E mërkurë, 28 Tetor, 2026

“Rama do të ketë fatin e Vuçiçit ose Çausheskut”/ Sali Berisha: PD thërret protestë kombëtare të shtunën në mbështetje të studentëve dhe gjimnazistëve

Share

Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, ka deklaruar se opozita do të mbështesë fuqishëm protestat e gjimnazistëve dhe studentëve, ndërsa ka bërë thirrje për pjesëmarrje masive të qytetarëve të Tiranës në protestën e radhës.

Në një konferencë për mediat ditën e sotme, Berisha u shpreh se mijëra shqiptarë nga diaspora pritet t’i bashkohen protestës, duke e cilësuar lëvizjen e të rinjve si një revoltë me rëndësi të jashtëzakonshme për të ardhmen e vendit.

Ai vlerësoi guximin e studentëve dhe gjimnazistëve përballë policisë gjatë protestave, duke theksuar se lëvizja e tyre ka fituar mbështetje të gjerë brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Berisha përmendi deklaratat në mbështetje të studentëve nga kongresmenë dhe senatorë amerikanë, përfaqësues të Parlamentit Evropian dhe Bundestagut gjerman, si dhe organizata ndërkombëtare politike. Ai falënderoi për mbështetjen kongresmenët amerikanë Joe Wilson, Robert Aderholt dhe Keith Self, si dhe përfaqësues të tjerë amerikanë dhe evropianë.

Lideri demokrat dënoi gjithashtu dhunën antikushtetuese ndaj qytetarëve që marrin pjesë në protesta paqësore, duke akuzuar autoritetet për ushtrim presioni dhe frikësimi ndaj protestuesve.

I pyetur nga gazetarët nëse Partia Demokratike do t’u bashkohet të rinjve dhe studentëve në protestën kombëtare të paralajmëruar për të shtunën, Berisha u përgjigj se mbështetja e opozitës do të jetë e plotë.

“Partia Demokratike thërret protestë kombëtare në mbështetje të studentëve. Asgjë nuk e ndan më Partinë Demokratike nga këto dy parime: mbështetje e fuqishme, mbrojtje e tyre. Ky është përcaktimi ynë”, deklaroi Berisha.

Ndërsa lidhur me vendimin e deputetëve demokratë për të marrë pjesë në komisionet parlamentare vetëm për të dënuar dhunën ndaj studentëve dhe më pas për t’u larguar, Berisha sqaroi se bëhet fjalë për një vendim të grupit parlamentar.

Ai shtoi se për çdo vendim tjetër, përfshirë qëndrimin e opozitës gjatë diskutimeve për paketën fiskale dhe buxhetin e vitit 2027, do të ketë një njoftim të mëvonshëm.

Në përfundim, Berisha theksoi se protesta do të vijojë, duke deklaruar se Partia Demokratike do të bëjë gjithçka për mbështetjen dhe mbrojtjen e studentëve.

Te tjera

Lajme te tjera