Zëvendëskryeministrja Albana Koçiu u bëri thirrje prindërve të tregojnë kujdes të shtuar për sigurinë e fëmijëve të tyre, duke theksuar se të miturit duhet të qëndrojnë larg zonave të tensionit dhe përplasjeve.
Në një reagim në rrjetet sociale, Koçiu deklaroi se fëmijët nuk duhet të përfshihen në situata dhune, por të jenë në shkollë dhe në mjedise të sigurta.
Zëvendëskryeministrja kritikoi përfshirjen e të miturve në protesta të shoqëruara me akte dhune, duke u bërë thirrje organizatorëve dhe pjesëmarrësve të distancohen nga dhuna dhe të ulin tensionet.
“Një revoltë që i përdor fëmijët si mburojë dhe u mëson gjuhën e dhunës, nuk i shërben së ardhmes së tyre. Mbrojtja dhe siguria e fëmijëve janë një përgjegjësi absolute dhe e panegociueshme e të gjithëve! Distancohuni nga dhuna, ulni tensionet dhe largoni menjëherë të miturit nga zonat e përplasjes”, u shpreh Koçiu.
Ajo iu drejtua posaçërisht prindërve, duke u kërkuar të interesohen për vendndodhjen e fëmijëve dhe të sigurohen që ata të mos jenë pranë zonave ku mund të ketë përplasje.
“Të dashur prindër, sot nuk bëhet fjalë thjesht për bojkotimin e mësimit apo mungesat në shkollë, por për sigurinë e drejtpërdrejtë të fëmijëve tuaj. Tregoni kujdes të jashtëzakonshëm në këto momente, interesohuni se ku ndodhen fëmijët tuaj dhe sigurohuni që të jenë larg çdo zone tensioni e përplasjeje”, theksoi ajo.
Koçiu apeloi për kujdes, maturi dhe përgjegjësi, duke nënvizuar se asnjë kauzë nuk mund të jetë më e rëndësishme se jeta dhe siguria e një fëmije.
“Kërkohet kujdes, maturi dhe përgjegjësi nga të gjithë. Asnjë kauzë, sado e madhe dhe e drejtë të duket, nuk vlen më shumë se jeta dhe siguria e një fëmije”, theksoi Koçiu.
