Nga rekrutimi i shpërndarësve përmes TikTok-ut te telefonat me lista klientësh që shiten deri në 300 mijë paund. Një investigim gati njëvjeçar i Sky News ka zbuluar se si rrjetet kriminale shqiptare kanë zgjeruar kontrollin mbi tregun e kokainës në Britaninë e Madhe. Në dokumentar ka folur edhe kreu i seksionit të hetimit të krimit të organizuar në SPAK, Vladimir Mara, i cili ka treguar se ku investohen paratë e përfituara nga aktiviteti kriminal.
Investigimi i televizionit britanik Sky News, i titulluar “Bosët e drogës në derën ngjitur: Si e kanë transformuar bandat shqiptare tregtinë e kokainës në Britani”, dokumenton mënyrën se si funksionojnë këto rrjete, nga furnizimi ndërkombëtar me drogë deri te shpërndarja e saj në rrugët britanike.
Për të depërtuar në këto grupe, gazetarët e Sky News përdorën identitete të rreme, telefona të posaçëm dhe një bashkëpunëtor shqipfolës. Ata zhvilluan takime me persona të përfshirë në shpërndarjen e kokainës në qytete si Exeter dhe Royal Tunbridge Wells.
Një nga zbulimet kryesore të investigimit lidhet me lehtësinë e rekrutimit të shpërndarësve të rinj. Përmes njoftimeve në rrjetet sociale, përfshirë TikTok-un, personat e interesuar mund të përfshihen në shpërndarjen e drogës brenda pak minutash.
Në një takim të regjistruar në Exeter, një rekrutues i identifikuar si “Leo” i ofroi bashkëpunëtorit të gazetarëve mundësinë për të punuar si shpërndarës kokaine. Në investigim dokumentohen edhe oferta pagese deri në 280 paund në ditë për këtë aktivitet.
Por shpërndarësit nuk kanë nevojë t’i kërkojnë vetë klientët. Sipas investigimit, rrjetet kriminale u vënë në dispozicion telefona me lista të gatshme personash që blejnë drogë.
Për shkak të kontakteve dhe klientelës së krijuar, këta telefona kanë vlerë të konsiderueshme për grupet kriminale. Sky News zbuloi se një telefon i tillë ofrohej për shitje në tregun e zi për 300 mijë paund.
Sistemi i shpërndarjes është organizuar në mënyrë që porositë e kokainës të konfirmohen shpejt dhe droga të mund të dorëzohet te klientët brenda 30 minutash.
Sipas ekspertëve të cituar në investigim, grupet kriminale shqiptare sigurojnë fitime të mëdha duke kontrolluar të gjithë zinxhirin e trafikut, nga importimi i kokainës në Britani deri te shitja e saj në rrugë.
Pjesë e dokumentarit është edhe kreu i seksionit të hetimit të krimit të organizuar në SPAK, Vladimir Mara, i cili flet për investimet e grupeve kriminale shqiptare dhe përpjekjet e tyre për të krijuar ndikim në vendet ku zhvillojnë aktivitetin.
“Ne kemi konstatuar që këto grupe kriminale kanë pasur investime në vende të ndryshme të BE-së. Patjetër që ka pasur investime në Shqipëri. Ata kanë investuar në apartamente, ka pasur investime të pjesshme, të copëzuara, diku në pasuri të paluajtshme, restorante, vila banimi. Këta njerëz mundohen të kenë influencë në çdo vend ku ushtrojnë aktivitetin. Veprimet i kryejnë në funksion të përfitimeve të mëdha të paligjshme e në kohë të shpejtë”, deklaroi Mara.
Por gjatë investigimit gati njëvjeçar, gazetarët e Sky News zbuluan se aktiviteti i këtyre rrjeteve nuk kufizohej vetëm te tregtia e kokainës.
Në TikTok, ata identifikuan një njoftim në gjuhën shqipe, ku shkruhej: “Transportojmë djem me probleme nga Britania drejt Europës. Udhëtim i sigurt çdo javë”.
Duke përdorur një llogari të fshehtë, gazetari kontaktoi personin që kishte publikuar njoftimin. Ky i fundit i ofroi mundësinë për të nxjerrë nga Britania një person që kishte probleme me policinë, duke e transportuar me kamion kundrejt pagesës prej 2.500 paundësh.
Investigimi nxori në pah edhe lidhjet mes trafikut të drogës dhe emigracionit të paligjshëm.
Gazetarët intervistuan një shqiptar që kishte mbërritur në Britani me gomone dhe më pas ishte përfshirë në aktivitetin e drogës.
Shqiptari, i cili tashmë ishte kthyer në Shqipëri, tregoi në kushte anonimiteti se të afërmit i kishin financuar udhëtimin drejt Britanisë me kusht që të punonte për trafikantët shqiptarë.
Pas mbërritjes, ai ishte larguar nga hoteli ku qëndronte si emigrant dhe kishte shkuar të punonte në një fermë kanabisi në Mançester.
I pyetur nëse edhe persona të tjerë në gomonen me të cilën kishte udhëtuar kishin të njëjtin qëllim, ai u përgjigj: “Po. Shumica ishin nisur me këtë ide në mendje”.
