Kryeministri Edi Rama prezantoi paketën e re ligjore kundër dhunës dhe anarkisë urbane, e cila parashikon dëmshpërblimin e bizneseve të dëmtuara dhe gjoba deri në 500 mijë lekë për personat që qëndrojnë në turma ku ushtrohet dhunë, duke qenë në dijeni të saj.
Prezantimi vjen një ditë pas protestës së të shtunës në Tiranë, e cila u shoqërua me përplasje të dhunshme, sulme me molotovë ndaj institucioneve dhe dëmtime të pronës publike e private. Sipas kryeministrit Rama, një pjesë e pjesëmarrësve në protestë, të cilët ishin veshur me bluza të bardha, kishin ardhur si mercenarë nga Spanja, për të nxitur e ushtruar dhunë në Shqipëri.
Rama akuzoi Partinë Demokratike se ishte vënë në krye të dhunës së ushtruar gjatë protestës, ndërsa pretendoi se selia e saj ishte përdorur si strehim dhe pikë furnizimi me lëndë plasëse.
“Pas një tjetër vale dhune mbrëmë në qendër të Tiranës, ku Partia Demokratike doli nga prapavija, mu në ballë të ushtrimit të dhunës urbane dhe godina e saj u kthye në strehim politik e në pikë furnizimi me lëndë plasëse të dhunuesve të mbledhur mbrëmë nga të katër anët dhe të gjitha burimet e kësaj flame antidemokratike. Jini të sigurt, se edhe këtë flamë fatkeqësie jonatyrore, do ta shuajmë me patjetër. Nga një anë, me durim e vendosmëri përballë dhunuesve, të cilët nuk kanë asnjë shans t’i diktojnë Shqipërisë sallatën e prishur të një matufi që e ka katandisur PD-në në një maskë dhune, të ekstremistëve të Antifas që glorifikojnë dhunën kudo në Europë dhe të duarve të huaja që nuk e duan Shqipërinë në Bashkimin Europian e që nxisin maskat që pretendojnë se përfaqësojnë studentët, por që në fakt, më shumë se sa studentë, përfaqësojnë edhe vetë krimin e organizuar”, tha Rama.
Një nga masat e prezantuara është dëmshpërblimi i bizneseve të prekura nga dhuna. Përmes një akti normativ, bizneset e vogla do të dëmshpërblehen në masën 100% të dëmit, ndërsa bizneset e mëdha në masën 70%.
“Ky akt vjen si mbështetje e menjëhershme financiare për ata që u dëmtuan nga thyerjet, grabitjet, zjarri. Me këtë akt shteti do të mbulojë nga 100% të dëmeve materiale për më të vegjëlit deri te minimumi 70% për më të mëdhenjtë – në bazë kriteresh të mirëpërcaktuara dhe gjithnjë brenda fashës së bizneseve me xhiron vjetore deri në 140 mijë euro. Kështu bizneset të cilat i kanë depozituar tanimë aplikimet e tyre, bashkëngjitur dokumentacionin e dëmeve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, nuk do të presin me vite proceset gjyqësore për dëmshpërblimin e tyre. Nga ana tjetër ata që u përfshinë në këto akte ku thyen, shkatërruan, dogjën dhe dëmtuan bizneset, e për të cilët gjykata e vlerësoi të ligjshëm arrestimin, do të paguajnë secili pjesën e vet të gjobës për dëmet e shkaktuara” tha Rama.
Kryeministri tha se ligji për riparimin e dëmeve, është hartuar sipas parimit “Kush thyen, paguan”, duke theksuar se përgjegjësia financiare për dëmet e shkaktuara do të bjerë mbi autorët dhe jo mbi taksapaguesit.
