Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, u ka bërë thirrje maturantëve dhe nxënësve në të gjithë vendin të bojkotojnë mësimin në shenjë solidariteti me protestën studentore, ndërsa ka kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit Rama.
Në konferencën me gazetarët ditën e sotme, Berisha e cilësoi protestën studentore si një revoltë çlirimtare për Shqipërinë dhe dënoi dhunën e ushtruar ndaj protestuesve. Ai u bëri thirrje mësuesve, pedagogëve, bizneseve, mjekëve dhe infermierëve që t’u bashkohen studentëve, duke theksuar se indiferenca ndaj protestës është zgjedhja më e keqe.
Lideri demokrat akuzoi kryeministrin Rama për keqqeverisje, korrupsion dhe varfërimin e shqiptarëve, ndërsa deklaroi se kërkesa për dorëheqjen e tij është ultimative. Berisha paralajmëroi gjithashtu se tentativat për të kërcënuar studentët dhe nxënësit nuk do të mbeten pa ndëshkuar.
I pyetur nga gazetarët për deklaratën e Ramës për Reuters se nuk do të largohet nga detyra dhe për rrezikun e destabilitetit, Berisha u shpreh se kryeministri i ka humbur betejat dhe e paralajmëroi të mos përdorë policinë si “mish për top”.
Në përfundim, ai u bëri thirrje punonjësve të Policisë së Shtetit që nuk janë të përfshirë në krim dhe drogë, të japin dorëheqjen, ndërsa kërkoi nga policia në qarqe që të mos ndërhyjë ndaj studentëve protestues.
