Pas shumë vitesh debate qeveria ka vendosur të ulë Tatimin mbi Vlerën e Shtuar për produktet ushqimore, duke e zbritur nga 20% në 6%.
Ky ndryshim do të jetë pjesë e paketës fiskale për vitin 2027, dhe ndryshon nenin 49 të ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar. Sipas propozimit, shkalla e reduktuar do të zbatohet për produkte të tilla si buka dhe mielli, qumështi dhe kosi natyral, vezët, orizi, makaronat, vaji ushqimor, mishi i pulës, viçit dhe derrit, peshku bazë, frutat dhe perimet e freskëta, bishtajoret, sheqeri dhe ushqimet bazë për foshnja.
“Shkalla e reduktuar e tatimit mbi vlerën e shtuar, e cila aplikohet për furnizimin e produkteve ushqimore, si bukë dhe miell; qumësht dhe kos natyral; vezë; oriz; makarona; vaj ushqimor; mish pule; mish viçi/derri; peshk bazë; fruta të freskëta; perime të freskëta; bishtajore; sheqer; ushqime bazë për foshnja, është 6 për qind. Lista e detajuar e produkteve ushqimore përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave”, është pika e re që do të shtohet në nenin 49 të ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar.
Po në këtë nen ndryshon edhe tatimi për bizneset në sektorin e turizmit. Nga 6% që ka qenë TVSH-ja për hotelet me 5 yje, agroturzmat dhe për furnizimin e shërbimit të akomodimit në strukturat akomoduese rritet në 10%. Për shkak të rritjeve në disa sektorë, norma e përgjithshme e TVSH-së do të rritet në total në 21%, nga 20% që është aktualisht.