“Ligji i ri që kemi hartuar për “riparimin e dëmeve të shkaktuara nga aktet e dhunës dhe dëmtimi i pronës gjatë tubimeve” krijon themelin e qëndrueshëm për të ardhmen, mbi parimin e thjeshtë, “kush shkakton dëm, e paguan”, ku barra nuk bie më ekskluzivisht mbi taksapaguesit dhe buxhetin e shtetit si deri më sot. Ligji zbatohet për të gjitha tubimet në vende publike, të njoftuara, të ndaluara ose spontane, përfshirë grumbullimet sportive, kulturore dhe festive, ku vijnë si pasojë dëme materiale mbi pronën, Natyrisht dhe pa asnjë dyshim, askush nuk paguan dëmin pse ka protestuar apo ka qenë i pranishëm në një grumbullim të çfarëdo natyre. Kjo përgjegjësi për të paguar dëmin e shkaktuar lind vetëm nga sjellja vetjake e personit, dhe ky ligj nuk e kufizon lirinë e tubimit dhe të shprehjes, por nga ana tjetër, çdo person që merr pjesë në një tubim të dhunshëm dhe nuk largohet pas paralajmërimeve të policisë, do të përgjigjet financiarisht. Pra, kush zgjedh të vazhdojë të qëndrojë në një turmë apo në një grup, duke e ditur që përreth tij po gjuhet me gurë, po digjet me zjarr e po thyhet e shkatërrohet, do të përgjigjet administrativisht përmes gjobës, bashkë me ata që i kryejnë veprimet e dhunshme dhe gjoba do të shkojë deri në 500 000 lekë të reja. Përjashtohen sigurisht nga ky rregull, gazetarët, mjekët, vëzhguesit, nëpunësit në detyrë, kalimtarët e rastësishëm. Për pjesëmarrjen e të miturve mbi 14 vjeç në një protestë të dhunshme, gjobën do ta paguajnë prindërit ose kujdestari, sipas parashikimeve ligjore të Kodit Civil dhe kjo gjobë është titull ekzekutiv që hyn në fuqi menjëherë” tha Rama.
Rama tha se me vendim të Këshillit të Ministrave do të krijohet regjistri i posaçëm elektronik i personave të referuar për vepra penale kundër shtetit apo kundër sigurisë dhe rendit publik.
Përmes këtij regjistri, sipas Ramës, këtyre personave do u refuzohet dalja jashtë Shqipërisë, derisa të ‘mbarojnë punë’ me drejtësinë në vendin tonë.
“Me VKM krijohet regjistri i posaçëm elektronik i personave të referuar ose nën hetim për vepra penale kundër shtetit. Ky regjistër administrohet nga Policia dhe përmban të dhënat e identifikimit të këtyre shtetasve. Do u refuzohet dalja nga vendi personave që synojnë t’i shmangen veprave penale. Do njoftohen edhe autoritetet e huaja për rrezikshmërinë që ai paraqet. Përfshi edhe kompanitë e transportit ajror, detar apo me tren. Të jetë i bindur çdo person, qoftë si ata me bluza të bardha dhe me maska që kishin ardhur dje si mercenarë për të ushtruar dhunë, dhe që tregonin muskujt para Ministrisë së Arsimit, se kush do të dhunojë në Shqipëri do të gjejë belanë për të riyrë i qetë në Europë, pa mbaruar punë me drejtësinë këtu në Tiranë”, tha mes të tjerash Rama.
Për të miturit, përgjegjësia për pagesën e gjobave dhe mbulimin e dëmeve do t’u kalojë prindërve ose kujdestarëve.
Rama theksoi se ligji do të zbatohet për të gjitha tubimet, përfshirë edhe grumbullimet sportive ku shkaktohen dëme materiale në pronën publike apo private. Sipas tij, askush nuk do të ndëshkohet vetëm pse ka marrë pjesë në një protestë, ndërsa masat do të varen nga sjellja e secilit person.
Kryeministri nënvizoi gjithashtu se ligji nuk kufizon lirinë e tubimit dhe të shprehjes.
“Çdo masë e propozuar është përputhur me nenin 47 të Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, nenin 11 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, jurisprudencën e Gjykatës së Strasburgut, Udhëzimet e Komisionit të Venecias dhe ODIHR-it për lirinë e tubimit paqësor” tha ai
