjuash me gurë shtëpisë. Nuk i pranoj këto parti e re, marrëveshje e re. Je jashtë kësaj asambleje”, – mësohet të jetë shprehur Rama.

Në mbledhjen e organit më të lartë drejtues të selisë rozë, Spiropali nuk pati mundësi të shpalosë idetë dhe platformat për hapjen e Partisë Socialiste, por të replikojë me kryeministrin.

Spiropali ka thënë se nga veprimet e saj nuk është turpëruar PS”. “Ka mes nesh që kanë abuzuar me pushtetin. Nëse duhet te jem flamingo, atëherë më quani flamingo”, mësohet të jetë shprehur ajo.

Por situata mbeti e paqartë, nuk patoi votim dhe e gjitha duket si një paralajmërim i fundit i Ramës ndaj Spiropalit. Në përfundim të mbledhjes, sekretari i Përgjithshëm të PS-së Blendi Klosi, tha në një përgjigje të shkurtër për mediat, se Spiropali mbetet anëtare e PS-së.

Gazetarët: A është Spiropali, anëtare e PS

Klosi: Po është anëtare e PS

Zëra pro brenda sallës së mbyllur siç Report Tv mësoi, Spiropali pati Fatmir Xhafajn, i cili mësohet të jetë shprehur se mund të merren masa, por jo të ketë përjashtim. Edhe deputeti Erjon Braçe, u shpreh se “Kjo parti nuk ka përjashtuar ndonjëherë një njeri, mesa njoh unë. Mendoj se forca e partisë ka qenë liria, për të thënë atë që mendojnë”.

Të qenit në izolim, e amnistoi Erjon Veliajn nga përjashtimi nga partia Socialiste duke mbetur anëtar i thjeshtë pa asnjë pozicion drejtues. “Nuk përjashtohet se ka një element human se i ka duart e lidhura, në rast të kundërt do të ishte jashtë”, mësohet të jetë shprehur Rama. Por kryesocialisti kërkoi të lihet jashtë partisë si anëtar, Plarent Ndreca, avokati i Erjon Veliajt.

Te tjera

Lajme te tjera