Kryeqyteti i Shqipërisë po përjeton një nga periodat më të tensionuara të viteve të fundit, ku rruga ka marrë trajtën e një fushëbeteje të vërtetë politike e shoqërore. Dita e shtatë e protestës së studentëve dhe gjimnazistëve në Tiranë u mbyll mes një klime ankthi, përplasjesh të forta, tymit mbytës të gazit lotsjellës, përdorimit të plumbave të gomës dhe valëve të njëpasnjëshme të shoqërimeve. Cili nisi si një reagim rinor pranë Ministrisë së Arsimit, tashmë ka marrë përmasat e një revolte të hapur përballe regjimit të Edi Ramës, ku të rinjtë kërkojnë prerazi dorëheqjen e kryeministrit dhe ndryshimin e rrënjësishëm të sistemit.
Cikli i përplasjeve nisi herët gjatë ditës dhe përfshiu disa nyje kryesore të kryeqytetit, por vlimi i vërtetë shpërtheu me ardhjen e mbrëmjes. Në bulevardin kryesor “Dëshmorët e Kombit” dhe pranë korpusit të ministrive, atmosfera u elektrizua kur rinia e revoltuar u rikthye masivisht në shesh. Sulmet me gurë, fishekzjarrë e molotovë drejtuar godinave qeveritare e forcave të rendit shfaqën qartë panikun e pushtetit përballë një brezi që nuk pranon më kompromisin.
Efektivët u përgjigjën me ujëmbajtëse, mjete zhurmuese dhe doza masive gazi lotsjellës, duke e kthyer zemrën e Tiranës në një hapësirë ku frymëmarrja u bë pothuajse e pamundur. Në mes të këtij kaosi nuk munguan as pasojat mbi gazetarët në terren. Gazetari i A2 CNN, Armand Brajmi, u godit në shpatull nga një plumb gome teksa raportonte drejtpërdrejt përplasjet intensive pranë ministrive. Edhe pse goditja ishte tangenciale dhe gazetari konfirmoi se ndodhej në gjendje të mirë shëndetësore, incidenti dëshmon shkallën e lartë të rrezikut dhe indinjatës që mbizotëroi në çdo cep të bulevardit.
“Gjuetia” e natës në lagjet e kryeqytetit dhe dhuna ndaj protestuesve
Ndryshe nga ditët e mëparshme, mbyllja e tubimit kryesor nuk solli qetësimin e situatës, por vetëm zhvendosjen e konfliktit. Tirana nuk kishte më një pikë të vetme proteste; përplasjet u copëzuan nëpër rrugë dytësore, hapësira publike e lagje banimi. Në sheshin “Skënderbej” u ndaluan dhe u shoqëruan dy të rinj, ndërsa pranë Parlamentit Rinor pati ndërhyrje me forcë ndaj disa qytetarëve që po qëndronin anës rrugës. Operacioni i kontrollit dhe patrullimit nga forcat e policisë u përhap shpejt në të gjithë territorin e qendrës. Pamjet tronditëse që qarkulluan me shpejtësi në rrjetet sociale zbuluan anën më të errët të ndërhyrjes policore. Në zonën e Medresesë, disa efektivë të repartit “Shqiponja” u filmuan duke ndjekur një të ri, të cilin pasi e kapën, e tërhoqën zvarrë dhe e goditën vazhdimisht në mënyrë barbare. Në një tjetër sekuencë dramatike, efektivët goditën dhe rrëzuan në tokë një protestues tjetër, përpara se ta braktisnin aty pa e arrestuar. Këto episode pasqyrojnë qartë reagimin joproporcional dhe tensionin e akumuluar brenda radhëve të policisë.
Aksionet te objektet e kultit dhe hyrja e revoltës në javën e dytë
Përshkallëzimi i veprimeve të policisë preku sërish perimetrin e objekteve të kultit, duke nxitur reagime të ashpra qytetare. Arrestime e shoqërime me forcë u raportuan pranë Katedrales Ortodokse në qendër të Tiranës, ku pamjet e siguruara nga mediat treguan ndërhyrjen e dhunshme e fizike deri edhe ndaj një të mituri. Kjo ngjarje riktheu në vëmendje shqetësimin e thellë mbi cenimin e vendeve të besimit, pas incidentit të disa netëve më parë te xhamia e Et’hem Beut, ku vetë besimtarët u detyruan të bllokonin hyrjen e efektivëve të policisë.
Paradoksi bëhet akoma më i madh kur këto ndërhyrje brutaliteti ndodhën në të njëjtën kohë kur Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaronte publikisht se trupat e rendit nuk kishin marrë asnjë urdhër për të ushtruar dhunë ndaj protestuesve. Megjithatë, faktet e dokumentuara me video kërkojnë hetim të menjëhershëm dhe verifikim të përgjegjësive individuale.
Dje kjo revoltë rinore ka kapërcyer kufirin e ditës së shtatë dhe ka hyrë zyrtarisht në javën e saj të dytë. Ndërsa bilanci përfundimtar i të lënduarve, të arrestuarve dhe të shoqëruarve në dyert e policisë mbetet ende për t’u saktësuar, një gjë është e sigurt: rinia nuk ka ndërmend të tërhiqet, dhe kriza politika në kryeqytet sapo ka hyrë në fazën e saj më të nxehtë.
